7 Qershor 2014 - 08:56 - Adriatik Kelmendi
NËSE KËTA QË pretendojnë të na udhëheqin do të ishin vërtet ashtu siç po na thonë se janë gjatë fushatës, atëherë edhe Kosova nuk do të ishte ajo e cila është.
Por, politikanët tanë nuk janë këta që po na shiten këto ditë dhe Kosova është ajo që është – ndër vendet më të prapambetura në Evropë.
Krejt çka po shohim këto ditë është e krahasueshme me një konkurs bukurie. Veçse me një ndryshim të vogël, se fituesi në vend të kurorës së missit synon kurorën e mbretit (pushtetit).
A e keni parë se si gjithmonë në konkurset e bukurisë ka edhe pyetje për garueset, në mënyrë që të testohet edhe inteligjenca? Dhe, gjithmonë, ama gjithmonë, pastaj fituesen fatlume, missin, do ta shohim nëpër intervista tek thotë se ka ngadhënjyer edhe falë inteligjencës – jo vetëm bukurisë.
NJË SHEMBULL I vogël: Nëse do të realizoheshin vetëm çereku i premtimeve që na dhanë kandidatët për kryetarë komunash vetëm shtatë muaj më parë, gjatë zgjedhjeve lokale, komunat e Kosovës do të ishin nja katërfish më mirë se ç’kanë qenë një vit më parë.
Populli kërkoi ndërrimin e kryetarëve të komunave dhe ky ndërrim erdhi në shumicën e tyre. Dhe nëse shtatë muaj i bien nja një e shtata e mandatit qeverisës, atëherë sot do të duhej të ishim dëshmitarë të ndryshimeve rrënjësore në qeverisje, hapje të shumë vendeve të punës, investime të jashtme, partneritete publiko-private, fillimin e ndërtimit të disa spitaleve e aq më shumë çerdheve, të shumë rrugëve të reja, parqeve e lulishteve, trotuareve e shesheve e çka jo tjetër.
Mirëpo, çka kemi?
Me përjashtime të rralla, një vazhdim të modelit të njëjtë. Vetëm se është ndërruar ndonjë nga figurat në krye që i kemi parë në disa raste për nga 6-7 vjet, si dhe janë ndërruar drejtorët e drejtorive.
Premtimet e fushatës, në masë të madhe, tashmë kanë filluar të duken si diçka e largët, shumë e largët.
NË KËTO ZGJEDHJE po na flitet shumë për ekonominë e financat, pra për paratë. Zhvillimin ekonomik, hapjen e deri 137 vendeve të punës për çdo ditë, fonde investive sa një buxhet i tërë, tatime të krahasueshme me Perëndimin, paga mesatare prej një mijë eurosh, subvencione në secilin sektor të prodhimit etj.
Sa mirë! Më në fund partitë tona politike e kanë lënë patetikën “patriotike” prapa dhe janë kthyer të flasin për problemet reale të qytetarit – mungesën e një pune, mungesën e ngopjes së barkut me bukë, mungesën e të ardhurave dinjitoze.
Mirëpo, kush po na e premton këtë? Kush po na flet për të ardhura? A s’do të duhej që para se të fillohej me zbërthimin e të ardhurave të tyre e pastaj të na premtohet se çka do të bëjnë për të ardhurat tona?
Sot e 15 vjet pas lufte, subjektet politike të Kosovës fshehin të ardhurat e tyre. Fshehin se prej nga financohen dhe me çfarë parash mbajnë partinë. Pra, që në thelb, ato manipulojnë me paratë. Për më tepër, edhe thyejnë ligjin për financimin e subjekteve politike, ku nënvizohet qartë se çfarë mjetesh financiare dhe prej kujt mund të marrin partitë, dhe si duhet të raportohen ato.
NE SHOHIM SHPESH se sa të zellshëm janë deputetët tanë për t’ia ngritur vetes pagat. Sa të zellshëm janë ata nganjëherë edhe për të hequr dorë nga paga (zakonisht në prag fushatash), ose për të dhënë diçka për bamirësi (ndonëse kjo e fundit bukur rrallë). Por, kur vjen çështja te paratë me të cilat ato operojnë – kjo duhet mbajtur vetëm për ta. E kjo do të duhej të ishte gjeneza e korruptimit të brendshëm të politikanëve e subjekteve politike.
Në qoftë se gjithçka do të ishte OK me mënyrën që ata financohen, atëherë ata nuk do të kishin asnjë arsye përse të mos i bëjnë këto financime transparente. Mirëpo, të gjitha, pa asnjë përjashtim, kanë vendosur t’i fshehin ato, siç është treguar jo rrallë edhe në raporte studimore të organizatave joqeveritare dhe të medieve.
Këto ditë jemi dëshmitarë të harxhimeve marramendëse për nevoja fushate të entiteteve politike me mega mitingje, me video klipe luksoze, me blerje të hapësirave reklamuese nëpër medie, pagesa për kompani imazhi e marketingu , pa llogaritur këto pagesën e drekave e darkave, thasët me miell e tëlyen, dhurimin e bagëtive dhe origjinalitete të tjera të ngjashme tonat elektorale.
E në anën tjetër, do të nevojiten vetëm dy ndërrime llafesh me ndonjë biznesmen kosovar, që ai të rrëfejë se po i shkon mendja të ikën nga Kosova, vetëm për t’iu shmangur kërkesave të njëpasnjëshme nga të gjitha partitë për dhënie të donacioneve, “huazim” të parave ose favore të tjera.
Ka biznesmenë kosovarë që i japin të gjitha subjekteve donacione monetare të barabarta dhe ka të atillë që u japin të preferuarave të tyre. Mirëpo, që të gjithë biznesmenët që ua japin paratë politikanëve, natyrisht se llogarisin që ato t’u kthehen me ndonjë favor prej tyre. E derisa qytetarët nuk mund ta dinë se cila parti nga kush është financuar, atëherë s’ka se si ta dijë edhe se sa ndikim po kanë këto financime në qeverisjen e tyre. Ose, edhe tjetra, teksa llogaritet se shumica e këtyre financimeve bëhen me para cash, i bie që politikanët po e nxisin operimin joformal të ekonomisë, si dhe po përfshihen vetë në pastrim parash.
Çka të pritet më vonë kur ky raport i kalbur qytetarë-politikanë fillon që para ardhjes së këtyre të fundit në pushtet?!
IRONIA MË E MADHE është se politikanët tanë na zhvatin paratë tona (mospagesa e tatimeve për donacione e të ardhura zvogëlon buxhetin e shtetit), pastaj me të njëjtat para tonat sfilojnë para nesh për të na kërkuar votat tona, në mënyrë që të qeverisin me jetët tona dhe me synimin që pas disa vjetësh t’ia nisin gjithë kësaj edhe një herë nga fillimi.
Fushatat zgjedhore janë balona të mëdha të mbushura kryesisht me rrena.
Në qoftë se nuk kanë qenë të mirë për qytetarin para se të shpalleshin zgjedhjet, përse mund të presim se do të jenë të mirë përnjëherë tash.
Kështu që të mos mashtrohemi nga magjepsja e fushatës.
Kujtesa e votuesit kosovar do të duhej të ishte pak më e gjatë se vetëm 10 ditë!
Vota jonë e 8 qershorit, në fund të fundit, do të flasë më shumë për ne se sa për ata!
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...