Kokteji i hidhur i shefit të “Vetëvendosjes”

19 Prill 2014 - 08:30 - Enver Robelli      

Kundër drejtësisë ndërkombëtare, kundër Ligjit për dënimin e pjesëmarrësve në luftëra të huaja, kundër simboleve të shtetit të Kosovës, kundër bisedimeve me Serbinë: me këso qëndrimesh kryetari i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, po zhgënjen shumë shpresa për ndryshime pozitive në Kosovë. Tagrin mund ta paguajë së shpejti në zgjedhjet parlamentare. Për demokracinë e zbehtë kosovare nuk do të ishte mirë nëse “Vetëvendosje” mbetet vetëm shfaqje sezonale politike. Talentin e tij politik Albin Kurti do të duhej ta përdorte për veprime të bindshme politike dhe jo për popullizëm

Gabimi i radhës i Albin Kurtit është ky: lideri i “Vetëvendosjes” e quajti Ligjin që ndalon përfshirjen e shtetasve të Kosovës në konflikte të huaja si “ligj antishqiptar”. Hiç më pak. Në fakt, ligji u miratua si pasojë e pjesëmarrjes së dhjetëra kosovarëve në konfliktin e përgjakshëm të Sirisë. Kurti, ndërkaq, bëri një gjimnastikë të çuditshme dhe tha se “nëse dikush e sulmon Shqipërinë” ligji ua ndalon shqiptarëve të Kosovës t’u dalin në ndihmë bashkëkombësve të tyre.

Në këtë kontekst ai përmendi edhe Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë. E kush mund ta sulmojë Shqipërinë, e cila është vend anëtar i NATO-s, dhe në rast të çdo rreziku të sigurisë kombëtare në krah të Shqipërisë do të gjenden 27 shtete të tjera anëtare të Aleancës Veriatlantike?

Politikanët në Tiranë nuk u lëshuan në këso debatesh absurde kur e ndryshuan Kodin Penal në lidhje me pjesëmarrjen e shtetasve të Shqipërisë në konflikte në shtete të tjera. Në të ardhmen çdokush që merr pjesë në luftëra jashtë Shqipërisë do të dënohet me heqje lirie prej 10 deri në 15 vjet burgim. Në debatet e zhvilluara në Tiranë në lidhje me këtë ligj Kosova nuk u përmend fare. “Vetëvendosje” ishte tepër e zëshme në kritikën që ua bëri autoriteteve kosovare pas miratimit të këtij ligji, por nuk tha asnjë fjalë qortuese për politikanët e Tiranës që vepruan njëjtë.

Teneqet patriotike
Është e pakuptueshme që Albin Kurti koketimin me fundamentalizmin islamik, siç është rasti me Ligjin që ndalon përfshirjen e shtetasve të Kosovës në konflikte të huaja, përpiqet ta mbështjellë me teneqe patriotike. Po aq i pakuptueshëm është zelli i tij retorik për të folur për luftëra të reja në Ballkan në një kohë kur si kurrë më parë të gjitha vendet e Ballkanit kanë një ftesë dhe një shans: integrimin në Bashkimin Evropian, projektin më të madh të paqes dhe mirëqenies në historinë moderne.

Dhe, gjithashtu, është absurde që Kurti jeton me gajle imagjinare se Shqipëria mund të sulmohet nesër. A nuk do të ishte më mirë sikur Kurti të mendonte më shumë për shtetin e Kosovës, ku i ka marrë votat dhe është futur në Parlament? Në “Vetëvendosje” duhet të ketë zëra që e kundërshtojnë këtë kurs të dëmshëm. Ndryshe, fatura paguhet në zgjedhje parlamentare. Së shpejti.

Nuk ka paqartësi sa i përket ligjit që e kundërshtoi Kurti dhe një pjesë e deputetëve të “Vetëvendosjes”. Ligjvënësi thotë:”Dënohet ai që merr pjesë në konflikte të huaja”! Ndaj një konflikti në Shqipëri apo në Kosovë shqiptarët në Ballkan nuk mund të qëndrojnë indiferentë, sepse nuk bëhet fjalë për konflikt të huaj, aq më tepër që në një konflikt të tillë hipotetikisht do të prekeshin interesat e shtetit të Kosovës, të Shqipërisë apo të shqiptarëve në Ballkan.

Por, nëse në Shqipëri zhvillohet një luftë e grupeve radikale islamike (apo të krishtera) kundër shtetit, atëherë kosovarët që do të merrnin eventualisht pjesë në atë luftë në krah të fundamentalistëve a nuk do të ishin terroristë? Nga radhët e “Vetëvendosjes” pati një përpjekje të pashpresë për ta luftuar ligjin duke përmendur si argument pjesëmarrjen e vullnetarëve shqiptarë në Luftën e Spanjës. Ky krahasim nuk qëndron. Antifashizmi i djeshëm nuk mund të merret si argument për të mbrojtur fashizmin e sotëm fetar. Një argument tjetër i paqëndrueshëm ishte përmendja e shqiptarëve që morën pjesë në luftën e Kroacisë. Bekim Berisha, Agim Çeku, Rrahim Ademi e të tjerë janë ose kanë qenë shtetas të Kroacisë, pra kanë mbrojtur vendin e vet, me të cilin janë identifikuar.

Mbështetës gati të verbër të VV-së pretendojnë se anëtarësia e Shqipërisë në NATO nuk paraqet ndonjë garanci, sepse, sipas tyre, NATO-ja nuk e mbrojti Ukrainën. Këtu me apo pa qëllim përzihen ftonjtë me kumbulla. NATO-ja nuk e ka mbrojtur Ukrainën, sepse ky vend nuk është anëtar i NATO-s.

Shqipëria është anëtare e NATO-s, andaj çdo cenim i sovranitetit të saj provokon ndërhyrjen e vendosur të Aleancës Veriatlantike. Duket se Albin Kurti dhe disa mbështetës të tij ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë gjeostrategjike të hyrjes së Shqipërisë në NATO. Kurtit ndoshta i ka shpëtuar lajmi se pas ashpërsimit të krizës në Ukrainë, madje edhe Suedia dhe Finlanda po mendojnë të anëtarësohen në NATO. Pastaj po nënçmohet mbase jo vetëm në “Vetëvendosje” fakti se Shqipëria po fiton rëndësi të re gjeostrategjike me gazsjellësin që do të kalojë nëpër Shqipërinë e Jugut. Jo rastësisht këto ditë në Berlin u prit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Dhe jo rastësisht kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se së shpejti do ta vizitojë Shqipërinë. Me gazin që do të kalojë nëpër Shqipëri, Evropa Perëndimore do të ulë varësinë nga gazi rus.

Ndihma jo aq vëllazërore
Politikanët e Kosovës, përfshirë edhe Albin Kurtin, duhet të merren me punët e Kosovës, për çka kanë marrë mandat nga populli. Dhe t’i lënë përrallat e mëdha. Kosova duhet të ecë rrugës së Kroacisë, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, pra drejt NATO-s dhe BE-së. Këto ditë Kosova bëri një hap të vogël drejt NATO-s, hapa të tjerë duhet të pasojnë.

Nëse dikush e ka problem të pajtohet që Kosova është shtet, le të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme në zonën e Kukësit apo të Tropojës. Nga ana tjetër: vëzhgues bjerraditës nga Tirana e dëmtojnë Kosovën nëse mungesën 100-vjeçare të dashurisë për shtetin e tyre tentojnë ta kompensojnë duke bërë zhurmë tepër të vonshme patriotike për Kosovën. Për “ndihma” të tilla s’ka askush nevojë. Siç nuk kishte nevojë Shqipëria për “ndihmën” e disa kosovarëve trutharë dhënë regjimit të Sali Berishës.

Të kujtojmë pak vitin 1997: nga Perëndimi vinin ca shqiptarë, ithtarë të diktatorit Enver Hoxha, për të mbështetur “kryengritjen legjitime” në jug dhe “revolucionin e vonuar demokratik” (sipas Rexhep Qosjes), ndërsa një grup tjetër kosovarësh e shihnin Sali Berishën si shembull të një demokrati të pagabueshëm. Pastaj më 1998: Berisha përpiqej të bënte puç në Tiranë (edhe me ndihmën e disa kosovarëve), ndërsa në konfliktin e Kosovës i përzienin gishtat elementë stalinistë të mbeturinave të diktaturës komuniste të Tiranës. Këto “ndihma vëllazërore” kanë shkaktuar keqkuptime të mëdha dhe kanë ngjallur paragjykime të ndërsjella. Të gjitha këto përvoja jo të mira të viteve të fundit Albin Kurti duket se nuk i ka parasysh.

Nëse zhvillohet një luftë e drejtë, ta zëmë, në Norvegji apo në Zvicër, dhe nëse në atë luftë rreshtohen aleatët e Kosovës, atëherë Kosova nuk do ta ketë problem rreshtimin në këtë grup, dhe një ligj i tillë (për këtë rreshtim) mund të miratohet për pesë minuta në Parlamentin e Kosovës. Sepse Parlamenti do të ekzistojë edhe më tutje për të miratuar e korrigjuar ligje. Në rast se Shqipëria është në rrezik një ditë, vendimin për të mbështetur apo jo këtë vend e merr Kosova si shtet dhe jo individët e vullnetarët.

Dallimi mes Kosovës së vitit 1999, kur ishte një territor i padefinuar, dhe Kosovës së vitit 2014 është i madh: Kosova është shtet. Tani për tani sa i përket pjesëmarrjes së kosovarëve në luftëra të huaja Prishtina duhet të koordinohet ngushtë me aleatët perëndimorë. Në këtë kuadër nuk qëndron kritika që Kurti, si kryetar i Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, i bëri ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, se gjoja ky i fundit po i nxitka të rinjtë të shkojnë në luftën e Sirisë, pasi paska takuar një delegacion të opozitës siriane. E vërteta është se Hoxhaj ka takuar një delegacion të opozitës, e cila pranohet edhe nga vendet perëndimore dhe nga OKB-ja. Nuk është takuar ministri i Jashtëm i Kosovës me përfaqësues të ISIS, degës militante të “Al-Kaidës”, për të cilën po luftojnë xhihadistët kosovarë.

Konflikti artificial

Në vargun e gabimeve hyn edhe qëndrimi i prerë i Kurtit kundër nxjerrjes para gjyqit të individëve shqiptarë që mund të kenë kryer krime lufte në Kosovë. Sipas tij, shqiptarët kanë bërë luftë të drejtë, andaj s’ka qenë e mundshme të kenë kryer krime.

Sa i paqëndrueshëm është një konstatim i tillë as që ia vlen të elaborohet gjatë. Edhe në Kroaci është menduar kështu për disa vite, derisa politikanë të përgjegjshëm reformuam drejtësinë, e cila i nxori para gjyqit edhe gjeneralët më të famshëm: disa u dënuan, disa dolën të pafajshëm, dhe kështu Kroacia pastroi veten.

Një anomali tjetër e liderit të “Vetëvendosjes” dhe të disa ithtarëve të tij është qëndrimi absurd, refuzues, madje shpesh edhe fyes ndaj simboleve shtetërore të Kosovës. Nuk ka shtet pa simbole shtetërore. Rrethanat si u imponuan simbolet e Kosovës mund të kritikohen, por askush nuk mund të sillet ashtu thua se ato nuk ekzistojnë, duke krijuar një konflikt artificial me flamurin kombëtar. Nuk ekziston konkurrencë mes këtyre simboleve, sepse secili e ka vendin e vet. Shtetësia e Kosovës e siguron qenien shqiptare në Kosovë, nuk e rrezikon.

Nuk ekziston asnjë ndalesë eksplicite për bashkëpunim të Kosovës me Shqipërinë. Pengesat e vetme mund t’i vendosin politikanët e papërgjegjshëm shqiptarë, jo bashkësia ndërkombëtare, e cila duke mundësuar pavarësimin e Kosovës ka përmirësuar një pjesë të madhe të gabimeve që ka bërë 100 vjet më parë në procesin e caktimit arbitrar të kufijve në Ballkan. Nuk ka kapuç që i mbulon të gjitha flokët, aq më pak në Ballkan, një rajon ku kufijtë kanë ndryshuar shpesh gjatë historisë dhe ku shkëmbimet mes popullsive të ndryshme kanë qenë intensive.

Sa u përket bisedimeve me Serbinë, “Vetëvendosje” ka ushtruar shpeshherë kritika thelbësore, por njëkohësisht ka përjashtuar çdo negociatë derisa Serbia nuk sqaron, ta zëmë, fatin e mbi 1000 shqiptarëve të zhdukur. Por, a ka përgjigje “Vetëvendosje” nëse pala serbe me të drejtën e njëjtë pyet se ku gjenden rreth 400 serbë të zhdukur gjatë dhe pas luftës në Kosovë? “Vetëvendosje” do të tingëllonte më e besueshme nëse do të kërkonte që në bisedimet me Serbinë, Kosova të përfaqësohej nga politikanë me kredibilitet, të cilët do t’u jepnin fund aventurave të kryeministrit të tanishëm, i cili duke qenë në krye të një qeverie të ardhur në pushtet kryesisht me vota të vjedhura dhe duke qenë objekt hetimesh ndërkombëtare s’ka legjitimitet të plotë të lidhë marrëveshje në emër të Kosovës.

Talentin e tij politik Albin Kurti do të duhej ta përdorte për veprime të bindshme politike dhe jo për popullizëm. Për demokracinë e zbehtë kosovare nuk do të ishte mirë nëse “Vetëvendosje” mbetet vetëm shfaqje sezonale politike. Nëse shikojmë këtë legjislaturë të Kuvendit të Kosovës, atëherë do të na kujtohen disa fjalime të deputetëve të “Vetëvendosjes” në mbrojtje të resurseve të vendit, në mbrojtje të buxhetit, në kërkim të llogaridhënies, në denoncim të krimit e korrupsionit. Për fat të keq, të gjitha këto po i vë në harresë kokteji i hidhur i Kurtit mes nacionalizmit jashtëkohor, koketimit me xhematin politik islamik dhe rezistencës me çdo kusht ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

[email protected]

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...