Kievi afër nesh

28 Mars 2014 - 09:51 - Enver Robelli      

Përtej krizës ekziston një Kiev tjetër, një vatër inspirimi për shumë shkrimtarë, një kozmos gjuhësh e kulturash, një simbol i historisë

1.
Po të ishte gjallë Sefer Musliu do ta shihnim këto ditë – ndoshta - shpesh në televizionet tona. I lindur në Shkup, i shkolluar në Zagreb, ku edhe u dashurua në profesionin e gazetarit, ai, veç të tjerash, ka lënë disa dokumentarë televizivë me vlerë dhe ca shënime e udhëpërshkrime për shqiptarët e Ukrainës, që u larguan nga Korça e vajtën në Bullgari, ku jetuan rreth dy shekuj, pastaj u vendosën në Ukrainë, ku jetojnë edhe sot. Pjesa më e madhe e tyre janë asimiluar, por nuk kanë harruar ende vendin prej nga vijnë. Nga pak këndojnë shqip e më shumë belbëzojnë, të harruar e të mallkuar nga historia e përgjakshme.

Po të ishte gjallë Sefer Musliu me siguri tani do të shkruante edhe një libër tjetër mbi shqiptarët e Ukrainës, apo ndoshta s’do të mund ta ndalte askush që këto ditë të shkonte në Ukrainë, në rrethinën e Odesës, ku do të kontaktonte sërish njerëzit me të cilët thuri e ndërtoi dokumentarët e tij. Përtej krizës ekziston një Ukrainë tjetër, afër Ballkanit dhe popujve të tij. Afërsia jo vetëm gjeografike është rrjedhojë e historisë: në kohërat e Perandorisë Osmane njerëzit lëviznin e gjenin punë në viset kufitare dhe përtej tyre apo dërgoheshin si ushtarë për të luftuar. Tregimi shqiptar për Ukrainën nuk është i plotë. Gazetari Sefer Musliu i ka hedhur hapat e parë në këtë drejtim.

2.
Beteja për demokraci në Ukrainë ka nisur dhe po zhvillohet në Mejdan, në sheshin kryesor të Kievit, në Sheshin e Pavarësisë. Në shtypin perëndimor fjala Mejdan tashmë përdoret në mënyrë të vetëkuptueshme si kur bëhet fjalë për Kullën e Eiffelit (Paris), Portën e Brandenburgut (Berlin), Pallatin Schönbrunn (Vjenë). Në Mejdan forcat e presidentit plaçkitës Viktor Janukoviq vranë dhjetëra protestues. Në Mejdan më 9 mars, në 200-vjetorin e lindjes, u përkujtua poeti kombëtar ukrainas Taras Shevçenko. Në Mejdan u mbajtën fjalime të zjarrta për demokraci. Në Mejdan vendosën lule politikanë perëndimorë.

Pakkush e di se fjala mejdan është e mirënjohur për popujt e sunduar nga Perandoria Osmane: rrjedh nga gjuha arabe dhe domethënë: shesh i hapur. Nga arabishtja kjo fjalë ka depërtuar përmes osmanishtes në shqip, persisht, armenishte, në gjuhën ukrainase dhe shumë të tjera. Në gjuhën shqipe fjala mejdan përdoret edhe në kontekst dyluftimi: “dolën në mejdan” apo “ndesheshin në mejdan”.

3.
Njëri nga shkrimtarët më të njohur rus rrjedh nga Kievi: Mihail Bulgakovi, autor i romanit “Mjeshtri dhe Margarita”. Vepra është një satirë e pamëshirshme me Bashkimin Sovjetik të viteve ‘30, kur po merrte hov dhuna staliniste. Pas leximit të këtij romani Mick Jagger shkroi këngën “Simpathy for the Devil”. Historiani gjerman Karl Schlögel e ka quajtur romanin e Bulgakovit “ciceronin më të mirë” në botën moskovite të viteve ‘30, ku në mënyrë të pamëshirshme goditen burokracia, servilizmi dhe përulja. Afër Odesës ka lindur edhe poetesha e madhe ruse Ana Ahmatova, e cila një pjesë të jetës së saj e kaloi në Kiev.

Që në moshën 17-vjeçare ajo hoqi dorë nga mbiemri Gorenko dhe mori mbiemrin e gjyshes Ahmatova, e cila ishte tatare. Në poezitë e saj Ahmatova godet terrorin e kuq stalinist dhe pëson rëndë: burri i saj i parë u pushkatua, i biri i saj u arrestua, ndërsa asaj iu ndalua të botojë. Mes viteve 1935-40 Ahmatova shkroi një vëllim poetik mbi anët më të errëta të stalinizmit. “Por, çfarë ka ndodhur, / çarçafët e zinj le ta mbulojnë, / dhe llambat të largohen... / Natë”. Nata staliniste do të zgjaste edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur Ahmatova do të përjashtohej nga Shoqata e Shkrimtarëve për shkak se nuk shkruante në frymën e re optimiste, e cila diktohej nga regjimi komunist. Ahmatova u rehabilitua tek pas vdekjes së Stalinit.

4.
Duke qenë qytet në periferi të Perandorisë Ruse, Kievi ishte pikëtakim kulturash e gjuhësh. Në këtë kozmos një autor e përshkruante realitetin në gjuhën ruse, tjetri në gjuhën ukrainase, jo pak të tjerë shkruanin polonisht apo çekisht. Polaku Jozef Korzeniovski u lind në Ukrainën e sotme qendrore dhe nën ndikimin e babait, i cili kishte përkthyer në polonisht William Shakespearein dhe Victor Hugon, iu përkushtua leximit të letërsisë franceze. Si 17-vjeçar Jozef Korzeniovski shkoi në qytetin bregdetar francez Marseille me dëshirën e madhe për t’u bërë marinar. Pjesa tjetër dihet: në letërsinë botërore Jozef Korzeniovski njihet si Josef Conrad dhe si shkrimtar me origjinë polake që shkroi në anglisht (në shqip janë përkthyer “Zemra e errësirës” dhe “Kufiri i hijes”). Autori çek Jeroslav Hashek shkroi në Kiev versionin e parë të romanit të tij “Ushtari i mirë Shvejk”, i cili është një dokument i rëndësishëm letrar mbi Luftën e Parë Botërore dhe sidomos sivjet, në 100-vjetorin e shpërthimit të kësaj lufte, vepra gëzon aktualitet të sërishëm. Në shqip romani u përkthye në fillim të viteve ‘60 në Tiranë dhe u ribotua nga “Rilindja” në Prishtinë më 1982.

5.
Kjo trashëgimi e pasur letrare e Ukrainës sot përfaqësohet nga autorë të njohur edhe në Perëndim si Juri Andruhoviq, i cili në vitin 2006 u shpërblye me çmimin për “Mirëkuptim Evropian”, që ndahet nga Panairi i Librit në Leipzig. Në romanin e tij “Moskoviada” Andruhoviq i kundërvihet dominimit rus me ton satirik si dikur Bulgakovi terrorit stalinist. Andruhoviq shkruan: “Siç e dinë ata nga historia jonë heroike deportimi është mjet i mrekullueshëm kundër çdo problemi kombëtar. Duke e mbështetur idenë e shpërnguljes masive të popujve, ne përkrahim krijimin e kombeve dhe popullsive kimeriane me emra aq të çoroditur, saqë atyre u vjen turp edhe nga vetvetja: rosijakë, ukralianë, rumanologë, poshtëbajxhanë”. Në vetëdijen kombëtare ukrainase, së cilës i referohet këtu Juri Andruhoviq, është e ngulitur thellë fjala “Holdomor”, një aksion gjenocidal i Stalinit për nënshtrimin e popullsisë përmes urisë në vitet ‘30. Sipas studimeve më të reja, nën këtë valë terrori në Ukrainë vdiqën rreth 3,5 milionë njerëz.

Stalini kishte një ëndërr: kolektivizimin, shpronësimin dhe dekulakizimin e shoqërisë fshatare (në Rusinë e shekullit 19, kulakë quheshin bujqit e pasur, të cilët Stalini i plaçkiti brutalisht në emër të krijimit të barazisë shoqërore). Ky model u kopjua më vonë edhe në Shqipëri – me rezultatet e ditura.

[email protected]


© KOHA.net

 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...