Dy gra në kulmin e botës

14 Korrik 2016 - 08:23 - Enver Robelli      

A është bota më e mirë apo më e keqe nëse qeveriset nga gratë? Kjo pyetje është e parëndësishme. Me rëndësi, ndërkaq, është që me zgjedhjen e Hillary Clinton në vjeshtë si presidente e SHBA-së, dy gra (Angela Merkel dhe Hillary Clinton) do të jenë njerëzit më të fuqishëm të botës.

Ne sot habitemi dhe zemërohemi që gratë në Arabinë Saudite e kanë të ndalur të drejtojnë automjetet, të udhëtojnë pa një përcjellës (në rastin më të mirë përcjellës duhet të jetë burri apo babai), të martohen sipas preferencës së tyre, të divorcohen me të drejta të plota si burrat, të punojnë pa marrë pëlqimin e burrit, të duken në opinion pa shami, të notojnë të veshura me bikini dhe jo me burkini, të jenë të barabarta sa i përket trashëgimisë së pasurisë familjare.

Por edhe në botën perëndimore nuk është e largët koha kur gratë shiheshin vetëm si shërbëtore. Në Zvicër tek në vitin 1971 burrat u treguan «zemërgjerë», duke u dhënë grave të drejtën e votës. Por vendimi nuk vlente për tërë territorin e Zvicrës. Burrat kryeneçë të kantonit Appenzell tek në vitin 1990 u pajtuan që gruaja nuk e ka vendin vetëm te shporeti, por edhe kudo tjetër në jetën publike, përfshirë edhe vendimmarrjen në kutinë e votimit. Në Gjermaninë e kancelarit Ludwig Erhard (në vitet’60) gratë e kishin të ndaluar të punonin pa lejen e burrit. Një grua e pamartuar që ishte shtatzënë, humbte vendin e punës. Gratë duhej t’ia jepnin rrogën burrit, ai vendoste për hapjen e xhirollogarisë dhe për mbylljen e saj. Ligji që ua ndalonte grave të punonin pa lejen e burrave u shfuqizua tek në vitin 1977 nën kancelarin Helmut Schmidt.

Prejse është kurdisur dynjaja gratë kanë qenë të nënshtruara dhe të poshtëruara, ato janë përshkruar si të paafta në krahasim me burrat, madje ka pasur edhe përpjekje aspak burrërore që me manipulime pseudoshkencore të dëshmohet se gratë «për nga natyra» janë mendërisht të prapambetura.

Që kjo është një marrëzi e madhe dihet jo vetëm prejse një grua nga Polonia, Marie Curie, më 1903 mori çmimin “Nobel” për fizikë dhe më 1911 “Nobelin” për kimi. Për aq kohë sa gratë ishin aktive në shkencë, në arsim, në kujdesin shëndetësor, burrat pajtoheshin disi. Por sedra e tyre primitive lëndohej kur gratë përpiqeshin të depërtonin në atë që quhet jetë publike dhe politike, aty ku merren vendime për të tashmen dhe të ardhmen.

«Deri më tani ka pasur 44 presidentë amerikanë. Të gjithë burra. 337 vjet me radhë një burrë ka pasuar tjetrin. Disa nderohen si shenjtorë. Fytyrat e tyre të gdhendura në gur shikojnë vendin si perëndi nga malet e South Doakotas. Nëse më 8 nëntor Hillary Clinton i fiton zgjedhjet, ajo do të jetë presidentja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për herë të parë prejse sillet toka njeriu më i fuqishëm i botës do të ishte një grua», shkroi së fundi gazeta gjermane «Die Zeit». Autorja e artikullit tregonte se si në vitet ’70 një shoqe e saj në Berlin kishte refuzuar të udhëtonte me një autobus të drejtuar nga një femër – për të kjo ishte diçka që s’mund të merrej me mend. Një grua në timon? E pabesueshme!

E pamundshme!

Jo vetëm politikanët e shihnin barazinë gjinore si problem. Edhe krerët fetarë kanë përfytyrime dhe mendime shumë speciale për gratë. Në rastin më të mirë ato ishin shërbëtore, porse kryesisht ato shfrytëzoheshin si skllave në të gjitha aspektet. Në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Edhe Bibla duket se është shkruar prej burrave për burra. Lutja kryesore u referohet vetëm burrave. Ngjashëm është edhe në islam dhe në judaizëm. Në të gjitha fetë monoteiste gruaja e bart barrën e fajit dhe të mëkatit, ndërsa burri filozofon nën hijen e mollës. Evës i thuhet të lindë fëmijë duke duruar dhimbjet, vullneti i saj duhet t’i nënshtrohet burrit, i cili duhet të sundojë mbi të. Një mendësi e tillë vazhdon të jetë e pranishme edhe sot në disa vende të botës.

Në këtë drejtim bota perëndimore ka bërë disa hapa përpara. Ka disa vjet që kancelarja gjermane Angela Merkel konsiderohet politikania më e pushtetshme në botë. A është bota më e mirë apo më e keqe nëse qeveriset nga gratë? Kjo pyetje është e parëndësishme, sepse mund të vlejë edhe për burrat. Me rëndësi, ndërkaq, është që me zgjedhjen e Hillary Clinton në vjeshtë si presidente e SHBA-së, dy gra (Angela Merkel dhe Hillary Clinton) do të jenë njerëzit më të fuqishëm të botës.

Përtej pyetjes nëse gratë bëjnë politikë më të mirë, e qartë është se gratë bëjnë politikë tjetër. Për dallim nga bota burrërore e testosteroneve dhe muskujve, e krenarisë shpeshherë të rrejshme dhe e mburrjes pa bazë, gratë bëjnë politikë tjetër. Më racionale. Fizikania Merkel, për shembull, qeveris si në kabinetin e fizikës: ftohtë, pa fjalë të mëdha, me vendime mundësisht joideologjike. Ngjashëm ka vepruar edhe Hillary Clinton sa ishte ministre e Jashtme, madje me një sens për humor, për shembull kur gjatë hyrjes në Pallatin Elyseé bashkë me presidentin Nicolas Sarkozy asaj i kishte rrëshqitur nga këmba këpuca me take - dhe këtë aksident e kishte marrë me lehtësi shumë sportive.

Ngjashëm zonja Clinton ka vepruar deri më tani edhe në fushatën elektorale, kur provokimeve të njëpasnjëshme të Donald Trumpit i është përgjigjur ftohtë dhe me argumente. Kjo duket të jetë strategjia e duhur kundër Trumpit, i cili fushatën për zgjedhje presidenciale e sheh si ereksion kombëtar kundër establishmentit.
[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...