Kamxhiku zviceran për të huajt

28 Janar 2016 - 08:21 - Enver Robelli      

Qytetarët e huaj të lindur në Zvicër mund të dëbohen edhe nëse kanë kryer delikte relativisht të lehta. Kështu kërkon Partia Popullore e Zvicrës (SVP), e cila tashmë prej vitesh zhvillon një fushatë të egër kundër të huajve, sidomos shqiptarëve. Në fund të shkurtit votuesit do ta thonë fjalën e tyre në referendum.

I.
Artani është 28-vjeçar. Ai ka lindur në Zvicër, është shkolluar dhe socializuar këtu, prej vitesh punon në një zyrë auditimi në Zürich. Artani shkon një herë në vit në Kosovë, ku përveç disa kushërinjve nuk njeh askënd. Familja e ngushtë e Artanit jeton në Zvicër. Artani ka lejeqëndrim të përhershëm në Zvicër. Ai ka mundur ta merrte edhe pasaportën zvicerane, por me gjasë nga dembelia nuk ka aplikuar, fundja, me lejen e qëndrimit në Zvicër, ai mund të udhëtojë pa vizë në çdo shtet të Schengenit.

Para pesë vjetësh Artani është ndalur nga policia, e cila me radar ka konstatuar se ai ka ngarë veturën 50 kilometra në orë në një zonë trafiku, ku shpejtësia është e kufizuar në 30 kilometra në orë. Vitin e kaluar Artani në një diskotekë i ka shitur një personi pak mariuanë – sa për të mbështjellë një «joint». Edhe kësaj radhe Artanin e ka ndalur policia. Shumë shokë zviceranë të Artanit janë kapur nga policia pas delikteve të tilla dhe pasi kanë vuajtur dënimin apo paguar gjobën janë liruar. Meqë Artani i ka kryer dy deliktet e tij brenda dhjetë vjetësh, ai duhet ta braktisë Zvicrën.

Kështu kërkon Partia Popullore e Zvicrës (SVP) dhe kështu mund të jetë në të ardhmen nëse më 28 shkurt votuesit zviceranë miratojnë një iniciativë përkatëse të kësaj partie. Atëherë të huajt si Artani do të dëbohen automatikisht edhe për shkak të delikteve të lehta apo relativisht të lehta. Një nen përkatës do të futej në Kushtetutën e Zvicrës dhe do ta bënte «Iniciativën për zbatim të dëbimit» kategori kushtetuese. Iniciativa e SVP-së, e cila prej vitesh zhvillon një politikë brutale kundër të huajve (dhe sidomos shqiptarëve), nuk parasheh një klauzolë, e cila do të mundësonte që drejtësia të shqyrtonte rastet kur dëbimi paraqet goditje të rëndë për personin. Masa aq të ashpra kundër të huajve nuk parashihen në asnjë shtet të Evropës Perëndimore.

Në botën reale situata është kështu: gjatë Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos javën që shkoi disa ushtarë zviceranë u zbuluan se kanë konsumuar mariuanë, madje kishte dyshime edhe për kokainë. Ata do t’i nënshtrohen ligjit, por nuk mund të dëbohen nga Zvicra, sepse janë shtetas zviceranë. Artani, ndërkaq, mund të jetë viktimë e kuteve të ndryshme të drejtësisë.

II.
Në vitin 2010 SVP kishte arritur të siguronte mbështetjen e popullit zviceran për iniciativën për dëbim. Kjo iniciativë thotë se të huajt e dënuar për një delikt të rëndë (vrasje, dhunim, plaçkitje, tregti me njerëz, keqpërdorim të ndihmave sociale) humbin të drejtën e qëndrimit në Zvicër. Parlamenti i Zvicrës e ka shndërruar këtë iniciativë në ligj, duke e inkorporuar brenda tij një klauzolë për rastet e rënda. Ligji kërkon që në raste individuale gjykatësit të ndalojnë dëbimin e një personi të huaj nga Zvicra, për shembull nëse ai është i lindur në Zvicër dhe nëse nuk ka ndonjë lidhje të ngushtë me vendin prejardhës.

Partia djathtiste SVP është kundër çdo përjashtimi dhe kundër çdo klauzole që do të mundësonte që një delikuent i huaj të qëndronte në Zvicër. SVP-ja thotë se vullneti i popullit është që çdo i huaj që kryen delikt të dëbohet pa asnjë kompromis. Andaj SVP-ja ka ndërmarrë hapin e radhës dhe ka mbledhur mjaft nënshkrime për të mundësuar referendumin për zbatimin e dëbimeve.

Për lexuesit nga komuniteti shqiptar në Zvicër, të cilët kanë shtetësi zvicerane dhe mund të votojnë dhe ta luftojnë këtë nismë, titullin e iniciativës së SVP-së po e japim në tri gjuhë të vendit: «Eidgenössische Volksinitiative <Zur Durchsetzung der Ausschaffung krimineller Ausländer (Durchsetzungsinitiative)>», «Initiative populaire fédérale <Pour le renvoi effectif des étrangers criminels (initiative de mise en oeuvre)>», «Iniziativa popolare federale <Per l’attuazione dell’espulsione degli stranieri che commettono reati (Iniziativa per l’attuazione)>».

III.
Anketat e deritanishme tregojnë se shumica e votuesve zviceranë e përkrahin iniciativën e SVP-së. Nëse iniciativa miratohet, atëherë Zvicra mund të ballafaqohet me probleme në arenën ndërkombëtare sa i përket respektimit të së drejtës ndërkombëtare. Për këtë SVP nuk merakoset fare. Kjo parti që nga fillimi i viteve ‘90 zhvillon një fushatë agresive kundër Bashkimit Evropian, kundër institucioneve ndërkombëtare si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kundër OKB-së (në vitin 2002 SVP e ka kundërshtuar anëtarësimin e Zvicrës në OKB, por ka dështuar, ngase shumica e votuesve në referendum ishin për anëtarësim).

Në zgjedhjet e fundit SVP-ja sërish doli partia e parë dhe nga dhjetori në qeverinë e re të Zvicrës ka dy ministra (nga gjithsej shtatë). Zvicra që nga viti 1959 qeveriset sipas «formulës magjike», që domethënë: katër partitë kryesore të vendit janë të përfaqësuara në qeveri.

IV.
Agresiviteti me të cilin SVP-ja zhvillon fushatë kundër Bashkimit Evropian, falë tregut të të cilit Zvicra përfiton pafund, gjuha agresive kundër rivalëve politikë, aksionet populiste kundër të huajve kanë prodhuar një klimë tejet të pakëndshme politike në Zvicër. Prej vitesh SVP-ja përpiqet jo pa sukses të fitojë ndikim edhe në media – sidomos në shtyp. Njëkohësisht kjo parti atakon gati pandërprerë televizionin dhe radion publike të Zvicrës, duke i quajtur majtiste. Fushata permanente elektorale, provokimet, thyerja e tabuve i sigurojnë SVP-së prani gati të përhershme në mediume. Pas fitores në zgjedhje duket se nuk ka më as prag moral.

Gazetari Roger Köppel, pronar i revistës «Weltwoche», i cili është zgjedhur deputet i SVP-së, në një editorial e ka paraqitur si të padëmshëm Hermann Göringun, numrin dy të regjimit të Hitlerit. Göring, sipas deputetit të SVP-së, nuk ishte «as përbindësh, as djall». Në Gjermani një shkrim i tillë do të shkaktonte skandal nacional. Në Zvicër jo. Disa gazetarë që ende kanë dinjitet profesional e kanë tematizuar këtë rrëshqitje, por me kaq skandali ka marrë fund. Nga kjo frymë agresive ka lindur edhe iniciativa për dëbimin e të huajve që bien në konflikt me ligjin.

V.
Ditëve të fundit vërehet një mobilizim i Zvicrës përparimtare kundër iniciativës së SVP-së. Mbi 200 figura të njohura nga kultura, shkenca, kisha, ekonomia, tre ish-ministra kanë nënshkruar një «apel urgjent» për të kundërshtuar «iniciativën çnjerëzore të SVP-së». Nënshkruesit e apelit theksojnë se iniciativa e SVP-së i dallon njerëzit vetëm në bazë të pasaportës dhe jo në bazë të situatës së tyre, andaj ajo «është barbare».

Në vazhdim të apelit thuhet: «Kush angazhohet për drejtësi në Zvicër dhe për barazi para ligjit, kush dëshiron të jetojë dhe punojë në liri dhe bashkë edhe me pjesëtarë të kombeve të tjera, kush e sheh Zvicrën si pjesë të botës së civilizuar, duhet të votojë kundër iniciativës për zbatim të dëbimit». Miratimi i kësaj iniciative, sipas nënshkruesve të apelit, do ta suspendonte shtetin juridik në Zvicër.

Në mesin e nënshkruesve janë arkitektët e famshëm zviceranë dhe të njohur në arenën ndërkombëtare: Mario Botta, Jacques Herzog dhe Pierre de Meuron, artistja me famë botërore Pipilotti Rist, ipeshkvit e Baselit dhe St. Gallenit, shkrimtarët Martin Suter, Peter Bichsel, Pedro Lenz dhe Peter von Matt, presidenti i kompanisë ajrore “Swiss”, Bruno Gehrig, presidenti i kompanisë “Lonza”, Rolf Soiron, dhe tre ish-ministra – Pascal Couchepin, Ruth Dreifuss dhe Elisabeth Kopp. Kundër iniciativës janë deklaruar edhe aktivistët sindikalë shqiptarë. Në një artikull botuar në gazetën «Tages Anzeiger» ish-gjykatësi i Gjykatës Federale të Zvicrës, Niccolò Raselli, shkruan: «Në referendumin mbi të ashtuquajturën iniciativë për dëbim nuk bëhet fjalë nëse personat që bien në konflikt me ligjin mund të qëndrojnë në Zvicër, por çështja është nëse atyre edhe më tutje u takon e drejta që së paku të dëgjohet mendimi i tyre nëse ballafaqohen me sanksionin e dëbimit nga vendi dhe nëse edhe më tutje mund të shqyrtohet a është rasti aq i rëndë për personin, saqë si përjashtim arsyeton një qëndrim të mëtutjeshëm të tij në Zvicër.

Automatizmi i paraparë nga iniciativa për dëbim, i cili është i pavarur nga niveli i fajit, respektivisht lartësia e dënimit, është çnjerëzor, madje barbar. Nga kjo na shpëton vetëm refuzimi i kësaj iniciative». Po u miratua kjo iniciativë, Zvicra dhe zviceranët do t’i bien murit me kokë, shkruante së fundi gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Iniciativa mund të ketë edhe një efekt të kundërt: shumë të huaj që deri më tani kanë përtuar t’i hyjnë procedurës për marrjen e shtetësisë, tani mund ta bëjnë këtë në mënyrë që një ditë të mos gjenden në situatë të pakëndshme dhe të detyrohen të largohen nga Zvicra për shkak të delikteve relativisht të lehta. Për delikte të rënda, kuptohet, askush nuk ka mirëkuptim dhe autorët e tyre duhet të ndiejnë krejt ashpërsinë e ligjit.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...