26 Shkurt 2015 - 08:21 - Enver Robelli
Kosova ka një kryeprokuror të ri. Këshilli Prokurorial e ka emëruar në këtë post Aleksandër Lumezin, i cili deri më tani ka qenë i njohur në opinion si prokuror në nivel të Komunës së Prishtinës dhe në Gjykatën e Apelit. Që të marrë postin ai duhet të dekretohet nga presidentja. Lumezi është i pari kryeprokuror i Kosovës, i cili nuk ka qenë i kyçur në sistemin e drejtësisë të kohës së komunizmit. Pa dyshim se në atë sistem ka pasur edhe prokurorë dhe gjyqtarë relativisht seriozë, por një pjesë e madhe e tyre – në mos shumica - kanë qenë në shërbim të aparatit represiv.
Paraardhësit e Lumezit në postin e kryeprokurorit të Kosovës nuk janë shembuj për luftimin e korrupsionit, krimit dhe delikteve të tjera. Disa prej tyre ishin të lumtur që pushteti i ri i “kumanirave” i la rehat, madje edhe i akomodoi në sistemin e drejtësisë me kusht që të heshtin, të marrin një rrogë të majme për rrethanat kosovare dhe të kujdesen për privilegjet e veta. Dy paraardhës të Lumezit – Ismet Kabashi dhe Sylë Hoxha – sipas ligjit për privilegje të zyrtarëve të lartë marrin rroga të përjetshme, kanë shoferë, truproja, zyra. Mbetet të shihet nëse Lumezi do të vazhdojë rrugën e tyre. Mbetet të shihet po ashtu nëse Lumezin do ta gjejmë gjatë ditës më shumë në zyrë duke përgatitur aktakuza apo më shpesh në kafehanet e Prishtinës. Pa dashur t’i përzihemi në jetën private, por do të jetë me rëndësi se me çfarë tipa biznesmenësh eventualisht do të shoqërohet edhe në kafehane.
“Biondina e presidentit” në burg
Lumezi para se të marrë detyrën do të ishte mirë të shkonte për vizitë së paku njëjavore në Rumani. Në këtë vend anëtar të BE-së drejtësia më në fund ka nisur një fushatë të gjerë kundër politikanëve të korruptuar. Siç njoftojnë mediet ndërkombëtare, kryeprokurorja rumune Laura Kovesi është duke akuzuar çdo ditë mesatarisht nga katër persona për krime të ndryshme, më së shpeshti për ryshfetmarrje, plaçkitje të arkës shtetërore, manipulime tenderësh. Figura të njohura dhe të panjohura po futen në burg, duke rritur besimin e njerëzve se ndërtimi i një shteti funksional është i mundshëm.
Ish-ministra, magnatë mediesh, gjyqtarë, prokurorë po goditen nga sëpata e mprehtë e drejtësisë. Prangat në duar së fundi iu vunë edhe Elena Udreas, e njohur si “biondina e presidentit”, që në fakt tani mund të përshkruhet si “biondina e ish-presidentit” Traian Basescu. Udrea, 41-vjeçare, ka qenë ministre e Turizmit dhe dyshohet të ketë marrë ryshfet rreth gjysmë milioni euro. Agjencia rumune për luftimin e korrupsionit DNA ka vënë në shënjestër edhe nënën, motrën dhe dhëndrin e kryeministrit Vicor Ponta, i cili po ashtu dyshohet të jetë i korruptuar. Mesazhi është i qartë: askush nuk është i paprekshëm! Vetëm vitin e kaluar DNA i ka nxjerrë para gjyqit 1138 figura publike në Rumani. Deri më tani DNA ka dënuar 23 parlamentarë, 15 ministra, mbi 100 kryetarë qytetesh, 50 gjyqtarë dhe një ish-kryeministër.
Nuk është se lufta kundër korrupsionit në Rumani ka filluar tani, por intensiteti i shtuar është zhvillim i ri dhe kjo lidhet me zgjedhjen e presidentit Klaus Johannis, i cili është pjesëtar i pakicës gjermane. Johannis është zgjedhur nga shumica e rumunëve pasi është politikan me duar të pastra dhe ka premtuar se do ta çrrënjosë korrupsionin, i cili mund të konsiderohet kanceri i Rumanisë. Me zgjedhjen e Johannis është dobësuar deri diku edhe mafia e dy partive të mëdha – konservatorëve dhe socialdemokratëve, të cilët sa i përket korrupsionit nuk dallojnë shumë. Edhe kjo është një paralele që të kujton Kosovën, ku ende karteli i korrupsionit i dy partive të mëdha është dominues.
Për fat të keq Rumania ende ngurron të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe ka gjasa që nuk do të lejonte një vizitë në Bukuresht të kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Por, përse të mos provohet realizimi i një vizite dhe zhvillimi i takimeve me kolegë rumunë nga sektori i drejtësisë? Kosova mund të mësojë shumë nga shtetet perëndimore, por edhe më shumë nga vendet që ballafaqohen me të njëjtat probleme sa i përket korrupsionit, ndikimit të partive në sistemin gjyqësor, mbrojtjen e dëshmitarëve, transparencën në dhënien e tenderëve etj. Rumania është kritikuar viteve të fundit përherë nga Brukseli mbi luftën e dobët kundër korrupsionit. Pas fushatës së fundit nga Brukseli janë dëgjuar zëra lavdërues. “Rumania është në rrugë të duhur dhe duhet të vazhdojë në këtë rrugë”, tha nënkryetari i parë i Komisionit Evropian, Frans Timmermans.
Njehsorët e vjedhjes
Kosova ende nuk është në rrugë të duhur. Mënyra se si pseudoelitat e kanë futur nën kontroll ekonominë, u kanë siguruar monopole klaneve familjare apo rajonale, i kanë infiltruar ndërmarrjet publike me militantë, i kanë zaptuar resurset shtetërore - paraqet vetvetiu një krim të madh. Lufta kundër këtij sistemi me elemente mafioze është detyrë e prokurorëve të Kosovës. Atyre duhet t’u prijë vetë kryeprokurori nëse dëshiron të mbetet në kujtesë të kosovarëve jo vetëm si vizitor ekspozitash (për çka ai ka plotësisht të drejtë), por edhe si shtyllë e rëndësishme e funksionimit të shtetit. A mund të besojë kryeprokurori se shitja e rrjetit për shpërndarjen e energjisë elektrike është bërë me metoda të pastra? Ose dhënia me koncesion e aeroportit, të cilit - për ta njollosur çdo ide çlirimtare - pushteti i “kumanirave” ia ka vënë emrin Adem Jashari. Në fakt emri i vërtetë i këtij aeroporti është “porti ajror i mafisë politike kosovare”.
Për çdo ditë jemi dëshmitarë të raportimeve në media mbi afera të ndryshme të korrupsionit. Rasti i fundit janë njehsorët e KEDS-it, që supozohet të jenë të manipuluar. Përmes tyre dyshohet se po plaçkiten qytetarët e Kosovës, buxheti i të cilëve është ndër më të ulëtit në Evropë. A do t’i mbyllë sytë prokurori edhe para skandaleve të tilla? Nuk mund ta paragjykojmë tani, por presioni i opinionit duhet të shtohet që Lumezi ta arsyetojë postin. Ndryshe më mirë të vazhdonte mospunën Sylë Hoxha. Kosova ka shpresë vetëm nëse forcohet sistemi i drejtësisë. Kjo arrihet po qe se të gjithë shtetasit vetëdijesohen se shteti është i tyre dhe jo i keqbërësve.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...