“Shok” dhe shanset e Kosovës

3 Mars 2016 - 08:13 - Enver Robelli      

Aty ku nuk përzihet dora e ndyrë e pushtetit, kosovarët kanë sukses. Dhe jo çfarëdo suksesi. Filmi «Shok» është një shembull.

Si milet euforik, si shoqëri që fluturon shpejt edhe pas lajmeve të paverifikuara, shqiptarët lehtë u besojnë premtimeve të mëdha apo shpresave të rrejshme. Ndryshe nuk mund të shpjegohet që në këtë vend marrin vota parti që thonë: «Do të hapim 200 mijë vende pune». Ndërsa partia tjetër thotë: «Ne do t’i hapim 120 mijë vende pune».

Me sjelljet e tyre, me poshtërsitë e tyre, me aferat e tyre, me skandalet e përditshme, me kumtesat e shkruara me vokabular stalinist dhe me perversitet gjuhësor të nivelit të Sejdo Bajramoviqit, pashallarët e LDK-së, për shembull, janë model që në opinion zgjon vetëm neveri. Për atë modelin tjetër, modelin e grabitjes me kosë e kallash, nuk duhet humbur shumë fjalë: ai është model që qytetarëve të Kosovës ua tregon gishtin e mesëm dhe tallet me ta me cinizëm të pashoq.

Por në këtë shoqëri ka edhe një eufori tjetër, pozitive. Kjo është parë ditëve të fundit – ose më saktë: prej se u bë e ditur se filmi «Shok» do të jetë në konkurrencën e ngushtë për të fituar çmimin prestigjioz “Oskar”. Vetë hyrja e një filmi kosovar në këtë konkurrencë aq të rëndësishme ndërkombëtare, tregon sa Kosova ka një shoqëri të re dhe rrjedhimisht dinamike, e cila mund të krijojë një imazh të ri, pozitiv, për dallim nga imazhi i politikanëve që sundojnë këtë vend, që përshkruhen nga shërbimet perëndimore si urdhërdhënës të vrasjeve, keqpërdorues të fondeve, dilerë droge, kontrabandistë të ndryshëm e trafikantë shpirtrash.

Kundër këtij imazhi qëndron imazhi i dy fëmijëve simpatikë nga Prishtina që parakalojnë në qilimin e kuq në Hollywood. Kundër këtij imazhi qëndrojnë e punojnë regjisorë, aktorë, prindër, entuziastë. Duket i kuptueshëm dëshpërimi i shumë kosovarëve që filmi «Shok» s’arriti të marrë çmimin më prestigjioz të kinematografisë botërore. Por mund të merret me mend se si do ta kishin përvetësuar këtë si sukses të tyre politikanët që s’dinë të menaxhojnë as profilin e tyre në “Facebook” apo të akuzuar për vepra monstruoze dhe për trajtimin e Kosovës si çiflig. Aktorët e mirë që e çuan emrin e Kosovës në Hollywood do të na befasojnë edhe në të ardhmen, atëherë kur Kosova do të jetë vend normal dhe shtet funksional.

Jo vetëm suksesi i filmit «Shok» tregon se aty ku nuk përzihet dora e ndyrë e pushtetit, kosovarët kanë sukses. Dhe jo çfarëdo suksesi.
Shembulli tjetër i suksesit, krahas ekipit të filmit «Shok», është Majlinda Kelmendi. Nëse «Shok» nuk ka arritur të fitojë çmimin “Oskar”, xhudistja kosovare ka fituar të gjithë oskarët e mundshëm në këtë sport. Në këtë rrugëtim ajo nuk ka pasur ndonjë mbështetje për të thënë nga ana e institucioneve të Kosovës, ku lulëzon nepotizmi e injoranca. Andaj, nuk ka arsye të befasohemi që Majlinda Kelmendin nuk e pret askush nga zyrtarët e shtetit në aeroportin e Sllatinës, pasi u kthye nga Parisi, ku fitoi medaljen e artë të radhës.

Ky pushtet nuk investon në sport e kulturë, në arsim dhe në zhvillimin e mendjes kritike. Sepse një investim i tillë do të prodhonte qytetarë me mendje kritike. Mendja kritike, mendja që dyshon dhe nuk vrapon me eufori pas çdo rrene të pushtetit, një ditë mund të jetë e rrezikshme për vetë pushtetin, sepse do të kërkojë që Kosovën ta përfaqësojnë njerëz me kredibilitet publik dhe etikë njerëzore. Por edhe në këto rrethana gati të pamundshme nga Kosova dalin talente që korrin suksese kudo në botë.

Edhe më të mëdha janë sukseset e Rita Orës, e cila ka pushtuar toplistat e muzikës dhe ka kënduar para presidentit Barack Obama në një festë për Krishtlindje. Një yll i ri në horizontin e muzikës është Dua Lipa. Fama e saj po përhapet gjithkund. Së fundi ajo ishte mysafire në Swiss Music Avards dhe u bë temë mediale në Zvicër. Rita dhe Dua kanë arritur suksese në një shoqëri të lirë, në një shoqëri që stimulon talentin – larg Kosovës. Megjithatë, ato sa herë që u jepet mundësia bëjnë diçka të mirë për të lartësuar emrin e Kosovës, atë emër të përlyer me gjakftohtësi kriminale nga «kumanirat» dhe shërbëtorët e «kumanirave».

Shembulli tjetër janë futbollistët shqiptarë në Zvicër. Duket e pabesueshme, por kjo është e vërteta: prej 200 mijë shqiptarëve të Zvicrës kanë dalë gati dy ekipe kombëtare të futbollit. Gati gjysmën e kombëtares së Zvicrës e përbëjnë shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia shqiptare. Njëjtë është puna edhe me kombëtaren e Republikës së Shqipërisë, ku kosovarët dominojnë ashiqare jo vetëm me talent. E si është e mundshme një gjë e tillë? Përgjigjja është kjo: investimi në sport, investimi në talente, investimi në një shoqëri më të shëndoshë, krijimi i kushteve të mira në infrastrukturën sportive, angazhimi vullnetar i shumë qytetarëve në trajnimin e të rinjve.

Për diçka të tillë ka nevojë Kosova. Për këtë nuk mjafton vetëm mobilizimi në “Facebook”, por edhe angazhimi konkret për një Kosovë tjetër, e cila është e mundshme. Për një shoqëri aq të re, aq dinamike si kjo e Kosovës, është e turpshme të ketë në krye të shtetit pleq të rrjedhur dhe gojëndyrë apo hajdutë të maskuar me kostume të aktorëve që luajnë në filma të mafies. «Shoku» është shans edhe për të ndryshuar mentalitetin e të kuptuarit të shtetit.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...