Aleanca e dëmshme me fansat nacionalistë kroatë

13 Tetor 2016 - 08:39 - Enver Robelli      

Përkrahësit e Kombëtares së Futbollit të Kosovës i bëjnë dëm jo vetëm sportit, por edhe Republikës sonë të re, duke iu bashkuar brohoritjeve raciste të fansave kroatë. S’kemi nevojë t’i fusim vetes ferrë në këmbë të shëndoshë.

Janë thënë gati të gjitha për ndeshjen mes Kosovës dhe Kroacisë në Shkodër. Humbja ishte e thellë dhe e dhimbshme për futbollistët kosovarë. Por kjo humbje nuk është fundi i botës. Plot shtete kanë kaluar edhe më keq në gara ndërkombëtare të futbollit dhe nuk është bërë hataja. Për fat të keq disa shqiptarëve të Kosovës, që hiqen si nacionalistë, disfata në Shkodër u shërbeu për të dredhur kusi me cinizëm. Në rrjetet sociale shprehej një cinizëm i paparë, thuhej, për shembull, se Kosova nuk mund të fitojë në futboll për aq kohë sa e ka “flamurin e Kosova Petrolit”, ekzistenca e një ekipi kombëtar të futbollit të Kosovës shihej si atak kundër kombit shqiptar, sepse, sipas kësaj logjike të mbrapshtë, shqiptarët e kanë të garantuar suksesin vetëm me shqiponjën dykrerëshe.

Po të ishte ashtu Shqipëria që nga viti 1912 do të bëhej së paku dy herë kampione e botës dhe tri herë e Europës. Sot është shumë lehtë të shpërndahen pallavra – falë mediave sociale, aty ku nuk ka redaktor, i cili të thotë: “Jo, ky budallallëk nuk mund të publikohet”.
Cinizmi dhe dashakeqësia kundër ekipit nacional të futbollit të Kosovës janë një shembull edhe i mungesës së respektit për të gjithë ata njerëz që janë sakrifikuar për Republikën e Kosovës. Është tallje me një lëvizje gjithëpopullore për liri që kulmoi me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Dhe të tallesh me shtetësinë e Kosovës në vitin 2016 domethënë të tregosh se nuk ke qenë serioz as në vitin 2008, kur ke duartrokitur për shpalljen e pavarësisë. Qytetarët e Kosovës duhet të kundërshtojnë këto tendenca, sepse përqeshja e shtetit të Kosovës nuk do t’i bëjë kosovarët më të respektueshëm as në Tiranë, e lëre më në Beograd.

Liderët politikë dhe fetarë të Serbisë po thonë pikërisht këtë që po llomotisin edhe axhaminjtë pseudonacionalistë të Prishtinës: “Kosova është shtet i rrejshëm”. Nëse qenka i rrejshëm përse merrni rroga nga buxheti i këtij shteti? Përse kërkoni vota nga Kamenica në Deçan? Ekzistenca e shtetit të Kosovës nuk e dëmton, por e forcon pozitën e shqiptarëve në Ballkan. Ata që mendojnë se duhet zhbërë pavarësinë në emër të bashkimit të “trojeve tona”, duhet ta kenë të qartë se kjo nënkupton ndarjen territoriale të Kosovës dhe shndërrimin e së paku gjysmë milioni banorësh të Kosovës ose në refugjatë, ose në shtetas të Serbisë. Sepse të mendosh se bashkësia ndërkombëtare do të duartrokasë kur në Leposaviq të vendosen policët shqiptarë me uniforma me shqiponjë, është axhamillëk politik.

Po aq axhamillëk është kur përkrahësit e Kombëtares së Futbollit të Kosovës lidhin besën me fansa fashistë kroatë dhe gërvallen e thërrasin për “vrasje të serbëve”. Kështu vepruan disa fansa kosovarë në Shkodër, të cilëve u dukej atraktive aleanca me “vëllezërit kroatë”. Që të jetë e qartë një herë e përgjithmonë: përkrahësit e Kombëtares së Futbollit të Kosovës i bëjnë dëm jo vetëm sportit, por edhe Republikës sonë të re duke iu bashkuar brohoritjeve raciste të fansave kroatë. S’kemi nevojë t’i fusim vetes ferrë në këmbë të shëndoshë. Për këto çirrje krejtësisht të panevojshme Federata e Futbollit e Kosovës mund të dënohet nga FIFA. Mediumet ndërkombëtare tashmë kanë shkruar gjerësisht jo vetëm për humbjen e Kosovës (6:0), por edhe për thirrjet raciste.

Kroacia ka një turmë fansash tejet problematikë, të cilët kanë prishur disa herë imazhin e vendit me thirrjet e tyre raciste. Për këtë edhe janë dënuar nga UEFA dhe FIFA. Gjatë Kampionatit Europian në Francë Federata Kroate e Futbollit u gjobit me 100 mijë euro për shkak të trazirave që shkaktuan fansat në ndeshjen kundër Çekisë. Vitin e kaluar “një dorë e panjohur” në ndeshjen mes Kroacisë dhe Italisë në Split vizualizoi kryqin nazist në stadiumin e Splitit. Para tri vitesh futbollistit Josip Simuniq iu ndalua të luajë 10 ndeshje për shkak se ishte bashkuar me fansat kroatë ndërsa këta brohorisnin “Za dom – spremni” (Për atdheun – të gatshëm). Thirrja daton nga shekulli i ’16 dhe përdorej nga luftëtarët kroatë, por në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore është shfrytëzuar edhe nga ustashët, nacionalistët kroatë vasalë të Musolinit dhe Hitlerit. Për këtë arsye kjo brohoritje është historikisht e diskredituar.

Të prirë nga Ante Paveliqi kriminelët ustashë kanë masakruar mijëra njerëz të pafajshëm – serbë, kroatë antifashistë, hebrenj, romë. Kampi i përqendrimit në Jasenovc është njollë turpi në historinë e Kroacisë dhe politikanë të mençur kroatë janë distancuar nga kjo trashëgimi. Për fat të keq në qeverinë e fundit kroate ka pasur ministra që janë përpjekur të merren me revizionizëm të historisë dhe kjo i ka shkaktuar dëm të madh Kroacisë. Në fillim të këtij viti i deleguari i Washingtonit për çështjen e Holokaustit vizitoi Zagrebin për të dhënë një mesazh të qartë: çdo tendencë për mohim të krimeve të ustashëve do të ketë pasoja për Kroacinë. Pastaj vetë presidentja kroate qe e shtyrë të dalë në televizion dhe t’i thotë opinionit kroat se shteti i ustashëve ishte kriminal.

Për shkak të deklaratave të papërgjegjshme të disa politikanëve Kroacia ka mbetur gati vetëm në Bashkimin Europian (BE) në përpjekje për të bllokuar bisedimet e Serbisë për anëtarësim në BE. Sado të bindshme të jenë argumentet kroate kundër Beogradit, kur ato përzihen me minimizim të krimeve të ustashëve, atëherë Brukseli tregohet i shurdhër. Zagrebi ka protestuar me të drejtë kundër synimit të drejtësisë serbe për të marrë kompetencat për ndjekjen e të dyshuarve për krime lufte në ish-Jugosllavi (në shënjestër janë vënë sidomos kroatët dhe shqiptarët), por prapë nuk ka gjetur aleatë të vërtetë brenda BE-së – pikërisht për shkak të tolerancës ndaj nacionalistëve politikë dhe sportivë.

Ideja e themelimit të BE-së bazohet në antifashizëm. Dhe ata që mohojnë këtë vlerë, nuk do të gjejnë vend në BE, por do të mbesin në torishtat e tyre ballkanike, ku kacafytjet nacionaliste do të sjellin vetëm kokëçarje dhe tragjedi të reja. Këtë është mirë ta kuptojnë fansat e ekipit të Kosovës para se të bien në kurthe nacionaliste të fansave të tjerë, në këtë rast të atyre kroatë. Ka miliona brohoritje të tjera me të cilat mund të shprehet dashuria ndaj Kosovës. Klithmat primitive në Shkodër duhet të harrohen një herë e përgjithmonë.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...