Nga miti në cirk

10 Nëntor 2016 - 08:23 - Enver Robelli      

Pas dy vjetësh në krye të Kuvendit të Kosovës, bilanci politik i Kadri Veselit i përngjan një rrëfimi humoristik. Imazhin atij s’po mund t’ia ndryshojë as makineria e madhe mediale.

Para disa ditësh një “portal lajmesh” që shërbehet me gjuhën shqipe dhe me gjasë bazën e ka në Maqedoni njoftoi se Kadri Veseli paskësh udhëtuar privatisht në Berlin, ku (ish-)shefi i SHIK-ut qenka koncentruar në një projekt të madh, madje atje, në Gjermani, ai gjoja do të takonte njerëzit më të fortë të kancelares Angela Merkel. “Portali i lajmeve” u referohej “burimeve qeveritare”, por nuk tregohej se cilës Qeveri – të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë apo Zvicrës? Këso finesa janë të parëndësishme. Për Kadri Veselin ishte me rëndësi që këtë “lajm” e shpërndau menjëherë Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK), i njohur në opinionin e gjerë si zyrë mediale e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Lajme të këtij lloji, shumica të sajuara, kanë për qëllim ta paraqesin Veselin si një figurë që erdhi nga bota mitike e “shërbimeve sekrete” në politikë, ku gjoja mund të bëjë mrekulli. Në fakt Veseli me hyrjen në politikë vetëm ka bërë një kërcim nga miti në cirk. Ndryshe nuk mund të shihet performanca e tij si kryetar parlamenti. Është kryetari me më pak autoritet i Kuvendit të Kosovës që nga viti 1999. Pasiguria e tij në udhëheqjen e seancave vërehet në çdo fjalë dhe gjest të tij, si dhe në konsultimet e pandërprera me stafin e Kuvendit të Kosovës. Në seancën e fundit kur u diskutua për të ashtuquajturat “vlera të luftës” (një togfjalësh tepër mashtrues ky) Veseli ndërpreu seancën për një pauzë dhe caktoi vazhdimin e saj në orën 15:15.

Seanca filloi gati 2 orë më vonë. Atë ditë nuk u zhvillua debat për luftën çlirimtare, por ishte një muhabet i sertë kryesisht mes shokëve të luftës, të cilët po e presin pranverën me siklet: kush do të akuzohet nga Gjykata Speciale dhe kush do të shpëtojë? Kush do të jetë i pari dhe kush i fundit në listën e prokurorit amerikan? A do të akuzohen «komandantët e lavdishëm» jo vetëm për vrasje të civilëve serbë e romë, por edhe të bashkëkombësve shqiptarë? Dhe cili mund të ketë qenë roli i Kadri Veselit në tërë rrëmujën e pasluftës? (Disa deputetë të LDK-së që refuzonin ta votonin Veselin për kryetar të Kuvendit ishin bindur, pasi shefi i LDK-së u kishte thënë “votojeni se brenda 6 muajsh nuk do ta shihni këtu”).
Në raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, Veseli përmendet si figurë prominente e krimit të organizuar dhe krimeve të luftës.

Në pikën 72 të raportit thuhet se Veseli dhe të tjerët sipas burimeve të drejtpërdrejta “do të kenë urdhëruar, e ndonjëherë do të kenë ndjekur edhe personalisht, realizimin e një numri vrasjesh, burgosjesh, agresionesh dhe marrjesh në pyetje, në rajone të ndryshme të Kosovës dhe konkretisht, çka na intereson në mënyrë më të veçantë, gjatë operacioneve të kryera nga UÇK-ja në territorin shqiptar, në vitet 1998-2000”.

Në pikën 82 të raportit thuhet se Veseli dhe të tjerët “do të kenë kërkuar konkretisht mjete novatore për të përdorur e investuar milionat e dollarëve të ‘fondit të luftës’ krijuar nëpërmjet dhurimeve të derdhura jashtë shtetit për kauzën e UÇK-së”. Në lidhje me burgosjet ilegale të civilëve në raport thuhet se “frymëzuesi kryesor i kësaj politike duhet të ketë qenë Kadri Veseli (alias Luli), një personazh-kyç i ‘Grupit të Drenicës’”.

Në vitin 2012 Veseli ka qenë dëshmitar në procesin gjyqësor “Bllaca II”. Atëbotë portali profesionist i lajmeve kallxo.com shkruante: “Në këtë çështje të akuzuar janë Fahredin Gashi, i dënuar me 18 vjet burgim në rastin ‘Bllaca I’, Shpresim Uka, Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla dhe Shaban Syla. Këta akuzohen se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe dy vepra të vrasjes së rëndë në tentativë, përkatësisht se kanë vrarë Ibush Kllokoqin dhe kanë tentuar të vrasin Adem Salihajn dhe Ismet Arifin”. Në gjykatë Veseli u bë sikur s’njihte askënd nga këta persona. Për t’i bërë përshtypje trupit gjykues, në fakt për ta kërcënuar ai me vete kishte marrë edhe disa “shoqërues”.

Veseli duket se është i vetëdijshëm se çfarë imazhi të keq “gëzon” në opinionin e gjerë. Rrjedhimisht, për t’u dukur i sjellshëm ai, kur harron t’ia japë fjalën ndonjë deputeti, së pari i kërkon atij falje nja 10 herë, pastaj ulëses së tij, tavolinës së tij, sallës, gazetarëve, opinionit, nënave, etërve, fëmijëve... Si asnjë politikan në Kuvendin e Kosovës, Veseli përmend “vlerat familjare”, domosdoshmërinë që “si përfaqësues të popullit të jemi shembull” dhe fjalë të tilla të buta prej “edukatori kombëtar”. Por çfarë përfaqësuesish të popullit ka futur në Kuvendin e Kosovës Partia Demokratike tregoi skena kur Nuredin Lushtaku mori hyxhym drejt foltores për ta sulmuar deputetin e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, dhe kryetarit zëhollë të Kuvendit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të klithë: “Zenun, Zenun...” Mes civilizimit të shpifur të Veselit dhe vulgaritetit të tij gjendet vetëm një fletë e hollë qepe. Kur ai beson se janë ndalur mikrofonat në Kuvend, s’ngurron t’i drejtohet një deputeteje me fjalorin më seksist të mundshëm. Këtë imazh Veselit s’po mund t’ia ndryshojë as makineria e madhe mediale, të cilën e kontrollon.

Megjithatë, përballë një opozite të dezorientuar dhe përballë Lidhjes Demokratike të kapur nga oligarkët dhe burokratët e etur për përfitime familjare e klanore, ambiciet e Veselit po rriten. Ka muaj që sillet si kryeministër. Sekretari i tij, Isa Mustafa, formalisht shef qeverie, shkon për vizitë në Londër pa ekip të RTK-së. Sepse ekipi i RTK-së duhet të jetë në Budapest, ku Veseli takoi kryetarin e parlamentit, anëtar i partisë Fidesz, e cila ndjek një politikë agresive kundër të huajve dhe brenda Bashkimit Evropian saboton kancelaren gjermane Angela Merkel.

Ndoshta në ditët në vijim “portali i lajmeve” që shërbehet me gjuhën shqipe dhe ka selinë në Maqedoni apo edhe ndonjë medium më serioz do të njoftojë se Kadri Veseli ka zhvilluar një takim privat në Barack Obaman, i cili ia ka besuar kodin e armëve bërthamore. Nobelisti peruan, Mario Vargas Llosa, i cili ka edhe përvojë politike, së fundi deklaroi në një intervistë: “Kur mashtron të gjithë në mënyrë sistematike, e tradhton edhe vetveten dhe i kontribuon edhe poshtërimit tënd moral. Në një ambient të qullur nga korrupsioni natyrisht se duhet të jesh hero që t’i kundërvihesh rrymës që mbretëron. Shumica e njerëzve nuk kanë lindur heronj, por nëse ka një të vetëm që e luan këtë rol, të tjerët së paku e mësojnë që kjo mundësi ekziston”. Është lehtë të merret me mend se cilës kategori i përket KadriVeseli.

[email protected]

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...