Farsa e Krimesë dhe tragjedia e Kosovës

21 Mars 2014 - 11:34 - Enver Robelli      

Rasti i Kosovës dhe i Krimesë dallojnë shumë, por kjo nuk është duke i penguar propagandistët e Vladimir Putinit në Perëndim në fushatën e tyre për mbrojtjen kinse të së “drejtës ndërkombëtare”

Kriza në Krime nxori në sipërfaqe edhe një kategori personalitetesh publike në botën perëndimore, të cilat për të mirëkuptuar aksionet e Vladimir Putinit në Ukrainë janë në gjendje të shtrembërojnë fakte dhe rrethana, ligje dhe parime. Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder, tha se Perëndimi nuk duhet ta kritikojë Kremlinin, sepse edhe vetë, më 1999, e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare nga Frankfurti, Michael Bothe, argumentoi vetëm nga Kulla e Fildishtë akademike dhe e krahasoi po ashtu rastin e Kosovës me atë të Krimesë. Perëndimi, sipas tij, më 1999 ka dhënë një shembull të keq, andaj sot nuk ka besueshmëri të kritikojë Putinin.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila nuk njihet për gjuhën e ashpër politike, tha se krahasimi i Kosovës me Krimenë është i turpshëm. Merkel nuk ia përmendi emrin Schröderit, për të cilin ajo ruan një përbuzje të ngahershme. Njëri ndër konfliktet më të mëdha mes tyre kishte shpërthyer në prag të luftës së SHBA-së kundër Irakut në pranverë të vitit 2003. Schröder e kishte refuzuar pjesëmarrjen gjermane në këtë luftë. Por, mënyra se si e kishte bërë këtë – me deklarata populliste dhe antiamerikanizëm – kishte ngjallur zemërimin e Merkelit. Më 23 shkurt 2003, pak ditë para se Washingtoni të sulmonte regjimin e Sadam Huseinit, Merkel botoi në gazetën “Washington Post” një artikull me titullin: “Schröderi nuk flet për të gjithë gjermanët”.

Merkel e akuzoi Schröderin se po bënte lojëra parazgjedhore dhe kritikoi “sulmet e Qeverisë franceze” kundër shteteve të Europës Lindore, të cilat sapo kishin hyrë në BE, por njëkohësisht, në prag të luftës kundër Irakut, treguan solidaritet dhe besnikëri ndaj Aleancës transatlantike. Duke qenë e rritur në Gjermaninë Lindore, pra në një shtet diktatorial, Merkel është mbrojtëse e madhe e ankorimit të Gjermanisë në boshtin transatlantik. Derisa Schröder shprehet i lumtur që sot rusët janë miqësorë ndaj gjermanëve, ndonëse nazistët i kanë shkaktuar “25 milionë viktima në Bashkimin Sovjetik”, Merkel potencon edhe rolin vendimtar të Amerikës në themelimin e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe integrimin e saj në Aleancën perëndimore.

Por, çfarë e bën Schröderin sot të pabesueshëm kur flet për Kosovën dhe Krimenë është roli i tij i ri: ish-kancelari është kryetar i Bordit të gazsjellësit Nord Stream, i cili kontrollohet nga kompania ruse “Gazprom”. Schröder po ashtu e cilëson veten publikisht si mik të Putinit.
Deklarata e Schröderit në lidhje me Kosovën dhe Krimenë ka provokuar reagime të ashpra. Deputetët e gjelbër në Parlamentin Europian kërkuan që atij t’i ndalohet çdo prononcim publik në lidhje me këtë temë, e përditshmja polake “Gazeta Wyborcza”, e cila drejtohet nga disidenti i famshëm Adam Michnik, e quajti Schröderin kampion të hipokrizisë dhe njërin prej shumë “idiotëve të dobishëm” të Kremlinit në Perëndim.
Krahasimi i konflikteve territoriale shpeshherë është absurd, sepse etërit e së drejtës ndërkombëtare nuk kanë shkruar skenar për shkëputjen e një territori.

Çdo shtetbërje ka specifikat e veta. Disa rezultojnë të suksesshme (Timori Lindor, Kosova, Eritrea). Përpjekje të tjera mbesin në gjysmë të rrugës për shkak të raportit të forcave apo rrethanave të pafavorshme në politikën botërore (Tibeti, territoret e autonomisë palestineze, Çeçenia, Sahara Perëndimore).
Sipas Marc Weller, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Cambridge, krahasimi i Kosovës me Krimenë nuk mund të bëhet për shumë arsye. “Në Kosovë për dhjetë vjet ka pasur shkelje masive të të drejtave të njeriut. NATO-ja ka ndërhyrë për t’i dhënë fund brutalitetit të trupave serbe dhe tek pasi OKB-ja në disa rezoluta kishte dënuar shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe kishte paralajmëruar se konflikti kërcënon paqen në rajon”, nënvizon Weller.

Po ashtu “lufta ajrore” kundër Serbisë nuk filloi befas, por pasi dështuan përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje paqësore. Argumenti tjetër: NATO-ja nuk e pushtoi Kosovën, por ky territor u vendos nën administrimin e OKB-së me rezolutë të posaçme (1244).
Arsyet e ndërhyrjes së Rusisë në Krime dhe të organizimit të referendumit mbi “ribashkimin” me Rusinë janë krejtësisht të shpikura dhe të shpifura, tregon Weller. “Nuk mund të bëhet fjalë fare se popullsia ruse në Krime i është nënshtruar shtypjes apo represionit. Përkundrazi: me ndërhyrjen në Krime Moska vetëm e ka shtuar rrezikun e shpërthimit të luftës civile në shtetin fqinj të Ukrainës”.

Në vitin 1999 madje edhe vetë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, fliste për “përdorimin legjitim të forcës” kundër regjimit të Slobodan Milosheviqit, ndërkaq mbështetësit e angazhimit të NATO-s në konfliktin e Kosovës i referoheshin “së drejtës emergjente” për ndërhyrje humanitare, Rusia po përpiqet hapur ta gllabërojë Krimenë në afat rekord. Kur politikanët perëndimorë në vitin 1999 vendosën të ndërhyjnë ushtarakisht në Kosovë ata e kishin parasysh edhe dështimin kolosal të bashkësisë ndërkombëtare në vitin 1995 në Srebrenicë, ku forcat serbe kryen gjenocidin e parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.

Shkëputja e Kosovës nga Serbia ishte një proces i gjatë dhe i shoqëruar me negociata të pafundme, me takime të OKB-së, BE-së – dhe me pjesëmarrjen e palës ruse. Mes tjerash Moska kishte nënshkruar edhe parimet e Grupit të Kontaktit, ku shprehimisht theksohet se me rastin e zgjidhjes së statusit të Kosovës duhet të merret parasysh edhe vullneti i popullsisë së Kosovës. Se cili ishte vullneti i shumicës së kosovarëve është e vërtetë publike: pavarësia nga Serbia, e cila faqe botës kishte dëshmuar se synon shfarosjen e shqiptarëve dhe marrjen e territorit të Kosovës. Kur profesori Michael Bothe thotë se në Kosovë nuk janë marrë parasysh të drejtat e pakicës serbe, kjo është “plotësisht e pavërtetë”, përgjigjet Weller, i cili hulumton arsyet e shpërbërjes së Jugosllavisë prej më shumë se dy dekadash.

Sjellja e Rusisë në Krime i ngjan një farse. Presidenti Putin thotë se rusët etnikë kanë të drejtë vetëvendosjeje. Por, në çfarë rrethanash u zhvillua të dielën referendumi për kinse vetëvendosjen e banorëve të Krimesë? Referendumi, sipas profesorit Weller, u zhvillua nën kërcënimin e një fuqie të huaj ushtarake, e cila është e pranishme në Krime. Banorëve ukrainas dhe tatarë, të cilët përbëjnë gati 40 për qind të popullsisë së siujdhesës në Detin e Zi, forcat ruse dhe nacionalistët lokalë ua vendosën revolverin në gjoks dhe u bënë thirrje të votojnë për aneksimin e vendit të tyre nga Rusia. Myftiu i Krimesë duke folur në emër të tatarëve myslimanë me ironi tha: “Ne tatarët e Krimesë nuk kemi marrë kurrë pjesë në shou të klounëve dhe në cirqe”.

Në këtë kuptim duhet thënë: të dielën Kremlini organizoi në Krime një farsë, ndërsa hipokritë si Schröderi, por edhe mirëkuptues naivë të Rusisë po tentojnë që ta relativizojnë përmasën e krimit të Beogradit në Kosovë. Për shembull: profesori Michael Bothe shkruan se Perëndimi intervenoi për të parandaluar “mbase” shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë. Theksi bie te fjala “mbase”, që tingëllon si aludim dhe insinuatë se gjendja në Kosovë nuk ka qenë aq e tensionuar për të arsyetuar bombardimet e NATO-s.
Në rastin e Krimesë Putini është duke shkelur edhe parime të tjera. Rusia e ka pranuar së paku tri herë Ukrainën në kufijtë e tanishëm. “Me deklaratën e miratuar në dhjetor të vitit 1991 në Alma-Ata të Kazakistanit u vulos fundi i Bashkimit Sovjetik dhe kufijtë e dymbëdhjetë republikave sovjetike u shpallën të paprekshëm. Në vitin 1994 pasoi Memorandumi i Budapestit, përmes të cilit SHBA-ja, Rusia dhe Britania e Madhe u obliguan të garantojnë sigurinë e Ukrainës. Në të kundërtën Kievi ia dorëzoi Rusisë armët atomike.

Në vitin 1997 Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshjen për stacionimin në Krime të flotës ruse të Detit të Zi. Në këtë marrëveshje nënvizohet se ndalohet ndërhyrja në punët e brendshme të Ukrainës”.
Në arsyetimet e tij absurde për ndërhyrjen në Krime autoritetet ruse gjithnjë e më shumë po imitojnë kohërat e propagandës sovjetike. Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitali Çurkin, një burokrat i luftës së ftohtë, nxori një letër para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila gjoja ishte shkruar nga presidenti i rrëzuar i Ukrainës, Viktor Janukoviq. Në të Janukoviq i bënte thirrje Rusisë të ndërhynte në Ukrainë për të siguruar rendin dhe paqen. Por, çfarë legjitimiteti ka Janukoviq? “Kurrfarë”, thotë Marc Weller. Siç dihet, më 21 shkurt tre ministra nga vendet e BE-së (Frank-Walter Steinmeier nga Gjermania, Laurent Fabius nga Franca dhe Radoslav Sikorski nga Polonia) ndërmjetësuan një marrëveshje për zgjidhjen e krizës në Ukrainë (mes tjerash parashihej që zgjedhjet presidenciale të mbaheshin në dhjetor). Kur ditën tjetër Parlamenti në Kiev u mblodh për të miratuar marrëveshjen u vërejt se presidenti Janukoviq ishte zhdukur.

Në vijim dhe në përputhje me Kushtetutën kryetari i Parlamentit mori detyrën e kryetarit të përkohshëm. “Një president që braktis postin dhe strehohet në vendin fqinj, i cili ushtron agresion kundër shtetit të tij, nuk mund të përfaqësojë më askënd”, thotë Weller.

[email protected]


© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...