24 Mars 2016 - 08:37 - Enver Robelli
Në prag të shpalljes së vendimit të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi në procesin kundër Radovan Karaxhiqit, liderit të serbëve të Bosnjës, të akuzuar për krime, janë zërat e viktimave që duhet të flasin. Për “Kohën Ditore” kanë folur tri personalitete të jetës publike të Bosnjës – një regjisore, një aktivist i të drejtave të njeriut, një politikan i ri dhe kameraman me përvojë.
E para flet Jasmila Zhbaniq, regjisore, fituese e “Ariut të artë” në festivalin e filmit “Berlinale” me filmin “Grbavica”, i cili tematizon dhunimin e grave gjatë luftës në Bosnjë.
“I kam pasur 17 vjet kur Sarajeva, qyteti im, u rrethua. Na e ndalën ujin, rrymën, ushqimin. Për çdo ditë na gjuanin me granata dhe ashtu jetuam katër vjet. Uria ishte problemi më i vogël. Frika ishte problemi më i madh dhe vdekja e miqve dhe familjarëve të mi. Radovan Karaxhiqi është njëri prej personave më përgjegjës që përmes vrasjeve mori pushtetin duke u përpjekur të shkatërrojë Bosnjë-Hercegovinën. Janë vrarë më shumë se 100 mijë njerëz dhe dy milionë janë dëbuar nga vatrat e tyre.
Shpresoj se Radovan Karaxhiqi do të marrë dënimin me burg të përjetshëm. Por ne ende jetojmë me pasojat e luftës! Më e tmerrshmja është se vepra e tij jeton. Në Prijedor, ku sundojnë serbët, të cilët përkrahin krimet e Karaxhiqit, prindërve të 200 fëmijëve të vrarë u është ndaluar të ndërtojnë një përmendore. Joserbët nuk kanë të drejtë pune dhe atyre u shkelen të drejtat themelore të njeriut. Këto ditë në Pale, 10 minuta larg Sarajevës, si akt provokimi është hapur konvikti i studentëve ‘Radovan Karaxhiq’! Vendimi i gjykatës është shumë me rëndësi për gjeneratat e ardhshme! Sidomos për serbët që janë të detyruar që përmes sistemit shkollor të mësojnë se Karaxhiqi është hero, ndërsa vrasja e joserbëve akt legjitim”.
I dyti që flet është Refik Hoxhiq, ish-zëdhënës i Tribunalit të Hagës, gazetar, dokumentarist, aktualisht drejtor për komunikim i Qendrës Ndërkombëtare për Drejtësi Transicionale me seli në New York.
“Pres që Radovan Karaxhiqi të marrë atë dënim që do të sigurojë që ai të vdesë në burg. Shpresoj se përmbajtja e aktgjykimit të tij në të gjallë timin do të gjejë rrugë për të hyrë në librat shkollorë, prej të cilave do të mësojnë fëmijët në Prijedorin tim, por nuk jam i bindur deri në fund se kjo do të ndodhë. Përveç kësaj, pres një ortek të manipulimeve politike me vendimin e gjykatës nga ana e kastës drejtuese politike në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi, po ashtu edhe nga opozita.
Për politikanët në Bosnjë-Hercegovinë dhe rrethinë, traumat tona të luftës janë resurs prej të cilit nuk mund të heqin dorë lehtë, sepse ky resurs është treguar i pazëvendësueshëm në largimin e vëmendjes së opinionit nga plaçkitja e vazhdueshme, korrupsioni dhe paaftësia e tyre. Kësisoj, pa marrë parasysh se si do të jetë vendimi për Radovan Karaxhiqin, ai mund të jetë më shumë se i kënaqur, sepse trashëgimia e politikës së tij kriminale ende është gjallë dhe nuk po i shihet fundi”.
I treti që flet është Predrag Kojoviq, ish-kameraman i agjencisë “Reuters”, tani politikan i partisë multietnike “Nasha stranka” (Partia jonë).
“Shpresoj se me vendimin e Gjykatës së Hagës do të marrin epilog gjyqësor ndjenjat ndaj asaj që ua ka bërë Radovan Karaxhiqi mijëra qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës. Shpresoj po ashtu se vendimi do t’i japë formë të vërtetës me të cilën nuk mund të manipulohet më dhe të keqpërdoret për lëndimin e viktimave të luftës.
Aktgjykimi nuk do t’i kthejë në jetë njerëzit e vrarë, nuk do t’i kthejë nga ekzili mbi një milion bashkëkombës tanë, por shpresoj se do të tregojë se drejtësia – ndonëse e ngadalshme – prapëseprapë arrin cakun. Ndoshta do të jetë edhe leksion se inspirimi i krimeve kundër njerëzimit nuk mund të kalojë i padënuar. Në nivelin personal të gjithë ne që e kemi përjetuar dhe mbijetuar luftën do të kemi satisfaksionin se është dënuar inspiruesi dhe prijësi ideor i një projekti kriminal”.
Të enjten, në orën 14:00, trupi gjykues i Tribunalit të Hagës do të dalë para opinionit botëror për të lexuar aktgjykimin kundër Radovan Karaxhiqit. Prokuroria ka kërkuar dënim me burg të përjetshëm. Vetë Karaxhiqi, i gjendur para ortekut të dëshmive, ka deklaruar se merr përsipër përgjegjësinë morale për krimet e kryera. Pas 12 vjet të kaluar në arrati, Karaxhiqi u arrestua në Beograd, në korrik 2008, me emrin e rrejshëm Dragan Dabiq. Prokuroria i dha fund prezantimit të dëshmive më 25 maj 2012, pas dëshmive të 195 dëshmitarëve.
Njëri prej dëshmitarëve ishte historiani amerikan Robert Donia, një njohës i jashtëzakonshëm i historisë së Bosnjë-Hercegovinës, autor i një libër-portreti për Sarajevën dhe autor i biografisë së Radovan Karaxhiqit (“Radovan Karaxhiq: Arkitekti i gjenocidit në Bosnjë”, Cambridge University Press, 2014). Donia e përshkruan Karaxhiqin si “kokë brilante, gjuhëbrisk dhe shumë i shkathët në ushtrimin e artit të tij mbresëlënës për të bindur të tjerët”, por edhe si gënjeshtar, kriminel dhe “manipulues pa asnjë ndjenjë”. Prokurori Alan Tiger në fjalën përfundimtare tha: “Karaxhiqi nuk ishte inspektor ndërtimtarie, i cili erdhi dhe tha se këtu nuk duhet ndërtuar, sepse është tokë pjellore, por ai ishte mafioz që u kërcënua se do të shembet ajo që po ndërtohej”.
Në gërmadhat e luftës së Karaxhiqit mbetën mbi 10 mijë qytetarë të Sarajevës, mes tyre 1 600 fëmijë, afër 8 mijë banorë të Srebrenicës, miliona të përndjekur, një ekonomi e tërë e shkatërruar, hiri dhe shkrumbi i librave të Bibliotekës Nacionale të Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë.
“Nëse rrjedh gjak, atëherë kufijtë do të jenë aty ku i vendos i forti”, kishte thënë Karaxhiqi për një gazetë të Beogradit në vitin 1991. Kjo u bë realitet, për fat të keq. Në vitin 2016 drejtësia po vjen, por ajo po vjen shumë vonë, andaj çdo dënim i Karaxhiqit është një ngushëllim i vogël për viktimat.
[email protected]
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...