29 Prill 2014 - 16:58 - Enver Robelli
Në intervistën dhënë revistës “Nedeljnik”, Qosiqi e pranon se Beogradi e ka humbur Kosovën, dhe tregon se si u mor vesh me kryeministrin Zoran Gjingjiq për ndarjen e Kosovës. Aleat në këtë projekt - pa dijen e popullit të Kosovës - u bë në vitin 2002 edhe kryeministri i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi
Lufta erdhi si prej qielli dhe shkaktoi panik te njerëzit dhe kafshët. Gjarpërinjtë braktisën malet dhe kërkuan strehim në qytete e fshatra. Në çdo skutë të vendit mbretëronte frika nga reptilët që vërtiteshin gjithandej. Kështu i kujtohet shkrimtarit serb Dobrica Qosiq data e 24 marsit 1999 në librin e tij “Koha e gjarpërinjve”. Në historinë e re të Ballkanit 24 marsi 1999 nuk është një ditë e zakonshme: rreth orës 20:00, NATO-ja për herë të parë në historinë e saj kishte sulmuar një shtet me bomba – dhe këtë aksion Aleanca Veriatlantike e kishte vazhduar njëmbëdhjetë javë të tëra me qëllim që të ndërpriste fushatën e terrorit të forcave serbe kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, që atëbotë kontrollohej nga Beogradi.
Mbi arsyet e konfliktit të NATO-s me Serbinë në këtë libër të Qosiqit nuk thuhet gati asnjë fjalë. Në këtë pamflet politik ai angazhohet për një Serbi të fuqishme dhe injoron represionin serb në Kosovë në vitet ‘90. Në traditën e racizmit elitar serb Qosiqi heq maskën dhe shpalos gjithë tërbimin e tij ndaj shqiptarëve, të cilët i bën fajtorë që si kolonë e pestë e NATO-s ia sollën Serbisë fatkeqësinë e bombave dhe raketave perëndimore. Në libër ai për shqiptarët shkruan: “Ky llum social, politik dhe moral i Ballkanit tribal dhe barbar bën aleancë me Amerikën dhe Bashkimin Evropian kundër popullit më demokratik, më civilizues dhe më të arsimuar të Ballkanit – kundër popullit serb”. Kështu shkruante në vitin 2009 ai që shpesh quhet “babai i kombit serb”.
Njëzet vjet më herët, në korrik 1989, Qosiqi i dha një intervistë gazetës italiane “Il Tempo”, ku zgjidhjen e çështjes së Kosovës e shihte përmes dy alternativave: “...Ose do t’ua japim territorin, që do të thotë po ashtu të humbasim edhe gjysmën e Maqedonisë, e kjo do të sillte dezintegrimin e Jugosllavisë, ose përndryshe do të përdorim forcën si Izraeli”. Në lidhje me këtë gazetari Xhemail Mustafa në gazetën “Rilindja” atëbotë komentonte: “Mirëpo, ajo që habit është fakti se po ky shkrimtar akademik i njohur, po ky intelektual që me shumë qejf e pranon se i takon opozitës, në të njëjtën intervistë angazhohet për demokracinë, në një anë, dhe për dhunën, në anën tjetër. Natyrisht, të parën e rezervon për veten dhe bashkëmendimtarët e tij, kurse të dytën për të tjerët...”.
“Kemi humbur”
Në qëndrimet e Qosiqit sa u përket Kosovës e shqiptarëve konstante kanë qenë nxitja e urrejtjes dhe thirrjet për luftë e për represion politik, ekonomik e kulturor. Në numrin më të ri të revistës së Beogradit “Nedeljnik”, Qosiqi, tashmë 93-vjeçar, e frenon urrejtjen e tij ndaj shqiptarëve, dhe opinionit serb ia bën me dije se Kosova është e humbur: “Për mua çështja e Kosovës është e zgjidhur. Domethënë ajo nuk ekziston më si krahinë jugore serbe. Ne e kemi humbur Kosovën në luftë me shqiptarët. (...) Me luftën e vitit 1999, Kosova është humbur politikisht, asnjë atom të fuqisë nuk duhet harxhuar për këtë çështje. (...) Unë e këshilloj gjeneratën tuaj që të mos harxhojë fuqi në çështjen e Kosovës, sepse këtë e ka rregulluar historia duke ju anashkaluar juve”.
Kjo pjesë e intervistës u shpërnda nga portalet informative të Beogradit dhe u përkthye dhe u distribuua edhe në mediet e Kosovës. Por në këtë bashkëbisedim me revistën “Nedeljnik”, që shtrihet në 14 faqe dhe është e ilustruar edhe me fotografi nga albumi privat i Qosiqit, gjenden disa detaje që opinioni shqiptar në Ballkan është mirë së paku t’i ketë parasysh.
Dobrica Qosiqi, anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve dhe frymëzues i shumë krimeve serbomëdha në Ballkan, thotë se para atentatit kundër kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiqit, që të dy ishin marrë vesh që Gjingjiqi të dilte në opinion me idenë për ndarjen e Kosovës. Kryeministri serb e kishte bërë këtë dhe llogariste sidomos në mbështetjen e Qeverisë së atëhershme gjermane, që kryesohej nga kancelari Gerhard Schröder, i cili bashkë me shumë socialdemokratë udhëheqës në Gjermani kishte simpati të mëdha për Gjingjiqin. Ndarja e Kosovës do t’u shkonte për shtat edhe francezëve, të cilët pas vitit 1999 me trupat e tyre ushtarake betonuan ndarjen e Mitrovicës dhe për t’i qetësuar shqiptarët e dëbuar nga shtëpitë e tyre i shfrytëzuan dy figura të diskutueshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Ky duet me gjasë u (keq)përdor nga shërbimet sekrete franceze dhe një gjë e tillë është dokumentuar edhe me incizime filmike, që së fundi u bënë publike në mediet kosovare. Aty shihet një veturë e KFOR-it francez duke e sjellë dyshen Thaçi-Veseli në Mitrovicë derisa protestat kundër ndarjes së qytetit po rriteshin.
Takimi i vitit 2002
Pas deklaratës së Qosiqit se ideja e tij për ndarjen e Kosovës u përqafua dhe u përfaqësua nga Zoran Gjingjiqi, duhet t’i rikthehemi zbulimit të aktivistit politik Ilir Deda: ai në një intervistë për emisionin “Rubikon”, në shtator 2013, tha se idenë për ndarjen e Kosovës kryeministri aktual i Kosovës Hashim Thaçi e kishte diskutuar në vitin 2002 me kryeministrin e atëhershëm serb Zoran Gjingjiq. Në atë kohë Thaçi ishte shef i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila përfaqësonte rreth 20 për qind të elektoratit dhe ishte forcë e papërfillshme dhe e urryer opozitare. Po ashtu, Thaçi nuk kishte kurrfarë përgjegjësie në poste publike dhe nuk ushtronte asnjë funksion qeveritar, andaj duket se ai e kishte diskutuar idenë e Dobrica Qosiqit me Gjingjiqin si një lloj bashibozuku shqiptar dhe pa dijeninë e udhëheqjes politike të Kosovës së asaj kohe. Me manovra të tilla Thaçi në vitet e para të pasluftës, kur kishte pësuar debakël pas debakli në zgjedhje, synonte të paraqitej si partner fleksibil i bashkësisë ndërkombëtare dhe si alternativë kundër Ibrahim Rugovës “kryeneç”, i cili insistonte në pavarësinë e Kosovës.
Në atë kohë në vazhdën e përpjekjeve për t’i pëlqyer sa më shumë bashkësisë ndërkombëtare hyn edhe propozimi i Thaçit dhe i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për një moratorium (shtyrje të afatit) për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që në fakt ishte propozim për shtyrjen e pavarësisë. Pas vrasjes së Gjingjiqit, për të cilin Dobrica Qosiqi tani thotë se e ka pasur mik, ideja për ndarjen e Kosovës mori një goditje të rëndë. Por, sipas një aktivisteje për të drejtat e njeriut nga Beogradi, e cila është mjaft e njohur në Kosovë, shërbimet sekrete serbe në marrëveshje “me shërbimet sekrete partiake” të shqiptarëve të Kosovës inskenuan ngjarjet e 17 marsit të vitit 2004, si përpjekje përfundimtare për ndarjen e Kosovës.
Këto trazira me 19 viktima, qindra serbë të përndjekur, dhjetëra shtëpi e kisha ortodokse të djegura e dëmtuan rëndë imazhin e Kosovës në botën perëndimore. Serbia duke shfrytëzuar si mashë elementë shqiptarë të etur për pushtet, arriti dy qëllime strategjike: plasoi në botën perëndimore narrativin për shqiptarët po aq kriminelë sa forcat serbe që kishin bërë plojën ndaj popullsisë civile shqiptare në vitet 1998-99, dhe arriti të bindte bashkësinë ndërkombëtare se çdo zgjidhje e statusit të Kosovës duhet të marrë parasysh rolin aktiv të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës me qëllim të mbrojtjes së pakicës serbe dhe trashëgimisë kulturore e fetare të saj.
Në pozitë të dobët
Politikanë naivë të Prishtinës kanë potencuar se ngjarjet e marsit e detyruan bashkësinë ndërkombëtare të merrej, më në fund, me zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kjo është e saktë, por çfarë cilësie pati ky proces? Pa dyshim, në procesin e mëvonshëm negociator delegacioni i Kosovës ishte në pozitë të dobët, sepse në vend se të luftonte për të drejtat e shumicës shqiptare duhej të pranonte koncesione të pafundme sa i përket autonomisë së pakicës serbe. Kjo ishte sidomos pasojë e ngjarjeve të marsit 2004: pas tyre shqiptarët e humbën një pjesë të madhe të besimit që bashkësia ndërkombëtare kishte ndaj tyre. Derisa menjëherë pas luftës trupat ndërkombëtare aty-këtu edhe kishin mbyllur njërin sy kur ndonjë pjesëtar i pakicave keqtrajtohej nga shqiptarët, pas 2004-s pothuaj askush në kancelaritë perëndimore nuk besonte se në një shtet të kontrolluar prej shqiptarëve këta të fundit do t’i trajtonin qytetarët serbë si të barabartë. Rrjedhimisht në Planin e Ahtisaarit u futën me dhjetëra siguresa, shtylla e rregulla për të garantuar veçanërisht të drejtat e pakicës serbe.
Ndonëse e pranon se Serbia e ka humbur Kosovën, Dobrica Qosiqi në intervistën e tij thotë se “sot nuk mund të gjykojmë nëse kjo (humbje, v.j.) është përfundimtare, sepse askush nuk e di se si do të shkojë më tutje rrëfimi i historisë evropiane dhe ballkanike në shekujt e ardhshëm. Apo në këtë shekull”. Megjithatë, Qosiqi përpiqet të ndalojë ndjenjat luftënxitëse e nacionaliste në Serbi, duke përmendur faktin se sivjet, në 100-vjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, populli serb duhet të përkujtojë se në atë luftë Serbia është shkatërruar nga ana biologjike dhe ka humbur 60 për qind të meshkujve. Andaj, shton Qosiqi, “leksioni im është ky: nuk ka më luftëra për serbët. Nuk bën të luftojmë më. Nuk kemi potencial biologjik, por as patriotik. Besoj se paqja është kushti i vetëm i ekzistencës sonë. Të bëjmë kompromise, të heqim dorë edhe nga parimet nëse duhet ruajtur paqen”.
Qosiqi synon paqen, por jo edhe demokracinë dhe vlerat perëndimore, siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit. Ai si aleat të vetëm të Serbisë e sheh autokratin rus Vladimir Putin. Në konstatimin bukur të çmendur të gazetarëve të revistës “Nedeljnik” se “jemi dëshmitarë që (kancelarja gjermane Angela) Merkel në një mënyrë i është qasur (ish-presidentit Boris) Tadiqit më ashpër se Hitleri princit Pavle”, Qosiqi përgjigjet: “Ka shumë ngjashmëri në veprimet, ultimatumet dhe raportet e fuqive evropiane ndaj Serbisë më 1914 dhe 1941. (...) Zonja Merkel është agresive. Ajo nuk po paraqitet vetëm me pasion politik, por më duket edhe revanshist”. Qosiqi ankohet se në jubileun e 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore me revidimin e historisë po merren “aleatët tanë të atëhershëm anglezët dhe amerikanët”, andaj shkrimtari serb bën thirrje që Serbia të punojë për të lidhur aleanca të reja.
Porosia e Vances dhe Owenit
Për historinë bashkëkohore të Kosovës janë me rëndësi edhe disa detaje në këtë intervistë, që revista “Nedeljnik” e quan “testament kombëtar” të Dobrica Qosiqit. Shkrimtari serb, i cili mes viteve 1992-93 ka qenë kryetar i Jugosllavisë së mbetur, konfirmon se dy emisarët e OKB-së për Ballkanin, ish-ministri i Jashtëm amerikan Cyrus Vance dhe ish-ministri i Jashtëm britanik David Owen, gjatë negociatave për paqen në Bosnjë, që zhvilloheshin në Gjenevë, kishin insistuar që Serbia të mos e hapte çështjen e Kosovës në “dhjetë vjetët e ardhshëm”. Qosiqi thotë se Vance edhe “kur kishte ardhur në shtëpinë time në Beograd më kishte thënë: ‘Dobricë, nuk është momenti për çështjen e Kosovës. Shtyjeni atë...’”.
Vance dhe Owen gjatë përpjekjeve të tyre për të ndërprerë luftën në Bosnjë shpeshherë janë akuzuar në mediet perëndimore për qëndrime proserbe. Paralajmërimi i tyre që Beogradi të mos e hapte çështjen e Kosovës duhet të jetë bërë në këtë frymë. Si diplomatë të rryer ata e dinin ose mund ta merrnin me mend se nëse Serbia ndez luftë në Kosovë menjëherë pas kasaphanës në Bosnjë, atëherë bashkësia ndërkombëtare mund të intervenojë ushtarakisht. A do të kishte ndërhyrë NATO-ja në konfliktin e Kosovës nëse, ta zëmë, Serbia do ta hapte çështjen e Kosovës tek në vitin 2005, pa Slobodan Milosheviqin në pushtet dhe me Zoran Gjingjiqin si kryeministër? Vështirë të merret me mend një skenar i tillë. Kosova i ka fituar lirinë dhe pavarësinë jo vetëm nga vendosmëria e shqiptarëve, por edhe nga rastësia historike.
Në fund të intervistës Dobrica Qosiqi tingëllon i frustruar. Ai thotë se “në përgjithësi ne (serbët, v.j.) nuk kemi miq. Kemi miq individë, por jo shtete”. Pyetja e fundit e gazetarëve të revistës “Nedeljnik” është si vijon: “A është atëherë nafaka më e keqe serbe që as intelektualët më të mëdhenj nuk mund ta kuptojnë si funksionon bota? Dhe të përcaktohen sipas saj?” Dobrica Qosiqi përgjigjet hapur: “Kjo është e saktë. Nuk mundemi. Dhe asnjëherë s’kemi mundur... As në Luftën e Parë Botërore. As më 1999. As sot...”.
[email protected]
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...