15 Prill 2016 - 09:55 - Kujtim Dobruna
Vjenë - Dy zhvillime të fundit në botën e inovacionit dhe teknologjisë kanë riaktualizuar debatet rreth dobisë së “ndërmarrës burrështetas” – afaristëve të suksesshëm – që përmes vlerave të ndërmarrësisë dhe atyre etiko-morale provojnë të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Kjo më ka nxitur ta bëj një analogji me vendin tonë, të cilën do ta shtjelloj në pak rreshta më poshtë.
Zhvillimet kanë të bëjnë me kompaninë më të madhe të teknologjisë informative në botë, Apple, e cila po refuzon për muaj me radhë kërkesën e autoriteteve amerikane për hapjen e paautorizuar të një telefoni mobil, pronë e një të dyshuari për terrorizëm. Në anën tjetër, WhatsApp, ofertuesi i një shërbimi të komunikimit digjital, me një lëvizje të vetme shifroi komunikimin për mbi një miliard përdorues të vet anekënd botës. Në të dyja rastet kompanitë po akuzohen se me këto veprime po ndjekin interesin e vet afarist, duke tentuar të rrisin shitjen përmes kampanjave të rreme. Në fakt, të dyja rastet flasin për një përkushtim të “ndërmarrësve burrështetas” për të formësuar politikat rreth kauzave të caktuara.
Në këto dy raste ato si kauzë kanë ngritur privatësinë individuale, si vlerë fondamentale njerëzore, mbi interesin e sigurisë nacionale. Në Amerikë ndërmarrësit burrështetas kanë traditë, e vazhduar kjo rishtazi edhe përmes dedikimit filantrop të miliarderëve Warren Buffett e Bill Gates për të ndarë gjysmën e pasurisë së vet për qëllime bamirëse.
“Burrështetasit” ndërmarrës
Në vendin tonë vërehen praktika të tjera. Në vend të ndërmarrësve burrështetas kemi të bëjmë me “burrështetasit” ndërmarrës. Kauza e tyre është vetë antivlera, është joetike, amorale dhe kriminale. Ata përmes shembullit të fuqisë së tyre ushtrojnë ndikim mbi proceset ekonomike, për t’i sjellë të mira një grupi të caktuar të elitave të vetëquajtura. I definuar si “kapje e shtetit”, nocion ky i amortizuar për shkak të keqinterpretimit që i bëhet gjithandej trojeve ballkanike, ky fenomen shpërfaqet si lloj i korrupsionit politik përmes të cilit interesat afariste të grupeve ilegale të interesit drejtojnë vendimmarrjen politike e shtetërore kah dobia vetjake.
Si rezultat, konkurrenca e lirë ngulfatet, tregu dominohet nga praktikat monopoliste, hyrja në treg e aktorëve të rinj, përfshirë këtu edhe investitorët e jashtëm, pamundësohet përmes ngritjes së barrierave artificiale, papunësia mbetet e lartë, bilanci i jashtëm i paqëndrueshëm. Kështu krijohen grupe oligarkësh, pamundësohet mirëqenia e qytetarëve dhe vihet në rrezik ajo e brezave që vijnë.
Hovin e vet ky trend e mori veçmas pas shpalljes së pavarësisë. Përmes mekanizmit të “ndërmarrësisë politike” ky grup zhvatësish mësoi të sigurojë mbështetje nga “bizneset e kapura” për kampanja të suksesshme zgjedhore, të cilat pastaj i rimbursojnë me para të taksapaguesve përmes mekanizmave të prokurimit publik. Siç gazetarë hulumtues kanë nxjerrë ditëve të fundit rishtazi në shesh, fillet e “burrështetasve” ndërmarrës datojnë nga koha kur prej fondeve të rezistencës paqësore e të luftës u krijuan ndërmarrje të reja, të dyshuara si mekanizma të pastrimit të parasë në shërbim të elementëve joshtetërorë.
Të tillët sot janë aksionarë të heshtur apo publikë nëpër ndërmarrje private (dhe aso të privatizuara) dhe paralelisht keqpërdorin mekanizmat shtetërorë për të krijuar favore, për të dhënë licenca të telefonisë mobile, të terminaleve doganore, apo për të krijuar ligje e rregullore, që mundësojnë veprimtari krejtësisht bizare afariste, por mjaft fitimprurëse, siç është homologimi i automjeteve.
Ndërmarrësi i mirëfilltë si dritë shprese
Në anën tjetër, ndërmarrësit e mirëfilltë, që janë shumicë dërmuese, goditen në dy aspekte. Së pari, përmes krijimit të një imazhi gjeneralizues për ndërmarrësin si zhvatës e keqpërdorues, si bashkëbartës i së keqes e djallëzisë dhe si pengues i proceseve. Së dyti, sistemi “elitar” ekstraktiv i “burrështetasve” ndërmarrës, përmes kufizimeve që i imponon në konkurrencën e lirë, e pamundëson zhvillimin e ndërmarrësisë së mirëfilltë, veçanërisht inovacionin dhe prodhimin vendor.
Pasqyrat për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë janë indikatori më i qartë për këtë fenomen këmbëngulës. Sipas të dhënave të studimeve të fundit, përkundër asaj që sektori privat është kontribuuesi kryesor i punësimit dhe i Produktit të Përgjithshëm Bruto, mbi 60 për qind e ndërmarrjeve private luftojnë për mbijetesë, ndërsa vetëm 15 për qind e tyre janë në gjendje të krijojnë vende të reja të punës. Kjo i bie se rreth 120 mijë vende ekzistuese të punës janë në rrezik permanent të shuarjes. Ky kërcënim bëhet edhe më serioz nëse vendi ynë pllakoset nga ndonjë recesion afatmesëm.
Politikanë të ricikluar premtojnë në kohë zgjedhjesh qindra e mijëra vende pune, ndërsa në kohërat e qeverisjes, si “burrështetas” ndërmarrës, e çojnë ndërmarrësin e mirëfilltë drejt kufirit të skajshëm të ekzistencës dhe i rrezikojnë edhe ato pak vende pune që janë.
Nuk është për t’u habitur, prandaj, se shumë qytetarë do të mësojnë të ndiejnë gjithnjë e më shumë afërsi me ndërmarrësit e mirëfilltë, të cilët përmes inovacionit, hulumtimit, zhvillimit të produkteve e shërbimeve, kontributeve e taksave dhe krijimit të vendeve të punës bëjnë ndikim të menjëhershëm pozitiv tek qytetarët.
Këtu qëndron edhe shpresa për ndryshim. Kapacitetet e shoqërisë civile, të individëve e grupeve me prirje të mirëfilltë patriotike, nuk mjaftojnë për të bërë ndryshimin pa ndihmën e ndërmarrësve burrështetas. Këta janë antidoti më efikas kundër veprimeve toksike të “burrështetasve” ndërmarrës. Ka nevojë vetëm për mobilizim dhe krijim të platformave të përbashkëta të veprimit.
(Autori është kryetar i Iniciativës Ekonomike për Kosovën, ECIKS, me seli në Vjenë. [email protected])
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...