Muret

16 Shkurt 2017 - 08:43 - Enver Robelli      

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, në fakt, mund të jetë shans për serbët e Mitrovicës për të përshpejtuar projektin e themelimit të Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS). A do të jetë BKS shkurtesa zyrtare e bashkësisë?

«Kriza është gjendje produktive. Asaj vetëm duhet t’i hiqet shija e katastrofës», mendonte shkrimtari zviceran Max Frisch. Një person që në Twitter shkruan me emrin e Slobodan Milosheviqit së fundi, pasi serbët e Mitrovicës pranuan të largonin murin që kishin ngritur për të betonuar edhe më shumë ndarjen e qytetit të ndarë që nga viti 1999, shkroi: «Kriza është shans yni zhvillimor, atë murin e Mitrovicës së Kosovës mund t’ia shesim (Donald) Trumpit». Muri, në fakt, mund të jetë shans për serbët e Mitrovicës për të përshpejtuar projektin e themelimit të Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS).

A do jetë BKS shkurtesa zyrtare e bashkësisë? Nuk dihet ende, por për shkak të ekonomisë shkrimore këtu po e përdorim. Është e mundshme që krerët e Listës Serbe tashmë të kenë përgatitur flamurin e BKS-së dhe stemën e BKS-së. Këta s’janë si shqiptarët që flamurin e shohin dy dakikë pasi shpallet pavarësia. «Ky është flamuri i Kosovës», tha atëbotë një politikan i lartë ndërsa ia prezantonte bajrakun botës, kuvendarëve, shqiptarëve, pakicave. Populli shumicë i Kosovës tani me kureshtje do të shikojë se si do të duket flamuri i «Zajednicës», siç i pëlqen ta quajë Vetëvendosje BKS-në.

Dikush ia sheh hairin murit, dikush sherrin. Meksikanët, për shembull, nuk janë entuziazmuar me planet e presidentit Donald Trump për të ndërtuar një mur në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës. Kufiri mes dy shteteve është më shumë se 3000 kilometra i gjatë. Të ndërtosh një mur të tillë kushton miliarda dollarë. Biznesmeni Trump e kishte një ide: ne amerikanët ndërtojmë, meksikanët paguajnë. Pala meksikane u përgjigj qartë: jo, jo, jo. Dhe kryetari i Meksikës anuloi një takim me Trumpin. Mbetet të shihet nëse muri do të ndërtohet në 4 vjetët e ardhshëm ndërsa Trump është padron i Shtëpisë së Bardhë.

A do ta shpëtojë Trumpi Amerikën duke e mbyllur kufirin me Meksikën (nëse arrin ta bëjë këtë)? Thuhet se kinezët ndërtuan murin e tyre të famshëm për t’u mbrojtur nga nomadët që vinin nga veriu. Mbi gjatësinë e murit ka vlerësime të ndryshme: 5000 deri 7000 kilometra. Pjesa më e madhe e murit u ndërtua nën dinastinë Ming (1368-1644). Ato pjesë të murit që ekzistonin nuk arritën të mbronin Kinën nga pushtimi mongol (1279). Në kohërat moderne, megjithatë, liderët e Kinës e lartësuan murin në simbol të mbrojtjes së Kinës - ndonëse ky pretendim ishte larg së vërtetës.

Shqipëria e Enver Hoxhës nuk ndërtoi mure për ta izoluar vendin, por bunkerë. Rreth 700 mijë kërpudha betoni shëmtuan male, plazhe, kodra e qytete shqiptare. Në rast rreziku nga Italia apo Greqia aty do të gjenin vend tre deri një duzinë shqiptarësh, varësisht nga madhësia e bunkerit. Bunkerët nuk e mbrojtën Shqipërinë fare, sistemi u kalb nga brenda, mijëra shqiptarë ikën nga vendi sapo panë shansin e parë.

Gjermanët që e përkrahnin Hitlerin mendonin se duhej ta izolonin Evropën me një mur prej disa mijëra kilometrash nga Franca në Norvegji. Muri i Atlantikut (Atlantikwall) është një nga ato projektet naziste ku shihej «megalomania gjermane», siç shkruan një gazetë gjermane në ditët e sotme. Kur ushtarët amerikanë dhe ata britanikë zbarkuan në Normandi, ata e shkatërruan murin brenda orëve. Për avionët që aterronin nga Amerika në Evropë muri ishte vetëm një shenjë në tokë.

«Askush nuk e ka ndërmend të ndërtojë një mur!» Këtë fjali e tha më 15 qershor 1961 Walter Ulbricht, kryetar i shtetit dhe i partisë në Republikën Demokratike të Gjermanisë. Dy muaj më vonë muri që ndante Berlinin u ndërtua. Ulbricht konsiderohet si njëri prej gënjeshtarëve më të mëdhenj të shekullit XX. Qëllimi i murit nuk ishte vetëm të ndante Berlinin, por të pengonte qytetarët e Gjermanisë Lindore të iknin në pjesën perëndimore të vendit. Në 302 postblloqe ushtarët gjermanolindorë vëzhgonin çdo lëvizje; së paku 136 njerëz u vranë në Murin e Berlinit deri më 9 nëntor 1989, atë ditë kur ra një nga ngrehinat më të turpshme të shekullit XX.
Një mur e ka ndërtuar edhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, njëri prej politikanëve më mizorë izraelitë kundër palestinezëve. Pasi Donald Trump paralajmëroi ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, Netanjahu shkroi në Twitter: «Presidenti Trump ka të drejtë. Unë kam ndërtuar një mur në kufirin jugor të Izraelit. Ai e ka ndalur imigrimin ilegal. Sukses madhështor, ide madhështore». Zgjedhësve të tij Netanjahu u thotë: «Duhet të mbrohemi kundër kafshëve grabitqare». Me këtë gjuhë raciste Netanjahu në të vërtetë synon të largojë vëmendjen nga një fakt tjetër: muri është ndërtuar edhe për të grabitur tokë palestineze dhe për të ndarë vendbanime palestineze. Natyrisht, qëllim zyrtar i murit është mbrojtja e Izraelit nga sulmet vetëvrasëse të terroristëve palestinezë. Por është politika represive e Izraelit, aparteidi shtetëror kundër palestinezëve, që për çdo ditë «prodhon» sulmues vetëvrasës.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...