Rikthimi në gjendjen e mëparshme

14 Janar 2017 - 09:55 - Miodrag Vlahoviq      

Deklaratat publike të Ivica Daçiqit përbëjnë një paralajmërues të tensioneve politike në ardhje në relacionet ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës. Politikat serioze dhe të përgjegjshme në Mal të Zi, si të pozitës ashtu edhe opozitës, duhet t’i paraprijnë kësaj

Deklaratat më të fundit të ministrit serb të Punëve të Jashtme tanimë kanë hasur në reagime të ndara të opinionit, duke nisur nga analizat serioze deri te komentet (e arsyetuara) tallëse.
Ministri Daçiq tanimë është deklaruar për shumë tema dhe na ka rikujtuar faqet më të shëmtuara të historisë jo fort të largët – si të vetë atij ashtu edhe të vendit që përfaqëson. Vërejtjet përçmuese të rastit dhe ofendimet në llogari të Malit të Zi dhe malazezve vetëm sa e kanë plotësuar përshtypjen e përgjithshme. Kthim prapa në të kaluarën e errët!

Ajo që pa dyshim është më me rëndësi janë konteksti dhe koha në të cilën Ivica Daçiq del me teza dhe ide që kundërmojnë konfrontim dhe përleshje. Daçiq flet për veten, mirëpo thotë shumë më tepër për klimën politike në Serbi.

Trendi në rajon shkon në dobi të kësaj shprehie të vjetër. Ndikimi rus në Ballkan po shënon një kulm të ri. Bashkimi Evropian është në krizë, edhe po të mos ishte Brexiti, ndërsa retorika e Trumpit ka shkrirë shumë ëndrra të ngrira, më saktësisht ankthet e natës, në fqinjësinë tonë. Gjendja në Maqedoni është gjithnjë e më jo e thjeshtë; Bosnjë e Hercegovina e Daytonit ndodhet në krizën më të madhe që prej krijimit. Marrëdhëniet Serbi-Kosovë përbëjnë një përzierje të konfliktit me intensitet të ulët dhe radikalizmit intensiv politik. Në fund – dhe për ne më me rëndësi – Mali i Zi po i afrohet “në mënyrë të padurueshme” anëtarësimit të plotë në NATO.

Mbi të gjitha – pasojnë zgjedhjet presidenciale në Serbi. Kush do të bëhet me kë dhe kundër kujt, dhe pse, do ta shohim. Në një plejadë me shumë të panjohura, disa gjëra, të paktën për ne në Mal të Zi, megjithatë, janë më të dukshme se për të tjerët.
Së pari, kushdo që të jenë dy kandidatët përfundimtarë në zgjedhjet presidenciale serbe, njëri do të jetë i zgjedhuri i Moskës dhe i interesave të saj në Serbi. Ndikimi rus në ekonominë serbe, në politikën dhe, natyrisht, në media e imponon një finale të tillë.
Së dyti, retorika nacionaliste është gjithnjë e më e pranishme dhe e pashmangshme dhe do të bëhet, edhe më shumë se sa përpara, e domosdoshme në skenën politike serbe. Shkaqe për këtë ka shumë, e arsyetime edhe më shumë. Konfrontimet me Kroacinë, politika e Dodikut që gjithnjë e më shumë e shtynë Serbinë në pozitën e pengut, politika kaotike ndaj Kosovës – të gjitha këto janë mjete për kthim në marrëdhënien e vjetër me Malin e Zi. “Serbizmi” kështu dëshmohet më së lehti.

Së treti, edhe vetë kryeministri Vuçiq, të cilit nuk mund t’i kontestohet fakti se ndaj vendit tonë kishte qëndrim të matur dhe të balancuar, për mundësitë dhe zakonet politike serbe, ndodhet nën presion të madh edhe nga adresat serbe ashtu edhe nga ato të jashtme.
Marrëdhënia e tij korrekte me Gjukanoviqin për shumë kë është halë në sy, një anomali jo e këndshme që duhet zhbërë sa më parë.
Dhe kështu me radhë – do të mund të gjendeshin edhe shumë tregues të tjerë që e vënë në pah kthimin e parashikueshëm (dhe të trishtuar) të politikës serbe kah pozicionet dhe qëndrimet e kohërave të Milosheviqit dhe të Koshtunicës.

Prandaj nuk është rastësi që në leksionet e Daçiqit kundër Malit të Zi, pranimi ynë i pavarësisë së Kosovës ka një vend dhe rëndësi të veçantë. Rastësisht, Daçiqi nuk është i vetëm në këtë: shumë zyrtarë serbë edhe më tutje sillen sikur pikërisht njohja malazeze e ka bërë Kosovën të pavarur. Prandaj politika serbe, jo vetëm ndaj Malit të Zi, por edhe me shtetet e tjera të rajonit, është e ngarkuar me koncepte dhe ide që i ka shkelur koha. Ministri Daçiq i bashkohet kësaj me shumë qejf. Përveç kësaj, ai e përdor letrën më të lirë, e cila godet pikërisht aty ku duhet – disa armiqësi historike dhe bashkëkohore të mitomanisë serbe në një deklaratë! Dëgjuesit e dëshiruar janë votuesit serbë. Ka më pak rëndësi se si deklaratat e ministrit jehojnë në Podgoricë apo në rajon.

Për shkak të të gjitha këtyre, deklaratat publike të Ivica Daçiqit thjesht përbëjnë një paralajmërues të tensioneve politike në ardhje në relacionet ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës. Politikat serioze dhe të përgjegjshme në Mal të Zi, si të pozitës ashtu edhe opozitës, duhet t’i paraprijnë kësaj.
Për të parën, anën e qeverisë, vështirë se do të mund të gjendeshin arsyetime, e edhe logjikë, që të tërhiqet prej politikës së matur dhe efektive, e cila e kishte karakterizuar marrëdhënien e saj ndaj Beogradit zyrtar, si gjatë periudhave të këqija ashtu edhe gjatë atyre pak më të këqija të historisë më të re të marrëdhënieve serbo-malazeze.

Për të dytë, anën opozitare, më saktësisht ato pjesë të saj që dikur kanë qenë të gatshme që për këtë gjë të flasin dhe të veprojnë haptas, çdo vonesë e mëtutjeshme në pasqyrimin e interesave nacionale dhe shtetërore malazeze bart me vete rrezikun e vetëmargjinalizimit. Dhe kjo gjë, vërtet, do të ishte e durueshme nëse inercia dhe disorientimi i tyre politik të mos i dobësonte njëkohësisht edhe kapacitetet e përgjithshme të politikës malazeze para sfidave të shumta që na presin.

Prandaj, z. Daçiq, në të vërtetë, duhet falënderuar për faktin se na ka rikujtuar – jo qëllimisht, siç thuhet në njërën prej gjuhëve tona – për interesat tona.

(Autori ka qenë ministër i Jashtëm i Malit të Zi. Ky vështrim është botuar në gazetën malazeze "Pobjeda")

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...