Gruevski: Historia e një antishqiptari

25 Janar 2017 - 20:15 - Petrit Saraçini      

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, negociatat në Maqedoni rreth Qeverisë së re janë në pat – pozitë. Ali Ahmeti “është në hall të madh” – të zgjedhë mes Gruevskit e VMRO DPMNE-së dhe Zaevit e LSDM-së. Ose, mes pesë skenarëve të ndryshëm –siç i shpalosi ai dhe partia e tij në media.

E, për t’ia “lehtësuar” hallin, paskan filluar të shtohen zërat në mediat shqipe jashtë Maqedonisë, të cilat po tentojnë të favorizojnë mendimin e të bindin shqiptarët se Gruevski qenka opsion më i mirë për ta?!

Ndoshta në kilometra, Shkupi e Tetova nuk duken aq larg nga Prishtina e Tirana, por shikuar nga distanca e ofruar prej byrove të analistëve mendjehollë, duken larg sikur Plutoni. Ai planeti, në skaj të Sistemit Diellor. Ose, sikur nuk flasim për të njëjtën situate, vend, e për të njëjtin njeri.

Po të më pyesni mua, më duket shumë më i përafërt varianti se këta zëra që kakarisin budallallëqe, kanë qenë “të lyer” e “të akorduar”, në mënyrë adekuatë, për të kënduar këtë “këngë të bukur” e për t’i thurur lavde Gruevskit. Kësaj, në shkencën e profesionin që i përfaqësoj, i thonë klientelizëm mediatik. Ose, instrumentalizim i medias për qëllime dhe përfitime politike e të tjera.

Por, ta zëmë se jam gabim. Ta zëmë se mbi 90% e shqiptarëve, të cilët në të gjitha sondazhet relevante (e bile edhe në ato jo relevantet) në Maqedoni për të gjitha këto vite janë shprehur negativisht ndaj Gruevskit, qenkan budallenj.
Ja, ta zëmë që, ajo që Gruevski është “gogol” për shqiptarët e Maqedonisë, nuk është rezultat i asaj që ai në vazhdimësi ka përdorur shqiptarët si “gogol”. Si material, për të sendërtuar politikën kyçe me të cilën ai fiton vota – antishqiptarizmin, si bazë nismëtare për “patriotizmin” e tij.

Ja, të themi që shqiptarët nuk qenkan “gogoli”, i cili në këto 10 vjet i ka kryer më shumë punë Gruevskit se sa të gjithë “gogolët” tjerë së bashku. Duke filluar nga greku dhe çështja e emrit, Brankoja (ish-lideri i LSDM-së, edhe një “gogol” i vjetër, edhe për shqiptarët), Amerika, Evropa, masonët, fuqitë e errëta, furgonët e verdhë me antena që u “shafaqën” sipas Gruevskit gjatë skandalit të përgjimeve, shërbimet e huaja, Zaevi, për të përfunduar me “gogolin” e fundit – Sorosin famëkeq.

E po, çfarë të mirash na solli Gruevski neve shqiptarëve të paditur të Maqedonisë, që jeni rrokur penash, o ju të ndriturit e kombit, për të na nxjerrë nga terri? E di që nuk e dini, sepse ju nuk merreni me cikërrimat, siç janë faktet.
Po, ua them unë. Në paçi durim të lexoni përtej titullit e shumë-shumë dy paragrafëve, që do të ishte edhe një e arritur intelektuale për ju. E për të tjerët, sidomos për shqiptarët e Maqedonisë, le të jetë kjo një përsëritje e strukturuar e asaj që kanë shijuar në lëkurën e vet, një rekapitullim i historisë politike të Gruevskit, përmes “të mirave” të tija ndaj shqiptarëve, të bëra drejtpërsëdrejti por edhe tërthorazi.

Ja, të themi, se shqiptarët janë të helmuar, siç thotë tash Gruveski, nga Sorosi dhe propaganda e tij.
Mirëpo, i njëjti ai Gruevski, para pak më shumë se dy vitesh, kishte fajtor tjetër. Ata që mbajnë mirë mend (e për ata që nuk mbajnë mend, rroftë Google), mu para zgjedhjeve (përsëri të parakohshme) parlamentare në Maqedoni në vitin 2014, Gruevski iu drejtua në fushatë me video klip – shqiptarëve. Atëherë, për imazhin e tij të keq te ata nuk e fajësoi Sorosin, por partitë e shqiptarëve, të cilat ia paskëshin vjedhur meritat për projektet dhe e paskëshin paraqitur keq para tyre.

Në atë klip legjendar, Gruevski i fajëson partnerët e tij shqiptarë se kanë menduar shumë më tepër për interesat personale, se sa për ato të popullit. Se nuk kanë menduar për punësime, për ekonomi, për infrastrukturë, por i kanë gënjyer me gjuhë e flamur. Përkundër këtyre mashtruesve (me të cilët tash bën negociata për qeveri), ai lavdërohet me të mirat që ai ua paska bërë votuesve shqiptarë, enkas, por edhe në kuadër të të mirave “për të gjithë qytetarët”.
Dhe, filloi të rendisë, ato që i rendit çdo ditë, në dhjetëra mediat që kontrollon propaganda e tij.

Filloi me subvencionet për bujqit (që i marrkan edhe shqiptarët) – përderisa bujqësia çdo vjet në Maqedoni prodhon më pak (e thotë Enti Shtetëror i Statistikës), e subvencionet janë edhe një skemë për korruptim dhe shantazh të votuesve. Përmendi aparaturën dhe modernizimin e spitaleve (ku shkojnë të gjithë, apo) – në të cilat çdo ditë vdesin njerëz, shpesh nga pakujdesia dhe amatorizmi, mungesa e kuadrove, mjeteve, barnave….U lavdërua me studimet e disperzuara – në fakt, me reformën e dështuar kolosalisht në arsimin sipëror, që prodhoi dhe prodhon analfabetë funksionalë. Foli për bursat për shkollim në universitetet elite botërore, të cilat s’e besoj t’i ketë shijuar ndonjë shqiptar, së paku jo nga “plebsi” jashtë BDI-së.

Vazhdoi me premtimet me autostradat, që do të filluaka t’i ndërtojë (e që do t’i shfrytëzuakan edhe shqiptarët) dhe rrugët në vendbanimet me shqiptarë. Hej, në 2014tën, pas 8 viteve pushtet me vetëm 8 kilometra të ndërtuara, i ra ndër mend që shteti i ka mbetur pa autostrada, ose me asfaltin e arnuar nga koha e Titos! Apo, s’iu kujtua që për 8 vite rresht deri atëherë nuk bëri asgjë, përkundrazi, e frenonte sa mundte Korridorin 8, i cili kyç edhe Shqipërinë?

Si zakonisht, u lavdërua me uljen e papunësisë, në vendin me mbi gjysmë milionë banorë të emigruar brenda 10 viteve të fundit sipas Bankës Botërore! Në vendin, në të cilin një e treta e popullatës jeton në varfëri të skajshme, e pothuajse 60 % e rinisë është pa punë! Merreni me mend, sa shumë të mira u paska bërë Gruevski, jo vetëm shqiptarëve, po mbarë qytetarëve të Maqedonisë, pavarësisht përkatësisë!

Nejse, e zgjata pak me elaboratin e të mirave për shqiptarët, të thëna e sublimuara nga Gruevski në vitin 2014. Për pak do t’i harronim të pathënat. E lista e tyre është shumë më e gjatë, sepse ky njeri më shpesh i realizon ato që nuk i premton, se sa ato që i premton. Por, do të veçojmë disa prej “të mirave” kryesore që ai dhe pushteti i tij ua bënë shqiptarëve, si dhe anasjelltas.
Fillimisht, na nevojitet një hyrje dhe kontekst. Gruevski, prej një personi që konsiderohej i pagdhendur politikisht dhe nën hijen e patronit të tij politik, ish-kryeministrit dhe liderit të VMRO-së Georgievskit, nisi rritjen e tij në rajtingje dhe në yjësinë politike në Maqedoni në vitin 2004, si lider i sapoardhur i partisë më të madhe opozitare, mu me çështjen e ligjit për ndarjen territoriale, që mundësoi një pozitë pak më të favorshme për shqiptarët sa i përket komunave dhe vetëqeverisjes lokale.

VMRO-DPMNE, atëbotë e sulmoi ligjin e sjellë nga qeveria LSDM-BDI si një koncesion ndaj shqiptarëve që çon në federalizim dhe ndarje të shtetit (ju duket e njohur?). Atë vit, opozita nisi zyrtarisht iniciativën për referendum për të parandaluar ligjin. Referendumi, në të cilin dominoi retorika antishqiptare, dështoi, sepse LSDM-ja dhe BDI-ja (dhe shqiptarët në përgjithësi) e bojkotuan referendumin. Mirëpo, Gruevski dhe VMRO-ja opozitare fituan mbi 500.000 vota, që e tregoi qartë trajektoren e fituesit të ardhshëm – në zgjedhjet parlamentare, dy vite më vonë.

Mirëpo, Gruevski nuk u ndal këtu. Ai para zgjedhjeve të 2006tës përsëriste shpesh publikisht se do të vendosë “moratorium në çështjet ndëretnike”, se për të Marrëveshja e Ohrit është çështje e mbyllur, se do të fokusohet në ekonomi…E më së shumti përsëriste se ai “nuk do të bëjë qeveri me terroristë”. 2006tën, pas zgjedhjeve të cilat i fitoi me shumicë të ngushtë, Gruevski i realizoi synimet e veta. Edhe krahas asaj që BDI fitoi përsëri shumicën dërrmuese të votave shqiptare, ai për bashkëqeverisje zgjodhi partnerin “e vjetër”, PDSH-në.

Dy vitet e ardhshme, kaluan me pak ekonomi, e më shumë në bllokada e bojkote parlamentare të BDI-së. Në nëntor të vitit 2007, njësitet speciale të policisë maqedonase u futën me armatim të rëndë në fshatin Brodec të Tetovës dhe u përleshën me një grup të armatosur shqiptar, që rezultoi me 8 shqiptarë të vrarë e dhjetëra të arrestuar, por edhe me qindra banorë të bastisur, të rrahur e keqtrajtuar në forma të ndryshme.

“Ekonomisti i fokusuar” Gruevski ndërkohë, si duket, ndërroi fokusin. Riemërtimet e aeroportit, stadiumit dhe autostradës me emrat e Lekës së Madh dhe Filipit të II, i dhanë pretekst Greqisë për të paraqitur këtë në arenën ndërkombëtare si provokacion, si pretendim territorial dhe vjedhje të historisë. Kjo më vonë rezultoi me veton greke për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008. Me këtë, Gruevski për një periudhë më të gjatë kohore e “frenoi” aspiratën pothuajse unanime të shqiptarëve të Maqedonisë për integrim në Perëndim dhe strukturat euroatlantike.

Po atë vit, Gruveski shfrytëzoi dëshpërimin mbarëkombëtar me veton te maqedonasit, dhe me zgjedhje të shpejta (kuptohet) të parakohshme parlamentare, me ndihmë të BDI-së, me të cilën bëri Marrëveshjen e Majit që nuk e respektoi asnjëherë deri në fund, i deklasoi opozitarët socialdemokratë, të cilët u portretuan si “tradhtarë” që “duan ta shesin emrin”. BDI-ja, e cila tash vë kusht bisedat për emrin dhe integrimet, atëherë e konsideronte këtë “punë të maqedonasve”.

Zgjedhjet e vitit 2008 ishin ndër më të zezat në historinë e Maqedonisë, me të vrarë dhe të plagosur, të shtëna me armë, dhunë…Edhe krahas ndihmës logjistike të Gruevskit që e kishte partneri i tij PDSH-ja, BDI përsëri mori shumicën e votave shqiptare, dhe në këtë mënyrë u trasua qartë edhe rruga për koalicionin e ri, VMRO-BDI. Pas dy viteve të humbura, kot.
Me pushtetin e ri VMRO-BDI, duke futur ‘dy ekstremë’ në një thes e në një zgjedhë, pra, ata që shiheshin përmes shënjestrave gjatë konfliktit në vitin 2001, u arrit stabilitet politik. Së paku ashtu u dukej në fillim ndërkombëtarëve. Po së shpejti, “komandantët dhe komitët” kuptuan se edhe mund të “bashkëpunojnë”. Shpeshherë, duke shfrytëzuar çështjet ndëretnike për përfitim politik ose për shpërqendrim të vëmendjes prej problemeve aktuale, prej korrupsionit dhe krimit.

Ndërkohë, Gruevski nuk rreshti së bëri “të mira” ndaj shqiptarëve, të gjitha në funksion të strategjisë së tij politike.
Në vitin 2008, pushteti e përgatiti edhe të ashtuquajturin ligj “për fëmijën e tretë”, që parashihte ndihmë financiare për familjet që do të kenë fëmijë të tretë, mirëpo vetëm në komunat ku ka problem me shtimin natyror, gjë që automatikisht shkyçte komunat ku banojnë shumicë shqiptarësh! U desh që të bëhet iniciativë para Gjykatës Kushtetuese, që të anulohen pjesët diskriminuese të këtij ligji.

Gruevski ishte edhe “inspiratori dhe promotori” kryesor i Enciklopedisë e famshme, që u botua në vitin 2009, në referencat e të cilës shqiptarët, mes tjerash (ato të zakonshmet për “gogolin”), cilësohen edhe si “malokë”.

Në zgjedhjet (çuditërisht të rregullta) presidenciale në po këtë vit, edhe një lojë e vockël e Gruevskit në terrenin “shqiptar”. Në raundin e parë, mbi 100.000 vota, kyçur këtu dhjetëra mija vota të maqedonasve, shkuan në konton e Imer Selmanit, një politikan pa strukturë e makineri tradicionale partiake prapa tij! Ai në media u konstruktua si imazh i “Obamës shqiptar” në shtetin maqedonas, që i bashkoi maqedonasit dhe shqiptarët. Ndoshta për naivët.
Për ata që i dinë gjërat më mirë, dhjetëra mija votat maqedonase e Selmanit (ish-ministër për shëndetësi në qeverinë e parë të Gruevskit, atë me PDSH-në), ndonëse ka pasur edhe të tillë që i kanë dhënë me sinqeritet, shumica ishin vota partiake të VMRO DPMNE-së që kishin qëllim: t’ia ulin “çmimin e pazarit” BDI-së, sepse Selmani fitoi shumë më tepër vota se kandidati i saj Agron Buxhaku, si dhe të dobësojnë sa më shumë pozitat e Lubomir Fërçkoskit të LSDM-së, i cili përveç kësaj bartte edhe bagazhin negativ ndaj shqiptarëve, që nga koha e qeverisjes së tij si ministër i brendshëm i LSDM-së në vitet e 90ta. Fitorja e mandatit të parë si kryetar, më këtë “parapërgatitje”, bile edhe për një të humbur politik siç është Gjorge Ivanovi, nuk vihej në pyetje.

Po në këtë periudhë, u prezantua edhe ideja për projektin që shënoi vjedhjen e shekullit – Shkupin 2014. Gruevski edhe aty shfrytëzoi jo vetëm narrativin “antik”, por edhe “karshillëkun” ndaj shqiptarëve. Prodhoi një projekt pothuajse tërësisht mono – etnik, me qindra statuja të maqedonasve (ose atyre që historia e Gruevskit i konsideron si maqedonas), të cilave më vonë (kuptohet me marrëveshje e negociata politike si për çështje të “madhe”) iu shtuan disa buste të shqiptarëve, vendosja e të cilave zvarritej me vite.

Pafuqia e BDI-së në këtë kontekst u ilustrua më së miri më vonë, disa vite pas fillimit të dashurisë me VMRO-në, kur zyrtarë të lartë të BDI-së dolën me tokmakë e çekanë për të prishur bustin e Car Dushanit, të sjellë dhe ndërtuar me buxhetin e votuar mu prej tyre bashkë me VMRO-në. Bustin nuk e prishen, por e rriten tensionin. Muaj me radhë, njësite speciale e ruanin bustin dy- metrash të mbretit më të madh serb, të kurorëzuar në Shkup në shekullin XIV. E të mos flasim për “selfiet” e Artan Grubit me bustin e Metodija Shatorovit, në ngutje për të shpallur gjoja “fitore” me vendosjen e bustit të parë shqiptar (partizanit Nexhat Agollit) mes qindra komitëve, vojvodëve e mbretërve antikë e mesjetarë. Teatër i bukur.

Kur veç flasim për skulpturat, artin, teatrin dhe Artan Grubin, patjetër të përmendim edhe një prej episodeve të serialit mamutik me motive të dashurisë dhe urrejtjes mes partnerëve VMRO dhe BDI, atë të Kalasë të Shkupit në vitin 2010, që ishte një uverturë për zgjedhjet (e çfarë tjera, përveçse) të parakohshme parlamentare të vitit 2011.
Gruevski filloi të ndërtojë kishë (apo kishe-muze siç arsyetohej më vonë) në Kala. Politikanët shqiptarë u çuan peshë, shkuan natën dhe me ca ushtarë partiakë i thyen vetë ndërtimet e nisura. E, e gjitha kjo paraprakisht ka kaluar edhe në Qeveri edhe në buxhet, pa kundërshtim të shqiptarëve! Ditët në vijim në rrjetet sociale filluan thirrjet publike për “mbrojtje të Kalasë” mes grupeve të tifozëve – huliganë dhe grupeve nacionaliste maqedonase, ku dominon ndikimi i VMRO-DPMNE. Nuk vonoi në dakik kundërpërgjigja shqiptare, nga strukturat e ngjashme të afërta me BDI. “Beteja” e cila u zhvillua te Kalaja mes muskujve partiakë dhe huliganëve të atyre që bashkëqeverisnin, ishte cirk në vete. Polici maqedonas arrestonte shqiptarin, zëvendës- ministri e lironte, para kamerave. Me të gjithë këtë skenar të “mbrojtjes së Kalasë”, BDI dilte e fortë në sytë e shqiptarëve, e Gruevski, me fillimin e ndërtimit të kishës në Kalanë myslimane dhe “mbrojtjen”, doli po ashtu i fortë në sytë të elektoratit të tij.

Humbësit, përsëri, ishin qytetarët e rëndomtë dhe marrëdhëniet ndëretnike. Po të njëjtën lojë, BDI, dhe VMRO – DPMNE tentuan ta luajnë disa vite më vonë, me vendosjen e kryqit në Butel dhe shqiponjës në Tophanë të Shkupit.
(Autori është gazetar, hulumtues mediatik dhe aktivist për të drejtat e njeriut)

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...