Loja e rrezikshme me territore

4 Shkurt 2017 - 08:43 - Xhafer Shatri      

Për territore nuk flitet në këso situatash, kur Kosova ka ngecur keq në shtetndërtim. Për shkëmbim territoresh etj., mund të flitet pas njohjes reciproke, kur nuk ka tensione, kur ulen ekspertët dhe me gjakftohtësi mendojnë mirë për çdo shkronjë në marrëveshje dhe për çdo milimetër në territor.

1. Debati i sajuar

Posa u zgjodh president Donald Trump, mediat e përtypën me zhurmë një analizë, sipas së cilës në vitet që vijnë do të duhej bërë rikonfigurimi i kufijve të Ballkanit. Sipas autorit, në vend të 7 shteteve të ‘vogla’ do të formoheshin tri shtete të mëdha: Kroacia, Serbia dhe Shqipëria. Këto do të ndanin mes tyre 4 shtete: Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë… Pjesën e luanit, natyrisht, do ta merrte Serbia.

Autori i kësaj analize është Timothy Less, ish-diplomat që dikur kishte udhëhequr Zyrën britanike në Banjallukë. Pak ditë më vonë, një ide të ngjashme e përsëriti, për të satën herë, edhe Steven Meyer, zëvendësshefi i dikurshëm i CIA-s për Ballkanin.
Idenë e shkëmbimit të territoreve e përmendi në një intervistë edhe akademiku Rexhep Qosja. Për dallim nga herët tjera, kësaj radhe Qosjes iu kundërvunë edhe disa analistë me emër. Përndryshe bibliografia shqiptare është krejt e varfër me trajtimin e kësaj teme, ndërkaq ajo serbe është përplot me studime e publikime, në të cilat analizohen gjerësisht strategjitë dhe taktikat që kanë një synim të vetëm: zgjerimin territorial të Serbisë.

2. Copëtimi Kosovës, një strategji e kahershme e Serbisë
Kryeideologu i copëtimit të Kosovës ishte shkrimtari i njohur serb, Dobrica Qosiq. Për herë të parë këtë ide ai e shtroi më 1968, në një plenum partie. Ndërkaq, në prag të shpartallimit të Jugosllavisë, më 11 shtator 1990, Qosiq doli para Milosheviqit dhe krerëve të tjerë serbë me propozimin që të bëhej një plan sekret për ndarjen e Kosovës, ku 77% e territorit do t’i takonte Serbisë, ndërsa 33% shqiptarëve! (NSPM, 20 maj 2011)

Kur Qosiq u emërua kryetar i Jugosllavisë së tretë (qershor 1992), ai qenkësh përpjekur të flasë edhe me shqiptarët për këtë çështje. Shefi i tij i kabinetit, e më vonë edhe ministër i jashtëm i Serbisë, Ivan Mrkiq, ka deklaruar se Qosiqi gjoja paskësh filluar, jo pa sukses, bisedimet me Rugovën për ndarjen e Kosovës, porse ato paskëshin mbetur pezull pas shkarkimit të Qosiqit (maj 1993). (Blic, 29 maj 2011)

Këtë duhet marrë me shume rezervë, sepse Rugova ishte tepër i matur, për t’u lëshuar në një lojë aq të rrezikshme, por nuk përjashtoj mundësinë që ndonjëri prej ‘këshilltarëve’ të tij, shumica të vetëshpallur e ndonjë edhe shumë i dyshimtë, mund të jetë lëshuar për hesapet e tij në bisedime të tilla antishqiptare…
Më 1992, eksperti serb për planifikimin hapësinor, Branislav Krstiq, i propozoi kryeministrit të atëhershëm jugosllav, Milan Paniq, një plan, sipas të cilit më shumë se një e treta e Kosovës, kryesisht në veri dhe në lindje, duhej t’i takonte Serbisë… (Svedok, 08 jun 2011)
Plani i detajuar i Krstiqit më vonë është publikuar në formë të zgjeruar në disa libra.
Më 1993, një plan të ngjashëm e kishte propozuar edhe gjeografi serb, Milovan Radovanoviq.

Po këtë vit, javorja italiane “Limes” botoi një analizë të gjatë dhe një hartë, ku Kosova ishte masakruar me gërshërët e Qosiqit: Peja e Deçani do t’i takonin Malit të Zi, ndërsa veriu i Kosovës dhe pjesa qendrore e lindore deri edhe te Prizreni do t’i takonin Serbisë.
Pas Dejtonit, ku Serbia ia kishte arritur të siguronte ekzistencën e Republikës Serbe në Bosnjë, në vitin 1996, ideja për ndarjen e Kosovës u shpërfaq zëshëm nga kryetari i Akademisë serbe, Aleksandar Despiq. Sipas tij ndarja ishte e domosdoshme, sepse "pas 20-30 vitesh, Serbia do të bëhet shtet i dy popujve me numër të përafërt, një vend me dy gjuhë krejt të ndryshme…"
Në vitin 1998, kur flakët e luftës kishin përfshirë krejt Kosovën, historiani serb, Dushan Batakoviq, publikoi në revistën italiane "Limes" një plan të detajuar për ndarjen e Kosovës, sipas të cilit në Kosovë duhej formuar 5 kantone serbe, që do të qeveriseshin prej tyre, ndërkaq qytetet e mëdha do të kishin qeverisje mikste. Një lloj mishmashi çfarë e shohim tash e dy dekada në Bosnjë e Hercegovinë…

Duhet përmendur se planin e Batakoviqit e mbështetën edhe përfaqësuesit e Kishës serbe në atë kohë, dhe të njëjtin ua patën dorëzuar zyrtarëve të Fuqive të Mëdha.
Këtë version, në një masë e duke i shtuar edhe afate kushtëzuese, e botuan më vonë edhe dy intelektualë grekë, Kofos e Veremis te ’The International Spectator’.
Po atë vit, Dobrica Qosiq ua pati dërguar një propozim për ndarjen e Kosovës, presidentëve Jacques Chirac e Viktor Çernomirdin. Sipas këtij propozimi, veriu i Kosovës do t’i bashkohej Serbisë, jugu shqiptarëve, ndërsa Prishtina do të ishte një distrikt i veçantë... Në këtë frymë Qosiq, pati botuar edhe dy artikuj në dy gazeta të ndryshme, në "Le Figaro", prill 1998 dhe në "La Republica", tetor 1998.
Në ditarin e tij, më 11 tetor 1998, Qosiq shkruante: Zgjidhja më e mirë është zgjidhja e përhershme: shkëputja e Kosovës, përkufizimi territorial, prerja e atij kanceri nga trupi i lodhur e i poshtëruar i Serbisë…(misha.blog, 1 tetor 2013)

Ndërkaq më 30 prill 2000, pasi kishin ndryshuar rrethanat, Qosiq ankohet: "Jemi të detyruar të sakrifikojmë shumë që të mos i humbim të gjitha…" Më 28 prill 2006, ai dënes: "Shikuar nga aspekti demografik ne e kemi humbur Kosovën. Përgjithmonë! Ndarja ishte e mundshme por, gjithnjë me kusht, vetëm deri në vitin 1990, kur ambasadori Cimmerman foli me mua dhe ma ofroi 1/3 e Kosovës!" (Nedeljnik 24. 04. 2014)
Edhe pas Luftës përçapjet serbe për ndarjen e Kosovës nuk munguan. Më 12 maj 2001, shefi i Zyrës serbe për Kosovën, Nebojsha Çoviq, doli me planin për krijimin e dy entiteteve në Kosovë, atij serb, i cili do të mbrohej nga policia dhe ushtria jugosllave dhe entitetit shqiptar që do të gëzonte autonominë më të gjerë. (IWPR Balkans, 27 korrik 2001)

Por një plan konkret të copëtimit nisi ta zbatonte Zoran Gjingjiq. Ai, në vitin 2002, në një tubim të mbyllur deklaroi: "Zgjidhjet e mira për Kosovën janë harxhuar deri në vitin 1999. Neve na kanë mbetur zgjidhjet e këqija. Ajo që është më së pakut e keqe, është ndarja e Kosovës." (Svedok, 8 jun 2011)
Në nëntor të vitit 2004, qeveria e Serbisë doli me planin për decentralizimin e Kosovës, sipas këtij plani duhej formuar 5 rajone të banuara me serbë në Kosovë. Një vit më vonë me një plan për ndarjen e Kosovës në dy etnitete, doli edhe presidenti serb, Boris Tadiq.

Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë një ide më të përmbledhur për ndarjen e Kosovës e shpërfaqi historiani serb, Slobodan G. Markoviq: "…në rast se Serbia do të humbte Kosovën, do të thotë se ka humbur 12.38% të territorit të saj. Prandaj po aq për qind të territorit Serbia duhet t’ia marrë Kosovës. Në rast se dikush nga shqiptarët mendon se u dashka të marrin Preshevën, atëherë Serbia duhet t’ua lërë atyre Shtërpcën, dhe këto dy komuna le të shkëmbehen njëra për tjetrën!" ("Pescanik", 1. 03. 2008)
Më 2011, Ivica Daçiq, atëherë ministër i Brendshëm i Serbisë, propozoi ndarjen e Kosovës në pjesën serbe dhe në pjesën shqiptare…Një vit më vonë ai, por në cilësinë e kryeministrit të Serbisë, e përsëriti këtë ide, duke bërë pastaj një tërheqje taktike, kinse ai kishte folur jo si kryeministër, por si kryetar i një partie politike.

Në vend të shqiptarëve, Daçiqit ia dha një përgjigje meritore eksperti për çështje të Ballkanit, Daniel Server: "Ndarja e Kosovës ‘është një ide e tmerrshme’, porse kjo ide do të çonte edhe te ndarja e Serbisë…, sepse atë që do ta kërkonte Serbia në veri të Kosovës, të njëjtën gjë do të kërkonin edhe shqiptarët për Luginën e Preshevës. Analogjia është e qartë dhe e pashmangshme, por nuk besoj se këtë do ta pranonte Serbia." (Radio "Slobodna Evropa", 11 maj 2011)

Në tetor të vitit 2015, kryetari i Akademisë së Shkencave të Serbisë, Vladimir Kostiq, bëri një deklaratë të papritur. Ai e tha publikisht: "Dikush duhet t’ia thotë këtij populli se Kosova as de facto e as de jure nuk është më në duart tona. Druaj se në këtë moment e vetmja mençuri politike do të ishte që me dinjitet ta lëshojmë Kosovën…" (Beta, 18 tetor 2015)
Mirëpo, babai i kombit serb, Dobrica Qosiq, e kishte dhënë këtë verdikt një vit më parë dhe vetëm një muaj para se të vdiste: "Për mua çështja e Kosovës ka mbaruar. Kjo do të thotë se ajo nuk ekziston më si krahinë jugore serbe. Gjeneratës suaj i sugjeroj të mos harxhoni energji në çështjen e Kosovës, sepse atë e ka zgjidhur historia, por pa ne…" ("Nedeljnik" 24. 04. 2014)
Duhet nënvizuar se, në të gjitha rastet kur Serbia, qoftë përmes ekspertëve, zyrtarëve etj., qoftë përmes ndikimit te qarqet e ndryshme të huaja, shpërfaqte idenë për ndarjen e Kosovës, rregullisht merrte përgjigje kundërshtuese nga fuqitë perëndimore, por, çuditërisht, gati asnjëherë nga autoritetet e Kosovës.

3. Kthesa e keqe, ngjarjet shtetrrënuese të vitit 2004

Rreziku i copëtimit të Kosovës, me gjasë, kurrë s’ka qenë më i madh se pas trazirave të marsit të vitit 2004, të cilat u organizuan fund e krye nga shërbimet serbe dhe nëntoka politike e Kosovës e udhëhequr nga SHIK-u.
Dy ditë pas këtyre trazirave shtetrrënuese, më 19 mars 2004, në "Washington post", u botua një artikull, ku thuhej: "Pas kësaj që ka ndodhur më 17 mars, duhet të jetë e qartë se cila është zgjidhja më e mirë për Kosovën, e ajo është ndarja…"

Këtë nuk e kishte shkruar ndonjë përkrahës i Serbisë, por Morton Abramowitz, miku e mbështetësi më i paepur i Kosovës.
Pas këtyre ngjarjeve të turpshme, kanë ndodhur edhe gjëra të tjera që Kosovës i kanë kushtuar dhe po i kushtojnë shtrenjtë. Është fjala për dizajnimin e elitave. Ja çka thotë për këtë Slobodan Samarxhiq, dora e djathtë e Vojislav Koshtunicës:

"Në vitin 2004, kemi filluar bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, kemi filluar t’i dorëzojmë vullnetarisht disa të dyshuar… Njëra prej gjesteve tona ishte edhe heqja dorë nga aktakuzat për disa pjesëtarë të UÇK-së, për të cilët dihej se çka kishin bërë. Këtë e bëmë për ta zbutur atmosferën, për të krijuar një ambient të përshtatshëm… e kemi bërë këtë që të mund të bisedojmë… me ta." ("Peçat", 27. 09. 2011)
Në këtë pohim duhet kërkuar përgjigjen për krejt rrjedhën e negociatave për Kosovën, për lidhjen e panatyrshme të komunave të banuara me serbë në Planin e Ahtisarit, për dialogun e Brukselit, për Asociacionin, për demarkacionin dhe për shumëçka tjetër.

4. Dialogu për territore?

Me zgjedhjet e fundit në Amerikë, sipas të gjitha gjasave, bota po hyn në një periudhë krejt të pasigurt. Evropa sidomos.
Forcimi i Rusisë, në njërën anë, dobësimi i BE-së dhe vënia në pikëpyetje e qenies së NATO-s nga themeluesi i saj, Amerika, në anën tjetër, e nxjerrin çështjen shqiptare para sprovave dhe rreziqeve të mëdha. Integritetin territorial të Kosovës veçanërisht, sepse në këto rrethana ajo nuk mund të shpresojë, si përpara, në mbështetjen e parezervë që kishte nga fuqitë perëndimore gati qe dy dekada. Nga Amerika sidomos.
Ndërkaq Serbia, ani se gjoja shtet neutral, po armatoset masivisht me armë ofensive. Ajo po përgatitet për luftë, para së gjithash, me shqiptarët, sepse me Kroacinë e di që s’ia del dot.
Për t’iu kthyer debatit për shkëmbim territoresh duhet përmendur se intervista e Rexhep Qosjes ishte bërë me porosi, jo prej tij, por prej të tjerëve, në mënyrë që akademiku i shquar, e njëri nga dy rilindësit e fundit, ta thotë pikërisht tash atë që ai e ka thënë dhe e ka shkruar me dhjetëra herë: domosdonë e bashkimit kombëtar.
Për këtë debat të sajuar kishin nevojë ata, apo thënë më mirë ai, që po jeton me ankthin e Gjykatës Speciale dhe që po përpiqet ta ridemensionojë dialogun me Serbinë, qoftë duke biseduar edhe për shkëmbim territoresh, me synim që ta shpëtojë lëkurën e vet.
Por Kosova nuk guxon të lëshohet në bisedime duke vënë seriozisht në pikëpyetje kufijtë e saj. Ajo duhet t’i mbrojë ata edhe me gjak, në rast nevoje.
Për territore nuk flitet në këso situatash kur Kosova ka ngecur keq në shtetndërtim. Për shkëmbim territoresh etj., mund të flitet pas njohjes reciproke, kur nuk ka tensione, kur ulen ekspertët dhe me gjakftohtësi mendojnë mirë për çdo shkronjë në marrëveshje dhe për çdo milimetër në territor.

As Kosova Lindore nuk mbrohet duke u krijuar shqiptarëve atje iluzione në erë.
Kosova Lindore, që është braktisur kaherë nga elitat politike e madje edhe nga ata që e sundojnë Akademinë e Kosovës, nuk mbrohet me llafe, por mbrohet me projekte konkrete. Mbrohet duke vënë, gjatë "dialogut" në peshojë të drejtat e serbëve në Kosovë me të drejtat e shqiptarëve atje. E sidomos duke insistuar që shqiptarët të mos shpërngulen, të mos i shesin pronat e tyre, të mos lejojnë, që me kurthe administrative t'u tjetërsohen pronat, siç po ndodh, me një indiferencë të plotë, tash e disa vjet në Medvegjë etj.
Ndërkaq për sa u përket "elitave" tashmë është krejt e qartë se për Kosovën dhe për fatin e saj nuk duhet lejuar të bisedojnë dhe nuk duhet lejuar të vendosin më kurrë ata që e kanë bishtin e zënë me derë, bastardët që, në bisedat e famshme të Prontomafisë, thoshin me arrogancë banditësh: "Po luj koqe me amerikant…"
Populli i Kosovës nuk duhet të lejojë që, edhe më tutje, cubat e ndryshëm ta poshtërojnë vendin, institucionet, dinjitetin dhe shpëtimtarët e tij.

© KOHA Ditore

Fotolegjenda: Mes planeve të shumta serbe për ndarjen e Kosovës ka qenë edhe ky, i hartuar më 1992 nga eksperti serb për planifikimin hapësinor, Branislav Krstiq

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...