Muret që i ngremë vetë

14 Shkurt 2017 - 07:48 - Flaka Surroi      

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa gjakderdhje. Me çmimin e një muri të ri me dalje emergjente me pengesa hidraulike, vetëm dy metra më andej. Si shenjë më dalluese të një ndarjeje të paralajmëruar. Me çmimin e një autonomie serbe që do të jetë kompensim për “koncesionin” e bërë nga serbët për heqjen e kësaj hajgareje të quajtur mur

Dhe na ishte një mur. Ilegal e quanin. U rrëzua. Me pompozitet dhe me njëqind ngarendje andej-këndej, thuajse po negociohej kush e di çfarë çështjeje jetike. Thuajse fare kishte nevojë të negociohej. Menjëherë të nesërmen nisi ndërtimi i një muri të ri, 50 metra i gjatë dhe me vetëm 70 centimetra lartësi. Thuhej për shkak të izolimit të zonës së këmbësorëve të shëtitores, që u përkufizua me një marrëveshje ndërkombëtare. Gjithashtu thuhej edhe për shkak të mbrojtjes së serbëve nga sulmet e mundshme. Të kujt, nuk u tha. U nënkuptua.

Dy muaj zgjati telenovela e murit, të cilin çuditërisht nuk e kishte parë askush para gazetarëve që folën të parët për të. Insistohej se ishte ilegal. U aktivizua i gjithë mekanizmi institucional për ta sharë e për ta kërcënuar me rrëzim. U dhanë premtime datash – jo me të parin, jo me të pesëmbëdhjetin. Ndodhi me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa gjakderdhje. Me çmimin e një muri të ri me dalje emergjente me pengesa hidraulike, vetëm dy metra më andej. Si shenjë më dalluese të një ndarjeje të paralajmëruar. Me çmimin e një autonomie serbe që do të jetë kompensim për “koncesionin” e bërë nga serbët për heqjen e kësaj hajgareje të quajtur mur.

Fituesit

Pas gjithë kësaj maskarade që na e mori vëmendjen dhe na e shteri energjinë për kot, nuk është vështirë të konstatohet se kush doli fitues në gjithë këtë mesele. Serbia natyrisht, për shkak se e obligoi edhe Brukselin, e edhe Prishtinën për të satën herë tashmë, të merret me tema absolutisht minore. Së pari u zhvillua teatri rreth një treni provokues, me “artin” që lidhje s’ka me art, për t’i ndezur gjakrat në Serbi. Për të fituar poenë politikë, sepse atyre po u afrohen zgjedhjet. Gjithë ajo zhurmë në kushtet kur për çdo ditë të lume është një tren që vjen nga Kraleva për në Mitrovicë-veri e që mbërrin pasdite e kthehet në mbrëmje prej nga ka ardhur. Nuk e di nëse ky tren ka licencë operimi apo jo – por nuk e di që dikush ta ketë ndalur në sa e sa vitet që qarkullon.

Taktika e serbëve është tashmë shumë e qartë, dhe mund të jetë e panjohur vetëm për ata që nuk duan ta kuptojnë qasjen e tyre ndaj nesh dhe ndaj gjithë kësaj situate. Po t’i hyje arkivit të gazetës, do të zbuloje qysh në vitin 2012, hala pa dalë mbi tavolinë tema e Zajednicës, se kërkesa e Beogradit për veriun e Kosovës, e mundësisht edhe për disa komuna që janë përpjekur t'i lidhin disi me ca “rrugë sigurie për nevoja të qarkullimit të lirë” në jug, ka qenë Republika Serbe. Kërkesa e parë mbi tavolinë ka qenë federalizimi i Kosovës – pra krijimi i një federate, ku republikat do të kishin të drejtë për vetëvendosje, sikurse ka qenë me Kushtetutën e ish-Jugosllavisë. Ka qenë paralajmërim me kohë se kjo do të ishte përmbajtja e marrëveshjes që me aq naivitet do ta nënshkruante Thaçi një vit më vonë. Vetëm se nuk do të quhej republikë, por asociacion. Dhe kjo, me fuqi ekzekutive.

Pra, krejt çka ka ndodhur në veri kohëve të fundit, përfshirë edhe shpërthimet e dirigjuara, edhe djegiet e selive të partive politike e sidomos shkaktimi i frikës kolektive se “shqiptarët do t’i hanë serbët”, ka qenë pjesë e skenarit të përgatitur. Skenarit që duhej të çonte te themelimi i Zajednicës, për të cilën, tash pasi “të gjithë janë marrë vesh për murin”, krerët e institucioneve kosovare e kanë nisur procedurën. Tash së shpejti do të formohet komisioni, i cili do ta hartojë statutin, “sipas udhëzimeve të Kushtetueses” që, megjithatë, e ka shpallur kundërkushtetuese marrëveshjen e gushtit, të nënshkruar nga Mustafa. Prej përvojës që kemi pasur me reagimin e opozitës në Kuvend për punë të demarkacionit, dyshoj shumë se çështja e Zajednicës do të kalojë aq lehtë sa e parafytyrojnë krerët politikë.

Fituesit e kohës

Dhe kur ia bën një analizë pak më ndryshe krejt situatës së krijuar në veri të vendit, duket se edhe kjo shmangia e vëmendjes u ka konvenuar pa masë që të tre krerëve të institucioneve që e kanë marrë mbi vete obligimin për ta shtyrë përpara marrëveshjen e keqe të Brukselit.

Pas një mungese të gjatë nëpër Bruksel e vende të tjera ku do të takohej me dikë (meqë askush s’e fton), Thaçi e imponoi veten në krye të delegacionit që shkoi për t’u takuar në Bruksel, në mbledhjen e “qetësimit të gjakrave”. Pra, deshi t’u tregonte të gjithëve se në Kosovë ai pyetet për gjithçka, e në veçanti për negociatat, ku u tregua “ekspert” më 2013-n. Tash i ka hapur vetes rrugë për të shkuar në Bruksel orë e çast, për t’u takuar me këtë e atë zyrtar dhe për të çuar porosi prej atje se Kosova duhet ta kalojë demarkacionin. Pra, për t’u treguar si politikan bashkëpunues e fleksibil që nuk ka asnjë lidhje me njeriun që përshkruhet në raportin Marti.

Ndërkohë, zbrazëtirën e krijuar nga tema e nxehtë e një muri absurd e shfrytëzoi mirë Veseli për të shkuar saora në Amerikë. Tash nuk e di nga cili aeroport ka kaluar, dhe nëse ende është në fuqi fletarrestimi i Serbisë edhe ndaj tij, por fakti është se shkoi e u kthye triumfues, pasi kishte marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit.

I treti i kësaj tresheje, kryeministri, doli ta paraqiste çështjen e murit si fitore të madhe institucionale. Siç rrëfeu vetë, kishte biseduar disa herë me Rakiqin. E kishte udhëzuar ministrin e Mjedisit çfarë të bënte, dhe e kishte bërë për vete edhe Apostolovan, e cila pas rrëzimit të murit deklaroi sesi hapi i ardhshëm është themelimi i Zajednicës. Ndërkohë që situatën në shtet vazhdon ta ketë lëmsh mbi lëmshet – një shtet që kishte bankrotuar moti po të mos kishte qenë diaspora.

Dhe përderisa vëmendja ende ishte e kthyer nga muri i famshëm, që me gjasë do të quhet historik, ose së paku 5 shkurti do të shpallet ditë historike, sepse atë ditë u rrënua, ndërkohë dha dorëheqjen shefi i AKI-së. Ashtu siç u ka hije “spiunëve” të cilët nuk duhet t’i jenë të njohur publikut, edhe për këtë që kishte dhënë dorëheqjen nuk ditëm shumë. Për më tepër, nuk e kuptuam as pse kishte dhënë dorëheqjen. Me gjasë kishte refuzuar ndonjë detyrë nga shefat që e kishin sjellë në atë post.

Heshtja e pakuptimtë e Lumezit

Nuk kaluan as dy javë dhe Agron Selimit iu gjet zëvendësimi. Shef i ri i AKI-së u emërua Driton Gashi, sekretar i deridjeshëm i MPB-së. Porse Gashi nuk u emërua menjëherë në këtë post, për shkak se mbi të rëndonte një aktakuzë për shpërdorim të detyrës zyrtare. E nga kjo aktakuzë u lirua, për mungesë provash sipas prokurorit të rastit, vetëm një javë para se të emërohej në këtë post. Gjatë gjithë javës u fol për lidhjet e Gashit me PDK-në dhe për rrezikun që paraqet ardhja e një njeriu të afërt me pushtetin në krye të agjencisë që supozohet se duhet t’i dijë të gjitha. Arsyet për këtë emërim mbase duhet kërkuar mu në këtë fakt – se janë zbuluar shumë gjëra për shumëkënd, e që nuk do të duhej të dilnin në publik.

Sidoqoftë, rasti i Gashit qe i fundit në listën e “rasteve” për të cilat do të duhej të kishte një veprim apo reagim nga Zyra e kryeprokurorit të Kosovës. Heqja e ngarkesës me aktakuzë vetëm një javë para emërimit do të ketë mundur të ishte e rastësishme. Por edhe e qëllimshme. Dhe, përderisa ekziston dyshimi, kryeprokurori i Kosovës do të duhej të merrej me këtë rast. Mbase edhe po merret me të, porse vendimet në lidhje me këtë veprim nuk është se po shihen a dëgjohen. Me gjasë, ka zgjedhur të mos merret fare me të. Ashtu siç ka zgjedhur të merret personalisht me vendimin e kontestuar për avancimin e Sylë Hoxhës prej postit të skaduar të prokurorit të shtetit në Prizren në atë të prokurorit special të RKS-së. Dhe ka zgjedhur të mos reagojë ndaj kritikave që lidhen për emërimin e Hoxhës, të njohur së fundmi nga rasti Dehari, në kundërshtim me rregullat e Këshillit Prokurorial të Kosovës, sepse nuk ka kaluar nëpërmjet institutit të konkursit. Për më tepër, transferimi do të duhej të ishte bërë në nivelin e njëjtë, e jo më të lartë apo më të ulët. Psenë e vendimit të Lumezit, me gjasë nuk do ta kuptojmë kurrë, sepse mbretëron ligji i heshtjes.

Po e njëjta heshtje e udhëheq edhe te dy rastet mbase më të përfolura në vitin e fundit. I pari, dhe më tragjiku, ai i të riut Astrit Dehari, i cili vdiq në rrethana shumë të dyshimta derisa ishte në paraburgim në Prizren qe tre muaj të plotë. Në kushtet kur vdekja ndodh në institucion shtetëror: kur ka një raport të prokurorit që u kontestua nga një raport mjekoligjor nga njerëz që assesi nuk mund të quhen diletantë; dhe në kushtet kur shumëçka mbetet e mjegulluar në gjithë këtë procedurë, është e pabesueshme që të mos ndërmerret asnjë veprim i mëtejmë për ta sqaruar situatën, edhe pse me ligj është i obliguar “...t‘i ushtrojë funksionet e veta në mënyrë efikase dhe efektive dhe në pajtueshmëri me Kushtetutën, ligjet e zbatueshme dhe parimet e pranuara ndërkombëtarisht për mos-diskriminimin, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”. Duhet rikujtuar se Astrit Deharit iu mohua një e drejtë elementare – e drejta në jetë, në rrethana shumë të paqarta derisa ishte nën përkujdesjen e shtetit në burg.

Rasti tjetër ka të bëjë me Adem Grabovcin, shefin e shefave. Për Dosjen Pronto, e cila doli në pah në 2012-n e më pas me detaje të reja edhe në 2016-n, së pari refuzoi të ndërmerrte çfarëdo, ashtu që dy ditë më vonë të dilte e të thoshte se me rastin do të merrej prokurori i rastit të MPTP-së. Prej asaj dite kanë kaluar rrafsh gjashtë muaj, e nuk e kemi asnjë informatë të vetme për atë se a do të ketë veprime juridike apo jo. Sërish duhej rikujtuar se këto incizime kanë qenë në dispozicion të prokurorit që nga viti 2012 – a thua po pritet kalimi i të gjitha afateve që të mos ngrihet asnjë aktakuzë, edhe pse nga to dëgjohet qartë ndikimi në punësim e në menaxhimin e institucioneve publike në kundërshtim me ligjin.

Sido që të jetë, sjellja e këtillë e Lumezit me gjithë ekipin e tij vetëm sa na e vërteton se përse Kosova s’e fiton liberalizimin e vizave: sepse është larg, shumë larg së plotësuari kushtin e parë dhe më të rëndësishmin – luftimin e krimit e të korrupsionit.

* * *

Përderisa Kosova merret me mure të dukshme dhe të padukshme, në fqinjësi është një shtet i njohur për superkorrupsionin që e ka karakterizuar, e që tash luftohet nga një grua e re, kryeprokurore e prokurorisë speciale. Me gjithë sukseset që i ka shënuar kjo grua, dhe sado e kritikuar të jetë për shkak të mënyrës se si vepron, Qeveria e vendit kishte përgatitur një ligj për t’i amnistuar rreth 60% të atyre që ajo i kishte futur në burg, duke ua konfiskuar pasurinë. Dhe ndodhi populli. Fillimisht 100 mijë, më pas 250 mijë, dhe në fund gjysmë milioni njerëz u çuan për të protestuar kundër qëllimit të Qeverisë. Ia dolën ta detyronin Qeverinë që ta tërhiqte propozimin. E tash ia kërkojnë edhe dorëheqjen – për shkak se i ka treguar synimet e veta të vërteta, që nuk është ruajtja e substancës së shtetit.

Nga ana tjetër, teksa ne do t’u duartrokasim rumunëve, do të mbesim me dëshirën që edhe populli në Kosovë të zgjohet nga letargjia dhe të luftojë për të drejtat e veta, sepse askush nga jashtë nuk do të vijë këtu për të na u bërë Supermeni që do të na shpëtojë.

Nuk ka shumë dyshime se së shpejti do të na e ngrenë murin e ri: atë të Zajednicës. Këtu nuk do të mjaftojnë ngarendjet lart e poshtë për ta rrëzuar atë, sepse themelimi i saj ka gjasa shumë të mëdha që të shpjerë deri te ndarja fizike e shtetit.

Për ngushëllim do të na mbetet muri i ri 50 metra i gjatë e 70 centimetra i lartë për të vajtuar.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...