Ksenofobia e re

10 Dhjetor 2016 - 09:00 - Ngaire Woods      

Kërcënimi që vjen nga ksenofobia e re nuk duhet të nënvlerësohet. Sot, ashtu si edhe në të kaluarën, refuzimi i diversitetit paraqet refuzim të demokracisë. Prandaj demokracia duhet të mbrohet, para se kundërshtarët e saj të fuqizohen edhe më shumë

Qeveritë demokratike në Perëndim janë duke e humbur gjithnjë e më shumë relevancën e tyre. Prej kapërcimit drejt joliberalizmit në Poloni e Hungari, e deri tek votimi për Brexit në Britani të Madhe dhe fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në SHBA, një formë vdekjeprurëse e populizmit është duke i infektuar shoqëritë – duke u përhapur me të madhe.

Tendenca drejt populizmit i ka arsyet e veta. Shkaku i stagnimit të pagave dhe rënies së cilësisë së jetës, njerëzit ndihen të zemëruar – aq më tepër kur liderët e tyre vazhdojnë t’iu thonë se gjërat po përmirësohen. Pikërisht atëherë paraqitet populisti, që premton t’i ndryshojë gjërat, të mbrojë interesat e “popullit” (ndonëse në të vërtetë vetëm të disa prej tyre) dhe ofron diçka shumë më tërheqëse se zgjidhjet e prekshme: kurbanet.

Në krye të listës së kurbaneve janë “elitat” – partitë e etabluara politike dhe liderët e korporatave. Në vend të mbrojtjes së “popullit” nga presioni ekonomik dhe pasiguria, ky grup, siç deklaron populisti, përfiton nga vuajtjet e popullit. Përmes avancimit të globalizimit – duke iu imponuar njerëzve gjithnjë e më shumë hapje – ata kanë akumuluar pasuri masive, të cilën pastaj e mbrojnë përmes shmangies nga tatimet dhe skemat e shumta.

Por nuk janë vetëm elitat ato që e kanë fajin. Është e vërtetë se ato e kanë tradhtuar popullin. Por njëra prej mënyrave se si e bëjnë këtë është përmes imponimit të të drejtave dhe mundësive të barabarta për pakicat, emigrantët dhe të huajt, që “vjedhin” vendet e punës, rrezikojnë sigurinë shtetërore dhe sfidojnë mënyrën tradicionale të të jetuarit.

Trump e fitoi presidencën amerikane pjesërisht shkaku i premtimeve të tij për deportimin e miliona emigrantëve ta padokumentuar dhe ndalimin e hyrjes së myslimanëve në SHBA. Përkrahësit e Brexitit premtuan që t’i japin fund emigrimit të lirë prej Bashkimit Evropian. Pas votimit, sekretarja britanike e Brendshme, Amber Rudd, propozoi që firmat që angazhojnë të huaj të etiketohen dhe të turpërohen.

Populizmi i sotëm është duke i dhënë hov një ksenofobie toksike, e cila rrezikon të përçajë shoqëritë tona. Për politikanët, ajo paraqet një mënyrë të lehtë të transformimit të frikës dhe pafuqisë së njerëzve në një kombinim toksik të zemërimit dhe autoritetit. Ky populizëm i bind votuesit se ata “mund ta kthejnë kontrollin” mbi jetët dhe shtetet e tyre, në rend të parë përmes refuzimit të të huajve.

Demografia e bën këtë ksenofobi të re posaçërisht të rrezikshme. Në pjesën më të madhe të Perëndimit, diversiteti i shoqërisë është gjithnjë e më i pranishëm. Hispanikët tani përbëjnë 17.6 për qind të popullsisë në SHBA. Një e treta e londinezëve nuk kanë lindur në Britani të Madhe. Në Francë, rreth 10 për qind e popullsisë është myslimane. Po ashtu, rreth 20 për qind e popullsisë gjermane kanë prejardhje nga jashtë.

Në këtë kontekst, kur politikanët bëjnë fushatë për vota përmes avancimit të politikave përçarëse identitare, atëherë ata krijojnë armiqësi, mosbesim dhe dhunë brenda shoqërive të tyre. Kur kandidatët i quajnë vazhdimisht myslimanët të rrezikshëm, atëherë nuk duhet befasuar nga rritja e krimeve antimyslimane të urrejtjes, siç ka ndodhur si pas Brexitit, ashtu edhe pas fitores së Trumpit. Duhet shumë mund dhe forcë që shoqëritë e tilla të përçara të mundë të vihen nën kontroll.

Diversiteti duhet të jetë forcë, e tillë që i ndihmon shoqëritë të lulëzojnë. Prandaj luftimi i ksenofobisë së re bëhet tejet i rëndësishëm. Një mënyrë është përmes inkurajimit dhe mundësimit të përzierjes dhe ndërveprimit social.

Hulumtimet e shumta psikologjike tregojnë se kontaktet ndërmjet grupeve ndikojnë në uljen e frikës tek njerëzit, duke mundësuar krijimin e besimit në mbarë shoqërinë.

Po qe se qendrat e komuniteteve, shkollat dhe vendet publike bëhen pikë takimi e njerëzve me prapavija të ndryshme fetare, kulturore dhe racore, atëherë ksenofobia ka më pak gjasa të rrënjoset. Pikërisht për këtë arsye, ksenofobia e re është kundërshtuar në masë të madhe në qytetet evropiane me popullsi diverse.

Një mënyrë tjetër e luftimit të ksenofobisë së re është përmes përforcimit të mbrojtjes së lirive qytetare. Kjo nënkupton mbrojtjen strikte të sundimit të ligjit, madje edhe përballë kërcënimeve terroriste, si dhe garantimin e pavarësisë së gjyqtarëve.

Sidoqoftë, tani po vërehen lëvizje në drejtimin e kundërt. Liderët në Hungari dhe Poloni janë duke eliminuar garancitë kushtetuese; Franca është duke e përdorur gjendjen e stërzgjatur të emergjencës për suspendimin e të drejtave; politikanët britanikë dhe ata amerikanë kanë denigruar publikisht gjyqtarët.

Demokracia u rrëzua nga ksenofobët në vitet tridhjetë, jo për shkak të fuqisë së madhe që kishin partitë antidemokratike, por për shkak të dështimit të liderëve demokratikë që të mbronin kushtetutat e shteteve të tyre.

Mënyra e tretë e luftimit të ksenofobisë së re është përmes novacionit. Për shembull, ndonëse internet shpesh konsiderohen si mjet për promovimin e barazisë, rrjetet sociale po i kontribuojnë përçarjes. Përmbajtja së cilës i ekspozohen njerëzit kalon nëpër filtra.

Rezultat i kësaj është krijimi i hapësirave, në të cilat njerëzit që mendojnë njëjtë përforcojnë bindjet e tyre, duke thelluar përçarjet në botë. Por, po të rikonfiguroheshin platformat e rrjeteve sociale në mënyra inovative, atëherë ato do të kishin ndikim të kundërt, duke krijuar mundësi për ndërveprimin e qytetarëve nga përkatësi të ndryshme.

Kërcënimi që vjen nga ksenofobia e re nuk duhet të nënvlerësohet. Sot, ashtu si edhe në të kaluarën, refuzimi i diversitetit paraqet refuzim të demokracisë. Prandaj demokracia duhet të mbrohet, para se kundërshtarët e saj të fuqizohen edhe më shumë.

(Autorja është dekane e shkollës për qeverisje “Blavatnik” dhe drejtoreshë e Programit për Qeverisje Globale Ekonomike në Universitetin e Oxfordit. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...