Shpëlarja nga lloçi i pjekur

16 Janar 2017 - 15:05 - Visar Loci      

Çehrja e vrarë e futbollistit 14 vjeç të Llapit, ku shkëlqimi i vetëm i vinte nga dhëmbët e bebëzat e syve të paprekur nga lloçi, është panorama, fatkeqësisht, që jep një pasqyrë të përgjithshme të sportit kosovar, tash kur është bërë konkurrent i barabartë në Evropë e botë

Fotoja e një çuni të mbuluar i tëri nga lloçi teksa po braktiste fushën në Llap, është më e dhimbshmja që ka mundur të nxjerrë sporti i Kosovës në këto vite të pasluftës.

Çehrja e vrarë e futbollistit 14 vjeç të Llapit, Redon Bejta, ku shkëlqimi i vetëm i vinte nga dhëmbët e bebëzat e syve të paprekur nga lloçi, është panorama, fatkeqësisht, që jep një pasqyrë të përgjithshme të sportit kosovar, tash kur është bërë konkurrent i barabartë në Evropë e botë.
Fotoja flet jo vetëm për reshjet që atë ditë të ndeshjes kishin rënë, por për nivelin dhe organizmin në përgjithësi. Flet edhe për dështimin e një vendi që lloçin të paktën ta largojë prapa portave. Dikush mund të thotë se pamje të tilla mund të hasen edhe në vende të tjera, por si ajo e Redonit ka pasur dhe ka shumë në Kosovë. E tij është vetëm e fundit - ka ndodhur më 2016.

Pas ndeshjes, në një intervistë për KTV-në, tha se i janë dashur 15 minuta dush për të larguar lloçin. Por ai lloç është këtu, ai sërish mund të zhytet me të. Kosova ka problem me lloçin e shtresuar ndër vite dhe nuk bëhet fjalë për një ditë me reshje.

Sportit të Kosovës i duhen vite shpëlarjeje për t'u dukur të paktën zotëri, nëse jo kampion. Por me përkrahjen që ka pasur deri më tash nga shteti, është zor të mendohet se do të ndodhë kjo.

Një foto si e Redonit, pa fajin e tij, është bërë hit në internet. Ka bërë xhiron edhe në mediat e botës dhe është e natyrshme ta bëjë, pasi Kosova nuk mund të pushtojë mediat e huaja me ndonjë gol të bukur, me ndonjë ndeshje derbi apo me ndonjë organizim të ndonjë ngjarjeje. Konkurrent jemi me lloç dhe konkurrencën e kemi të dobët.

Në fakt, ata që udhëheqin me shtetin dhe me organizatat sportive tregohen injorantë dhe të pafytyrë kur e thonë të kundërtën ose flasin për sukseset. Edhe më të pafytyrë bëhen kur flasin për një sukses që e ka futur Kosovën në hartën botërore të sukseseve - për medaljen e artë olimpike të fituar nga xhudistja me nam botëror, Majlinda Kelmendi.

Suksesi i saj është edhe i Kosovës, por asnjë fije i institucioneve e pushtetarëve, pavarësisht se ata e përdorin atë për t'u krenuar apo për të mbuluar dështimet e tyre me bollëk.

Presidenti i vendit, Thaçi, e ka quajtur medaljen e saj të fituar në LO "Rio 2016" si "sukses diplomatik të Kosovës", në një konferencë të fundvitit të ambasadorëve, ndërkohë kryeministri Mustafa ka përmendur edhe pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA gjatë vitit 2016, si sukses të programit të Qeverisë.

Por e vërteta është ndryshe. Është e vërtetë e lyer me lloç.

Suksesi i Majlindës është kryekëput i saj dhe i punës e vullnetit të trajnerit të saj, Driton Kuka. Të dy, me mish e me shpirt kanë bërë që të vënë në lëvizje institucionet e vendit, që t'ua sigurojnë sportistëve nga një shpërblim pas sukseseve ndërkombëtare. Këto rregullore janë bërë vetëm pas sukseseve të Majlindës e xhudistëve të tjerë dhe pas kërcënimeve, shumë të drejta, të tyre se do të përfaqësojnë një vend tjetër, ku djersa do të ishte e garantuar se do t'u paguhej. Pra, sukses edhe diplomatik, nëse bën të thuhet, është ai që kanë arritur Kuka e Majlinda brenda vendit. Sportist si Majlinda kanë edhe vendet e tjera, por suksesi i tyre nuk kufizohet në shpërblimin që parasheh një rregullore. Suksesi i Majlindës është dashur të shfrytëzohej që xhudoja të bëhej sport kombëtar në Kosovë. Të jetë prioritet për Qeverinë. Futja e këtij sporti nëpër shkolla apo edhe ngritja e palestrave të vogla nëpër vend, do të ndihmonte në këtë aspiratë, që tash e shumë kohë e ka nxjerrë si ide trajneri Kuka. Por kjo është e komplikuar për Qeverinë. Duhet investim i përbashkët i shumë ministrive: të Financave, Arsimit, Sportit e të tjera. Ky do të ishte sukses diplomatik.

Dy fjalë edhe për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Zyrtarë të lartë të këtyre institucioneve ndërkombëtare u ishin ankuar zyrtarëve të FFK-së pse kishin marrë me vete kryeministrin e ministra të tjerë në Kongresin e Budapestit, më 3 maj, kur Kosova u pranua në UEFA me shumë vështirësi. Prania e zyrtarëve të lartë të Qeverisë, të gatshëm për të organizuar konferencën festive, kishte forcuar inatin e atyre që ishin kundër pranimit të Kosovës dhe kishte irrituar ata që ishin "as andej e as këndej". Në fund, Kosova u pranua, por pranimi i saj sot është subjekt në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, pasi më herët gjatë asaj dite nuk ishte miratuar ndryshimi i Statutit të UEFA-s, që do t'i hapte rrugë pranimit të Kosovës edhe me letra.
Pra, ka pak vend për t'u krenuar Qeveria.

Me suksesin e Majlindës është krenuar edhe Besim Hasani, që në zgjedhjet e fundvitit kërkoi edhe një mandat në krye të Komitetit Olimpik të Kosovës, pas 20 vjetësh qëndrimi në atë post. Është e vërtetë që Majlinda ishte pjesë e ekipit olimpik të Kosovës që udhëhiqej nga KOK-u, por asgjë më tepër. Suksesi ishte i saj dhe i trajnerit. Majlinda nuk është bërë kampione olimpike pse ka marrë një bursë nga IOC-ja për një vit e gjysmë. Ajo është bërë e tillë se ka filluar të stërvitet seriozisht që nga mosha 9-vjeçare, dhe suksesi olimpik është paralajmëruar me dy tituj të botës, dy të Evropës e shumë medalje të tjera. Ajo është bërë kampione olimpike vetëm pse nuk është dorëzuar para padrejtësive në vend.
Pafytyrësia është këtu, se askush nuk merret me pjesën tjetër të sportit, por vetëm me suksesin e Majlindës. Askush nuk merret me dështimin e sportistëve të sporteve të tjera në Lojërat Olimpike. Askush nga qeveritarët nuk e përmend dështimin e çiklistit për të mbaruar garën, të notarit "që i iku uji" apo të shenjëtarëve që i pengonte drita sipas standardeve në palestër. Mund të duken absurde këto, por janë të vërteta. Notarët stërvitin në pishina të vogla të hoteleve, ku nuk mund të krijohen valë uji, e shenjëtarët stërvitin nëpër bodrume me ndriçim vërtet për të dhimbsur sytë.
Hajde po e llogarisim suksesin e Majlindës sukses diplomatik, siç ka qejf presidenti. Edhe pranimin në UEFA e FIFA. Por si mund të mos quhet dështim që Kosova ndeshjen e parë eliminatore si vendëse e luajti jashtë vendit pse nuk pati një stadium të vetin, apo që Ferronikeli e Prishtina u dënuan me mospjesëmarrje në garat evropiane për shkak të kushteve infrastrukturore. Çfarë suksesi është ky? Qeveritarët nuk kanë guxim të flasin për punët që duhet t'i kryejnë vetë, pasi nuk kanë bërë asgjë, ata krenohen me punët e të tjerëve. Ata nuk flasin për lloçin e pjekur për 17 vjet në sportin e Kosovës, ata flasin për shkëlqimin që s'kanë gisht.

Së fundi, klubi i futbollit Llapi ka shtruar fushën e stadiumit në Podujevë me bar sintetik. Redoni me shokë më nuk do të bëhen me lloç duke luajtur, por lloçi i pret posa ta mbarojnë ndeshjen.
Është kudo, fatkeqësisht!
 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...