Quo vadis texere

13 Janar 2017 - 15:04 - Sami Kçiku      

Interesante të shkruash në fillim të shekullit 21.

Jo vetëm pse jemi gjeneratë që përjeton kapërcyellin e shekujve, por edhe pse po shohim zhvillim të paparë deri më tani të shkencës dhe teknologjisë. Mjafton ta shikojmë zhvillimin vetëm brenda 50 vjetëve të fundit. Sikur të ishte zhvilluar kështu, ta zëmë, industria automobilistike, atëherë do të mundë të silleshim rreth botës me automobil me p.sh. një litër naftë/benzinë. I tërë misioni i shkeljes në Hënë nga NASA thuhet se ishte kryer me fuqinë memorike jo më të madhe se një floppy disketë e dalë e stërdalë mode tani me vetëm 1,44 MB. Më kujtohet fare mirë kompjuteri i viteve ’90, që kishte arritur edhe këtu tek ne, edhe pse ishte një dukuri fort e rrallë, e që shpejtësinë e kishte 8 MHz (kur doli 386-shi, sepse 286-shi ishte edhe më i ngadalshëm), dhe që kishte një buton magjik “turbo” që e bënte të punonte me “paramendo” 16 MHz. Kurse tani madje edhe fëmijët luajnë me smartphone me të paktën 1 GHz fuqi procesorike (e cila dorën në zemër shumica shkon dëm kot fare). Dikur madje nuk kishte fare as grafikë, por vetëm linja komanduese e DOS-it. Ndërsa tani kemi prekjen, si diçka të nënkuptueshme për pothuajse çdo pajisje. Tani po shtyhet me të madhe edhe realiteti virtual, realiteti i ndryshueshëm, e çka jo tjetër. Shumica e kompanive më 2016 kanë prezantuar pajisjet e tyre për RV, ose do ta bëjnë këtë në vitin 2017. Po mbështeten edhe nga gjigantët e mëdhenj, si Facebook, Google, Microsoft, ku disa prej tyre madje edhe i kanë kokoret e tyre të posaçme për këtë punë (që t’i shijojmë rrjetet sociale dhe Internetin sa më bindshëm në realitetin virtual). Po përmendet pastaj tani me të madhe edhe Internet of Things, apo Interneti i Gjërave, ku parashikohet që deri në vitin 2020 rreth 50 miliardë pajisje të jenë të lidhura në Internet si Internet of Things. Internet of Things parasheh që pak a shumë çdo gjë rreth nesh të jetë lidhur në Internet dhe të ndërveprojë me ne dhe nga ne nga largësia. Automobilat autonomë tashmë janë realitet dhe nuk është larg dita kur automobilin në vend se te mekaniku do ta dërgojmë tek programeri apo inxhinieri i softuerit, i cili do ta gjejë problemin (bugun) e caktuar. Ose skenari kur ngelemi në rrugë për një prishje dhe “mjeshtri” vetëm lidhet nga largësia në softuerin e automobilit dhe e rregullon problemin. Nuk do të jetë larg as dita kur policia do të na dënojë po të na “kapë” duke ngarë automjetin autonom. Sigurisht, sepse ne, megjithatë, do të shkelim tek-tuk ndonjë rregull apo nuk do të respektojmë ndonjë kufizim apo shenjë.
Sigurisht që ky zhvillim i madh na përshtatet, sepse shumica e arritjeve teknologjike na e lehtësojnë jetën, na ndihmojnë në aktivitete të përditshme, por edhe na bëjnë më dembelë dhe parazitë. Por edhe më të varur nga kjo teknologji. Dhe sidomos të frikshme duken e tingëllojnë opsionet për implantim të teknologjive tek njeriu, të cilat shpesh më bëjnë të pyes veten nëse gjithë ky përparim i 50 vjetëve të fundit është i rastësishëm, apo të pyes se pse nuk u zhvillua teknologjia kaq vrullshëm për vitet para këtij “revolucioni”. Apo ndoshta si civilizim kemi arritur tani në fazën e caktuar të upgrade të ndonjë farë lloj loje virtuale të llojit të “Age of Empires”, të cilën kushedi kush e luan diku në ndonjë cep periferik të ndonjë galaktike të largët. Apo ndoshta na ka prekur zhvillimi i ndikuar nga ndonjë formë tjetër jete nga gjithësia. Fundja, mënyra më e mirë për ta kontrolluar dikë është t’ia japësh teknologjinë tënde pak e nga pak dhe tërthorazi ta bësh të varur dhe të kontrolluar.

Teknologjia gjithsesi që është menduar të na e lehtësojë jetën. Por a do të jetë vërtet kështu edhe në të ardhmen. A do të na e lehtësojë jetën apo do të na e rrezikojë apo edhe marrë atë. Sa zhvillohet e rritet teknologjia, rritet edhe droja për këtë të fundit.
Me të madhe po flitet edhe për inteligjencën artificiale, madje ka paralajmërime të ndryshme dhe skenarë që do ta sjellë fundin e njerëzimit. Inteligjenca artificiale vërtet tani ka filluar të marrë formë, dhe këtë mund ta shihni duke filluar nga kërkimi në Google e deri tek asistentët personalë në pajisjet mobile dhe kompjuterët si Siri, Cortana, Alexa...

Por është edhe ana tjetër, pak më e errët e zhvillimit dhe inteligjencës artificiale, për të cilën tërheqin madje vërejtjen edhe disa prej kokave më të ndritura të epokës sonë, si Hawking, ta zëmë. Robotët dhe inteligjenca artificiale po vijnë dhe kjo është e sigurt. Varet sa do të jemi të vetëdijshëm që me kohë të vendosim kufijtë apo vijat e kuqe ndarëse që të mos ua shohim sherrin para se të bëhet tepër vonë. Në shekujt që po vijnë nuk përjashtohet një ekzil i njerëzimit pikërisht duke ikur nga kjo inteligjencë dhe në kërkim të ndonjë strehe (planeti) tjetër për të filluar sërish nga e para (mbase edhe pa e marrë mësimin si duhet).

E, megjithatë, është e sigurt që në vitin që po hyjmë nuk na kanoset një rrezik i tillë, kështu që gëzuar edhe një rrotullim rreth Diellit. Vit i ri me rrotullim të ri dhe fat të ri. Qoftë i mbarë për tërë planetin!

sami@kohaditore.com

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...