Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA) dhe efektet potenciale në ekonominë e Kosovës

23 Dhjetor 2016 - 10:04 - Alban Zogaj      

Marrëveshjapër Stabilizim dhe Asociim (MSA) në mes të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kosovës, hyri në fuqi në prill të vitit 2016, pas një periudhe negociatash në mes BE-së dhe institucioneve vendore. Kjo marrëveshje është në esencë shumë e ngjashme me marrëveshjet e asociimit të vendeve kandidate (për t’u bërë pjesë e BE-së), të cilat kanë hyrë në fuqi në vitet e ’90-ta, por edhe më vonë, edhe pse duhet të theksojmë se secila marrëveshje është e hartuar në mënyrë specifike për secilin vend. MSA ka për qëllim caktimin e mekanizmave formal për të asistuar vendin e caktuar, në rastin tonë Kosovën,për të arritur standardet evropiane, dhe si rezultat një ditë të bëhet pjesë formale e BE-së. Marrëveshja është dokument me disa kapituj, kundër tjera, përfshinë një pjesë (kapitull) shumë tërëndësishme që ka të bëjë me aspektet tregtare/ekonomike në mes dy palëve.

Një prej aspekteve kryesore ekonomike të MSA-së është hapja e tregjeve të të dyja palëve të përfshira në marrëveshje. Pra, palët hyjnë në marrëveshje të tregtisë së lirë në mes vete. MSA hap tregun e Kosovës ndaj BE-së dhe vice-versa. Hapja e tregjeve nënkupton eliminim të barrierave tregtare (kryesisht tarifa doganore), të cilat kanë ekzistuar në mes palëve deri tani. Për më tepër, MSA redukton edhe barrierat teknike, kërkesat teknike minimizohen dhe rregullat në përgjithësi harmonizohen. Eliminimi i barrierave ul edhe koston e transportit të produkteve, ul nivelin e vonesave dhe ul numrin e formaliteteve të përdorura në dogana.

Ky eliminim i barrierave tregtare potencialishtrezulton me rritje të volumit tregtar në mes palëve. Edhe ashtu, Kosova në vazhdimësi ka pasur BE-në partneren më të rëndësishme tregtare, si në importe ashtu edhe në eksporte. Mbi 45% e shkëmbimeve tregtare të Kosovës gjatë vitit 2015 (nuk ka të dhëna përfundimtare për vitin 2016) ka qenë e realizuar me vendet e BE-së. Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së kanë qenë mbi 100 milion Euro, ose rreth 33% e eksporteve të përgjithshme. Partnerët kryesorë janë: Belgjika me 7.5%, Italia 6%, Gjermania rreth 4%, Holanda 3% dhe Bullgaria me rreth 2%. Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 1.1 miliardë Euro, ose rreth 42% e importeve të përgjithshme. Importet me pjesëmarrjen më të lartë ishin nga Gjermania (11%), Italia (8.6%), Greqia (4.2%), Bullgaria (2.7%) dhe Polonia (2.7%).

MSA rrit besimin e qytetarëve dhe partnerëve evropian në produktet e Kosovës, dhe si rezultat ato mund të kenë qasje më të lehtë në tregun evropian. Kjo, potencialisht rrit eksportet e Kosovës. Kompanitë kosovare mund të shesin produktet e tyre me çmime më të lira (pa tarifa doganore), pra ato do të jenë më konkurruese. Rritja e eksportit rrit ekonominë vendore dhe hap vende të reja të punës. MSA ofron mundësi për të diversifikuar tregun, për të diversifikuar produktet që importohen por edhe që eksportohen. Si rezultat i heqjes se barrierave tarifore, më shumë kompani evropiane do të jenë të interesuara të shesin produktet e tyre në tregun e Kosovës, ato do të jenë më konkurruese. Si rezultat, produktet evropiane do të shiten me çmime më të lira në tregun kosovar, kjo liron një pjesë të buxhetit familjar për shpenzime tjera, të cilat mund të orientohen drejtë produkteve vendore apo për shërbime tjera. Kompanitë evropiane do te sjellin me vete edhe avancime teknologjike, dhe përmirësim të shërbimeve. Konsumatori kosovar do të ketë qasje në produkte më cilësore, me standarde të larta. Në anën tjetër, është e vërtetë se hapja e tregut rrit konkurrencën në tregun tonë (kjo ka qenë brengë e sektorit privat në vazhdimësi). Por, në MSA janë të përfshira edhe preferencat tregtare në mes vendeve.

Në proces të nënshkrimit të marrëveshjes është negociuar për produktet që kanë mbetur në mbrojtje. Duhet të theksojmë se BE ka pasur trajtim preferencial ndaj Kosovës që nga viti 2000, edhe pa u nënshkruar MSA-ja. Por, edhe tani përmes MSA-së janë ofruar mundësi për mbrojtje të disa produkteve që konsiderohen të jenë më sensitive ndaj konkurrencës. Në mesin e këtyre produkteve janë edhe produktet si qumështi dhe produktet e qumështit, patatet, mollët. Në anën tjetër, të gjitha produktet industriale të prodhuara në Kosovë do të eksportohen në shtetet e BE-së me tarifë doganore zero, përveç mishit, verës dhe produkteve të sheqerit.

Ndërsa sa i përket importit nga BE, 1,131 produkte industriale do të liberalizohen gradualisht brenda një periudhë prej 5 vitesh. Ndërsa, 925 produkte industriale do të liberalizohen gradualisht brenda një periudhe 7 vjeçare. Ndërsa, 256 produkte bujqësore të rëndësishme për fermerët e Kosovës do të mbrohen për 7 vite me radhë. Kurse, 14 produkte kanë qenë të pa-negociueshme dhe nuk janë përfshirë në marrëveshje, gjë që do të thotë se tarifa kosovare do të mbetet e njëjtë (10%), këto produkte janë patatja e papërpunuar, qumështi, produktet e qumështit, kosi, mollët, vera, etj). Ndërsa, rreth 12 produkte shumë të rëndësishme për prodhimin bujqësor të Kosovës do të mbrohen për 10 vite me radhë (frutat dhe perimet, uji, birra dhe produktet e grurit).

MSA hap mundësinë për investime të reja. Hapja e tregjeve potencialisht e bën Kosovën vend më atraktiv për investitorët e huaj. Ata përmes Kosovës mund të qasen në vendet e BE-së. Rritja e nivelit të investimeve të huaja direkte rrit ekonominë kosovare dhe ul nivelin e lartë të papunësisë (hapen vende të reja të punës). Analiza empirike tregon se investitorët e huaj zakonisht sjellin me vete edhe teknologji të reja, trajnojnë fuqinë punëtore, dhe sjellin dije (know-how) të reja.

Një prej aspekteve shume pozitive të marrëveshjes është insistimi në standardet e cilësisë. MSA detyron kompanitë kosovare të certifikojnë dhe akreditojnë produktet e tyre, në mënyrë që t’i shesin në tregun evropian. Dhe, kjo si rezultat, rrit cilësinë e produkteve vendore në përgjithësi. Nder tjera, MSA insiston edhe ne ruajtjen e të drejtave pronësorë (autoriale) dhe në mbrojtjen e konkurrencës dhe konsumatorit. Marrëveshja gjithashtu parasheh që brenda 5 viteve nga hyrja në fuqi, institucionet kosovare të heqin të gjitha preferencat në aktivitetet e prokurimit publik. Për më tepër, kompanive të Kosovës do t’u jepet qasje në procedurat e prokurimin publik në BE, me trajtim jo më pak të favorshëm sesa kompanitë e BE-së.

Si konkluzion, mund të themi se MSA është një ndër marrëveshjet më të rëndësishme që vendi ka nënshkruar në kohët e fundit, nga e cila mund të rezultojnë shumë efekte pozitive në tregun e Kosovës. Duke filluar nga qasja më e lehtë (dhe më e lirë) e konsumatorëve kosovarë në produktet evropiane, qasja më e lehtë e produkteve kosovare tek konsumatorët evropianë, e deri tek rritja e investimeve të huaja direkte.

*Autori është ligjërues i ekonomiksit në Riinvest.

*Ky editorial është shkruar në kuadër të Projektit të Promovimi i Marrëveshjes Stabilizim Asociim dhe fillimi i debatit publik rreth të Ardhmes Evropiane të Kosovës, implementuar nga Instituti i Prishtinës Për Studime Politike dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe financuar nga ambasada e Mbretërisë Holandeze në Kosovë.
 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...