Privatësia - nga një e drejtë në traditë

28 Janar 2017 - 06:33 - Jeton Arifi      

(Në shënim të 28 Janari – Ditës Ndërkombëtare të Privatësisë në Kosovë

Të dhënat personale të qytetarëve përpunohen në bazë ditore, në punë, në marrëdhëniet e tyre me autoritetet publike, në fushën e shëndetësisë, kur ata blejnë mallra apo shërbime, udhëtojnë apo bëjnë kërkime në internet.

Qytetarët, në përgjithësi, nuk janë të informuar sa duhet rreth rreziqeve të lidhura me mbrojtjen e të dhënave të tyre personale, si dhe rreth të drejtave të tyre në këtë aspekt. Sidoqoftë, ata, çdo ditë e më shumëpo vetëdijesohen se çka duhen bërë nëse konsiderojnë që të drejtat e tyre janë shkelur, apo për rolin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në vendin tonë, autoriteti, i cili merret drejtpërdrejt me mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve për privatësi, është relativisht i ri, krahasuar me shtetet tjera. Megjithëkëtë, nga përceptimi i paanshëm i njerëzve që adresojnë shqetësimet e tyre te ky autoritet po cilësohet si mjaft produktiv.

Le ti kthehemi temës për të cilën mora shkas të shkruaj këtë artikull, ditës kur pothuajse e tërë bota mobilizohet që, në një formë apo tjetër, porosinë për respektim të privatësisë së individit ta shtrijë në masë të gjerë, duke prekur çdo shtresë, çdo moshë e kategori të qytetarëve.

Për ata, të cilët janë më pak të informuar rreth historikut të shënimit të 28 Janarit, si ditë e veçantë, vlen të theksohet se në vitin 2006, Këshilli i Evropës vendosi që çdo vit, më 28 janar, të shënohet Dita për Mbrojtjen e të Dhënave, datën e hapjes për nënshkrim të Konventës për Mbrojtjen e të Dhënave të Këshillit të Evropës, të njohur si ‘Konventa 108’. Sot, Dita për Mbrojtjen e të Dhënave shënohet globalisht dhe jashtë Evropës, njihet si Dita e Privatësisë.

Dita e njëzetetetë e çdo janari shënohet në SHBA, Kanadë dhe mbi 47 vende të Evropës.
Në këtë datë, qeveritë, parlamentet, autoritetet shtetërore të mandatuara për mbrojtjen e të dhënave personale dhe organizmat tjerë, organizojnë aktivitete për ngritjen e vetëdijes rreth të drejtave për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë. Në saje të këtyre organizimeve, zakonisht lancohen fushata informuese e ndërgjegjësuese që i adresohen publikut të përgjithshëm, projekteve edukative për mësimdhënësit e nxënësit, mbahen tryeza e konferenca me tema të ndërlidhura me privatësinë.
Qëllimi i shënimit të kësaj date është ngritja e vetëdijes dhe promovimi i privatësisë e praktikave më të mira të mbrojtjes së të dhënave.

Në Republikën e Kosovës, kjo ditë ka filluar të shënohet pesë vite më parë, respektivisht që nga themelimii Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila është autoriteti i vetëm në vend që mbikëqyrë përpunimin e të dhënave personale nga sektori publik dhe privat, në saje të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Këtë vit, përvjetori i privatësisë, e gjen Agjencinë në një stad zhvillimi të krahasueshëm me autoritetet tjera homologe të rajonit, pavarësisht që ka përvojën më të shkurtë ndër to në këtë fushë.
Dita Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave synon ngritjen e vetëdijes gjithandej se çfarë të dhënash grumbullohen rreth qytetarëve, si dhe pse shfrytëzohen ato.

Pavarësisht që në vendin tonë kjo ditë shënohet vetëm nga autoriteti i mandatuar me ligj për të promovuar dhe mbrojtur të drejtën në privatësi përmes mbrojtjes së të dhënave personale, përdorimi i madh i teknologjisë informative dhe mënyra e jetesës e lehtësuar dukshëm nga teknologjia, e bën të cenueshëm këtë dimension të rëndësishëm të secilit prej nesh. Ana tjetër e medaljes në përparësitë që na jep teknologjia përmes rrjetit janë pikërisht shqetësimet tona rreth qasjes së të tjerëve në të dhënat tona personale, që jo rrallë arrihet pa pëlqimin tonë. Në fakt, nuk është gjithmonë rrjeti ndërkombëtar (Internet) fajtori i rrjedhjes së padëshiruar të të dhënave që na përkasin neve. Në të shumtën e rasteve, jemi ne, ata që mundësojmë qasjen e paautorizuar të syve kureshtarë në këto të dhëna, duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur aplikimit të masave të sigurisë gjatë përdorimit të pajisjeve të teknologjisë informative.

Rezultatet e hulumtimeve të zhvilluara me qytetarë të kategorisë, gjinisë e moshës së ndryshme, kanë imponuar që Agjencia, në planin e punës së çdo viti, t’i kushtojë vëmendje të veçantë informimit dhe vetëdijesimit të publikut të gjerë, e sidomos moshës së adoleshencës, mbi rreziqet të cilave u ekspozohen ata duke shfrytëzuar teknologjinë e avancuar për të qëndruar në trend me botën përmes rrjeteve sociale dhe jo vetëm. Fushata të njëpasnjëshme janë lancuar nëpër dhjetëra shkolla të komunave të ndryshme të Kosovës për të ngritur nivelin e vetëdijes rreth gjurmëve të pashlyeshme që ata lënë çdo ditë në Internet rreth vetes së tyre, të cilat, në një të ardhme, mund t’u hakmerren.

Edhe shënimi i këtij 28 Janari po karakterizohet me një lloj fushate të zhvilluar në fokus grup përmes ligjëratave, respektivisht para nxënësve të klasave 6 deri 12 të të gjitha shkollave të Komunës së Prishtinës. Për ta lehtësuar përcjelljen e porosisë tek ata që privatësia ka rëndësi dhe mbrojtja e të dhënave personale fillon prej tyre, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka publikuar një udhëzues të posaçëm, të dedikuar për mësimdhënësit e lëndës së informatikës, mbi çështjet e mbrojtjes së të dhënave për adoleshentët. Përmbajtja e këtij udhëzuesi do ti shpaloset nxënësve përmes ligjëratës së planifikuar për datën 26 dhe 27 janar. Ky aktivitet synon, jo vetëm shënimin e ditës së mbrojtjes së të dhënave, por edhe krijimin e një tradite në vendin tonë, që përmes shënimit të kësaj date, të paktën një ditë në vit të flitet rreth rëndësisë së privatësisë.

Nuk ka dyshim se këtë vit, Dita për Mbrojtjen e të Dhënave shërben si rikujtim për institucionet publike dhe organizatat private rreth rëndësisë së përpunimit të drejtë të të dhënave personale të qytetarëve.
Për të qenë në përputhje me ligjin dhe për të shmangur penalizimin, ndërmarrjet në sektorin privat duhen të sigurohen që kanë zbatuar një infrastrukturë efektive të menaxhimit të të dhënave.

Për sa i përket çështjes nëse të dhënat ruhen në hapësirat e punës apo te një ofrues i hapësirës së ruajtjes në ‘cloud’, qoftë privat të jashtëm apo publik, organizatat duhen të vlerësojnë dhe të sigurojnë nëpunësit dhe klientët që të dhënat grumbullohen, përpunohen, qasen, shpërndahen, ruhen, transferohen dhe sigurohen në pajtim me ligjin, si dhe që të dhënat shfrytëzohen në mënyrë të ligjshme dhe legjitime.

Midis privatësisë dhe të dhënave personale
Nëse bëhet krahasimi i përkufizimit të të dy termave (privatësi dhe e dhënë personale), shihet se kuptimi i termit ‘privatësi’ lidhet më shumë me të drejtën për të pasur të garantuar hapësirën (gjeografike, ajrore dhe mendore) të individit, por që ngërthen në vete, gjithashtu, aspektin e të dhënave personale, si pjesë përbërëse, por jo vetëm, e privatësisë së individit. Ndërkaq e dhënë personale konsiderohet çdo informacion në lidhje me një person fizik të identifikuar ose të identifikueshëm.

Si konkluzion, privatësia, si tërësi e të drejtave të individit për të pasur lirinë që të mos jetë i shqetësuar, ndikuar, përgjuar, mbikëqyrur në mënyrë të fshehtë etj., duhet parë si si koncept më i gjerë sesa fusha e të dhënave personale, e cila mbetet pjesë përbërëse e konceptit mbi privatësinë, por si këndvështrim është më i ngushtë, i përqendruar vetëm në të dhënat personale.

* (Autori është drejtor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale)

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...