E premte, 07:30

“SOT” për Ditën e Pavarësisë

16 Shkurt 2017 - 21:26      

Emisioni i mëngjesit në Kohavision “SOT”, në edicionin e veçantë për 9-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të sjellë materiale të shumta dhe program të pasur.

Ky edicion vjen nga një ambient jashtë studios së emisionit me biseda dhe shumë të ftuar specialë. Në mesin e të ftuarve do të jetë edhe katërshja e njohur e xhudos.

Ata shpalosin detaje për përgatitjet që po bëjnë për ta përfaqësuar shtetin në garat e ardhshme. Majlinda Kelmendi, e cila ia solli medaljen e parë olimpike Kosovës pas pavarësimit, i kujton momentet kur ngjitej në skenë në Lojërat Olimpike në Rio, kur kishte fituar edhe finalen në kategorinë e saj. Nora Gjakova, Akil Gjakova e Distria Krasniqi po ashtu shpalosin detaje nga planet e tyre për të ardhmen. Por kjo nuk është e gjitha që sjell “SOT” në ditën festive.

“Po ashtu edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë pjesë e emisionit, protagonistë të njohur të këngës sonë burimore, anëtarë të klubit alpin ‘Prishtina’, të cilët po planifikojnë të pushtojnë majën më të lartë në botë, Everest, etj.”, ka thënë Lekë Rezniqi, producent i programit në Kohavision.

Po ashtu, në kuadër të programit festiv në “SOT”, të premten, nga ora 07:30, do të transmetohen kronikat e veçanta që ka realizuar ekipi. Mes tyre vjen rrëfimi për vajzën që quhet Pavarësia, e lindur pikërisht në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008. Tani, në moshën 9-vjeçare, ajo po ndjek mësimin në shkollën fillore.

“Një material tjetër i veçantë vjen nga Fieri, pikërisht për mikpritjen e banorëve të këtij qyteti për shqiptarët e shpërngulur nga shtëpitë e tyre prej forcave serbe gjatë luftës më 1999. Ata kujtojnë detaje për fluksin e ardhur dhe se si e kishin menaxhuar situatën e krijuar, vetëm pak muaj nga ngjarjet tragjike të 1997-s”, ka shtuar Rezniqi. Të gjitha këto vijnë të përmbledhura në emisionin e mëngjesit në Kohavision.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...