Vjeshta e nxehtë në skenën muzikore, kush fiton? [video]

23 Nëntor 2016 - 22:02      

Vjeshta është treguar shumë e begatshme sa i përket skenës muzikore shqiptare.

Janë të shumta këngët që u publikuan nga këngëtarët shqiptarë, që si duket nxituan që secili me krijimet dhe muzikën e tyre të konkurrojnë tregun muzikor dhe secili me dëshirën që të jetë sa më “in”.

Ardian Bujupi, Ledri Vula, Capital T, Mozzik, Getinjo, Genta Ismajli, 2Ton, Tuna, Butrint Imeri, Elvana Gjata, 2po2, janë vetëm disa nga këngëtarët, të cilët publikuan projektet e reja muzikore.

Disa këngë iu përshtaten stinës së vjeshtës, disa të tjera vazhduan me ritmin e verës. Por ajo që po vazhdon të jetë në trend janë bashkëpunimet.

Ardian Bujupi dhe Dj Dalool sikur hapen sezonin vjeshtor, por duke vazhduar nën ritmet verore. “E ëmbël” është kënga, e cila u publikua nga dyshja më 21 tetor, që erdhi me një videoklip mjaft veror, por që padyshim vazhdon të dëgjohet ngado.
Nuk vonoi shumë dhe në mbrëmje të po së njëjtës ditë, këngë lansoi edhe 2 Ton, një këngë më ndryshe prej këngëve të tjera që jemi mësuar t’i dëgjojmë nga këngëtari. “Diçka tjetër” u realizua me një videoklip interesant, duke shfaqur një stil të ri të reperit.
Ndodh shpesh që këngëtarët shqiptarë t'i publikojnë videoklipet e këngëve të tyre pothuajse në të njëjtën kohë. Nuk dihet nëse një gjë e tillë bëhet qëllimisht, apo është thjesht një rastësi. Pas Ardian Bujupit dhe 2 Ton, dita e nesërme, pasi publikuan këngët e tyre, ishte rezervuar për këngëtaren Samanta Karavella, e cila solli këngën “Si ai”. Këtë herë, Samanta vendosi të vinte vetëm. Ajo publikoi më 22 tetor "Si ai", vlerësimet ndaj së cilës kanë qenë mesatare, duke u nisur dhe nga numri i klikimeve në You Tube.

Ledri Vula publikoi "A jena mirë" vetëm dy ditë pas Samantës. Video është ripostuar në masë të madhe në rrjetet sociale, si dhe është mbështetur nga artistë të njohur të skenës muzikore shqiptare. Deri më tani, ai ka arritur gati në 5 milionë klikime.
Megjithatë, duket sikur këngëtarët i shpallin luftë të hapur njëri-tjetrit. Por fituese mund të dalë video, e cila merr më shumë klikime, dëgjohet më shumë në lokale, ripostohet në rrjete sociale apo mbështetet me komente.

Po në të njëjtën ditë me Ledrin, u publikua dhe bashkëpunimi i Gentës me Muma, “Squat Baby”. Rikthimi i saj pas një kohe relativisht të gjatë është pritur mirë. Kënga është shumë ritmike, gjersa Genta është shfaqur mjaft energjike dhe atraktive në klip, duke mahnitur me vallëzimin e saj, ndërsa suksesi i këtij projekti është një arsye më shumë që Genta të vazhdojë të kërcejë.
Derisa për pesë ditë rresht të muajit tetor u publikun të gjitha këto këngë me videoklipe, ishte radha e “Lejla” e shumëpritur e Elvanës, 2po2-shit dhe Capital T.

Me të kaluar vetëm një ditë, kënga ka arritur 398.543 klikime, gjë që pritej për shkak se projekti përfshin tre nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare. Pa dyshim, “Lejla” vazhdon të mbetet një ndër këngët më të dëgjuara në sezonin e vjeshtës. Kënga sot numëron mbi 6 milionë klikime.

Muaji tetor solli edhe këngë të tjera. Përmendim këtu këngën “O moj pare” të “Getinjos”, “Rrugës” nga Dj Blunt &Real 1, “Bermuda” nga Tuna etj.

Por jo të gjithë artistët gjetën ritmin e duhur, në mënyrë që t’i dëgjojnë vetëm ata dhe t’i pëlqejnë aq sa duhet. Ledri, Elvana në bashkëpunim me 2Po2 dhe Capital T, Genta në bashkëpunim me MUMA, brenda pesë ditëve, të gjithë këta artistë shumë të dashur kanë publikuar videot. Një "përplasje" e tillë është padyshim e fortë, por kush e fiton?

 

 


Sezoni Vjeshte 23 11 2016 by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...