Ergi Dini, ylli që u shua [video]

22 Nëntor 2016 - 21:28      

Lindim duke mos e ditur sa do të qëndrojmë në këtë botë. Urojmë që qëndrimi të jetë sa më i gjatë, por vdekja nuk u bindet dëshirave tona.

Çka mbetet e përjetshme është kujtimi dhe ajo që ne lëmë pas.

Ndonëse shumë i ri në moshë, kujtime të shumta dhe vështirë të harruara la këngëtari Ergi Dini, i cili vdiq mbrëmjen e së hënës në një aksident tragjik në Tiranë.

22 vjeçari ishte bashkë me shokun e ti Kejdi Halili, i cili e drejtonte motorin, me ç’rast humbja e kontrollit u kushtoi atyre me vdekje.

Të rinjtë janë dërguar menjëherë në QSUT, por kjo nuk bëri që ata të qëndrojnë më gjatë.

Shokues ishte lajmi, jo vetëm për familjarët, por edhe për krijuesit e muzikës në vend.

Shumë të njohur kanë shkruar në faqet e tyre në rrjetet sociale, duke u shprehur ngushëllime familjarëve, e po ashtu duke ndarë eksperiencat e tyre me të.

Ergi Dini ishte fitues i edicionit të tretë të “X Factor Albania”. Me zërin e tij mahnitës, ai i impresionoi të gjithë që nga dita e parë në këtë garë.

Që në fillim të spektaklit, ai ishte favorit për të fituar, pasi qysh në ditët e para rrëmbeu zemrat e publikut mbarëshqiptar.

Me stil të veçantë në të kënduar dhe më një zë karakteristik e konsideronte mentorja e tij, Altuna Sejdiu.

E shokuar pas lajmit tragjik, ajo kujtoi ditët me, siç e quajti ajo, “Rebelin e saj kampion”.

“Të njoha në rrezet e para të tua të agimit, që duhej të ishin dhe të perëndimit, por një ditë, jo kaq herët!.“Me ty derdha lotët e gëzimit, por këto lot tani nuk janë të drejtë! U prehsh në paqe rebeli im kampion, sepse e di që engjëjt aty lart do të kujdesen për ty!”, ka shkruar këngëtarja.

“S'ka pak që mora këtë lajm kaq të hidhur. Pa fjalë. Duket e pabesueshme. Paçka se nuk të njihja nga afër, zërin e talentin tënd ishte e pamundur të mos e duartrokisje fort, ishe kaq ndryshe. Shumë i ri, ti bashkë me shokun tënd... Zoti ju pastë marrë në krahët e tij e u prehshi në paqe! Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve”, ka shkruar Aurela Gaçe.

“E pabesueshme! Ky është lajmi më i hidhur që kam marrë këto vite. Nuk i ndala dot lotët për ëndrrën tënde të madhe, për rininë tënde të bukur, për zërin e mrekullueshëm që humbëm, për motrën që të donte shumë e familjen tënde gjithashtu. Përherë fansja jote”, ka shkruar Eneda Tarifa.

Këngëtarja Flaka Krelani me këtë rast kujton, po ashtu, se sa shumë dashuri duhet të japim, për sa kohë personat e zemrës i kemi pranë vetes.

“ Të gjithë bëhemi shumë të dashur dhe të adhuruar, pasi një fatkeqësi ndodh, e të na rikujtojë se kush ishim, çfarë veprash lamë, sa vlejtëm, sa duheshim, e në fakt që fatkeqësisht nuk ia shprehim njëri-tjetrit sa jemi gjallë! ( Këtu e fus dhe veten time )!!! Ndihem shumë keq që sa ishe, nuk more aq sa duhet dashurinë dhe përkrahjen e duhur, por tani, eh, po të kishin mundur ta kthenin kohën pas, tani, do ta kishin bërë të pamundurën që të ta jepnin dashurinë e përkrahjen e merituar, që po ta japin veçanërisht TANI, sepse ishe dhe do të mbetesh gjithmonë Zëri i Mrekullueshëm i dekadave të fundit, e që muzika shqiptare fitoi shumë! Këndo dhe vallëzo me engjëj lart, sepse i tillë do mbetesh gjithmonë”, ka shkruar ajo.

“Nuk mund ta besoj ! Jo ti... Sapo humbëm një talent që ish një nga shpresat për artin shqiptar...Ti thoshe gjithmonë: Ne jemi ndryshe! E ty të deshi Zoti për vete... Ngushëllime familjes për këtë lajm tronditës!”, është shprehur Young Zerka.

Edhe shumë të tjerë kanë shkruar për Ergin, të cilët e konsiderojnë mëkat humbjen e një talenti kaq të madh shqiptar.

Të tronditur u shprehën edhe Sinan Hoxha, Arilena Ara, Rozana Radi, Elgit Doda, Eni Koçi, Ardit Gjebrea, Beatrix Ramosaj e shumë të tjerë.

Ergi ishte vëllai i këngëtares shqiptare, Barbana Dini, e cila u bë e njohur me ripërpunimin e këngës ‘Thërret Prizreni’. Ajo falënderon të gjithë për ngushëllimet edhe pse thotë se ngushëllim nuk do të gjejnë.

“Faleminderit të gjithëve për ngushëllimet edhe pse për ne s'ka ngushëllim!”, ishin fjalët e saj.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...