“The Rolling Stones” paralajmëron albumin e ri blues

6 Tetor 2016 - 14:01      

Berlin, 6 tetor - “Po vjen më gjashtë tetor”, kështu shkruhet në paralajmërimet e “The Roling Stones” në mediat sociale. Kjo deklaratë e thjeshtë dhe e shkurtër vjen bashkë me një klip 10 sekondash të Mick Jagger dhe Keith Rickards, duke luajtur në kitarë derisa shoqërohen edhe nga ritme bluesi në harmonikë. I njëjti mesazh premtues por i mistershëm, është postuar në kanalin “YouTube”, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e DW.

Derisa bendit i mbetet të shpalosë detaje të tjera, producenti i tyre amerikan, Don Was, javën e kaluar kishte thënë për gazetën franceze “Le Figaro”, se ata kanë incizuar një album që përmban këngë blues. Këtë e kanë bërë për tri ditë duke përdorur vetëm një set të thjeshtë me mikrofon dhe elemente të tjera të studios. Ai po ashtu kishte thënë se ata po mëtojnë që të sjellin diçka të rrallë dhe autentike.

Është thënë se edhe kitaristi Eric Clapton ka marrë pjesë në sesionin e incizimit të albumit bashkë me “The Roling Stones”. Po ashtu me këngë blues, “A bigger Bang” ishte albumi i fundit dhe i njëzetekatërti me radhë i bendit, të cilin e kanë lansuar para më shumë se një dekade, në vitin 2005. Që nga ajo kohë, kishin lansuar incizime nga koncertet, por fansat me padurim kanë pritur këngë të reja nga bendi, i cili është pjesë e këtij biznesi për më shumë se gjysmë shekulli.

Kitaristi i bendit Keith Richards ka thënë se gjithmonë ka pasur një afinitet ndaj muzikës blues. Në vitin 2009, ai kishte shkruar për “The Guardian”: “Nëna ime luante muzikë jazz për mua - këngë të Billie Holiday, Billy Eckstine, Sara Vaughan. Nuk është blues i vendit tim por derisa vazhdova, kuptova se kam krijuar baza të gjera të muzikës blues pa e kuptuar. Kështu që, në një mënyrë, jam rezultat i asaj çka nëna ime ka luajtur për mua”.

Muzika blues është zhvilluar nga afrikano-amerikanët në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fund të shekullit XIX. Karakterizohet nga këngë shpirtërore dhe përfshijnë modelin “thirrje dhe përgjigje”. Chicago blues, që thuhet se është stili që prezantohet në albumin e ri të “The Rolling Stones”, rrjedh nga lëvizja “Great Migration”, që bëri miliona afrikano-amerikanë të zhvendosen nga vendet rurale të jugut të lagje urbane në veri përgjatë mesit të shekullit XX.

Megjithatë, data e lansimit të albumit më të ri të “The Rolling Stones” përkon me festivalin e ri të muzikës në Kaliforni, “Desert Trip”, që duket se, përveç bendit të mirënjohur të muzikës rok, do të jenë edhe legjendat si Bob Dylan, Paul McCartney, Neil Young, Roger Waters dhe “The Who”. “The Rolling...” do të bëjë hapjen e kësaj ngjarjeje që për herë të parë do të zërë vend në Indio të Kalifornisë – lokacioni i njëjtë ku mbahet edhe “Coachella Valley Festival” – më datën shtatë të muajit tetor. Koncertet do të zënë vend prej datës 7 deri me 9 dhe më pas prej 14 deri më 16.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...