Rona Nishliu anëtare jurie në “The Voice of Albania 6”

5 Tetor 2016 - 21:06      

Rona Nishliu është zyrtarisht trajnere e “The Voice of Albania 6”. Këngëtare, tekstshkruese, filantropiste. Nishliu është një ndër personazhet më interesant të muzikës shqiptare. Një personalitet i fortë artistik, ajo njihet për fuqinë vokale si edhe për performancat e saj.

Gjithmonë e veçantë në stil, Rona Nishliu, korri sukses ndërkombëtar në vitin 2011 kur përfaqësoi Shqipërinë në “Eurosong” me këngën “Suus”, duke u renditur në vendin e pestë. Kjo këngë, me tekst të shkruar nga vetë Nishliu, është vlerësuar nga kritikët e të përditshmeve më në zë evropiane si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Corriere della Sera”, “Metro”, e të tjera.

Kënga është kthyer në një fenomen ndërkombëtar duke u kënduar në disa kompeticione rajonale në Bullgari, Rumani, Malte, e deri tek “The Voice” në Ukrainë.

Nishliu shpesh ka përdorur fuqinë e saj artistike në mbështetje të kauzave të ndryshme humanitare. Ajo është pjesë e një projekti në Kosovë kundër dhunës gjinore, temë për të cilën ka dhe një këngë.

Gjithashtu prej disa viteve ka dhënë kontribut të veçantë në sensibilizimin ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta. Në vitin 2014, Nishliu ishte e ftuar në koncertin e organizuar në kryeqytetin e Serbisë në nderim të figurës së Bekim Fehmiut, ku emocionoi të pranishmit duke kënduar shqip.

Duartrokitjet e tej zgjatura për të, konfirmuan se Rona Nishliu është vërtetë ambasadore e kulturës shqiptare në botë. Albumi i saj i parë “Me motivet tona” ka shëtitur si koncert në qytete të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri si pjesë e një projekti kulturor për të risjellë në vëmendje këngë të vjetra shqiptare.

Ashtu sikurse Rona Nishliu, për herë të parë karrigen e kuqe të “The Voice” do ta provojë edhe Alban Skënderaj. Ky angazhim i ri i kantautorit të njohur ishte njoftuar para disa javësh.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...