“Suicide Squad”, kampioni i javës

10 Gusht 2016 - 22:52      

Filmi i fundi i studios Warner Bros, "Suicide Squad", u shpall kampion i kësaj jave në arkat filmike të Amerikës Veriore, duke i fituar gjithsej 135 milionë në javën e parë të shfaqjes.

I bazuar në librin komik me të njëjtin emër, filmi i regjisorit David Ayer në rolin e protagonistëve i sjellë aktorët yje të Hollywoodit: Will Smith, Margot Robbie, Jared Leto, Jai Courtney dhe Cara Delevigne. Ata e portretizojnë një grup kriminelësh me aftësi të jashtëzakonshme, të cilëve qeveria u kërkon ndihmën për ta mposhtur një kriminel të rrezikshëm, dhe kështu ata përfundojnë duke e luajtur rolin e heronjve.

Vazhdimi i fundit në serinë e filmave, "Jason Bourne", arriti të pozicionohet në vendin e dytë të arkave filmike të Amerikës Veriore, duke i fituar edhe 27.7 milionë dollarë ekstra, të cilat do t’i shtohen shumës totale të arkëtuar brenda dy javëve të shfaqjes. Në film luajnë aktorët, Alicia Vikander, Tommy Lee Jones dhe Matt Damon, i cili edhe një herë rikthehet në rolin e ish-agjentit të CIA-s, që detyrohet të largohet nga vendi ku është fshehur për t’i luftuar të këqijtë. Ky projekt pritet t’i arkëtojë edhe shumë të holla në javët në vazhdim.

Në vendin e tretë është komedia, "Bad Moms", në të cilën luajnë aktoret, Mila Kunis, Kristen Bell dhe Kathryn Hahn, në rolin e tri nënave tejet të stresuara, që provojnë ta lirojnë veten nga obligimet e përditshme. Në javën e dytë të shfaqjes nëpër kinema, ky projekt i arkëtoi gjithsej 14.2 milionë dollarë. Edhe pse i gjithë filmi e ka përqendruar vëmendjen te gratë dhe nënat, ai është krijuar nga dy meshkuj – John Lukas, dhe Scott Moore, të cilët ishin edhe krijues të filmit “Hangover”.

Po ashtu, nga javët e kaluara, kemi filmin “The Secret Life of Pets”, i cili i arkëtoi edhe 11.5 milionë dollarë ekstra nga shfaqja nëpër kinematë e Amerikës dhe Kanadasë, dhe të cilat do t’i shtohen shumës totale të arkëtuar deri më tani, që e kap shifrën prej 300 milionë dollarëve. Filmi i animuar, ka zgjuar interesim tejet të madh te publiku, sidomos te familjarët, dhe kjo falë historisë komike që e ngërthen në vete. Ai bën fjalë për jetët e kafshëve shtëpiake dhe sjelljet e tyre, pasi pronarët e tyre largohen nga shtëpia. Ai fokusohet te një qenush xheloz, i cili futet në aventura të panjohura. Kjo, pasi pronarja e tij e sjell në shtëpi një qen nga rruga.

E, top -pesëshja u plotësua me një prej kampioneve të javëve të kaluara, "Star Trek Beyond", i cili falë 10 milionë dollarëve të fituara nga e premtja deri të dielën, arriti të pozicionohet në vendin e pestë. Pas kalimit të regjisorit të filmave “Star Trek”, J.J Abrams në filmin “Star Wars: The Force Awakens”, roli i regjisorit të këtij projekti iu besua Justin Lin-it, i cili më së miri njihet për punën e tij me filmat, “Fast and Furious”. Ndërsa, dukshëm në këtë projekt, do të vërehet mungesa e aktorit, Anton Yelchin, i cili në filmat e kaluar, e ka portretizuar personazhin e lundërtarit Chekov. Ai vdiq në qershor të këtij viti pas një aksidenti me veturë. “Star Trek Beyond” e tregon ngjarjen për ekipin e luftëtarëve që janë kundër një jashtëtokësori misterioz të njohur me emrin, Krall.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...