Një tregim nafte

12 Janar 2015 - 09:01 - Lumir Abdixhiku      

Në ekonomikë, mësimin e parë studentët i kanë relacionet e kërkesës dhe ofertës. Dhe në këtë mësim, ata kuptojnë se rritja e ofertës kur kërkesa mbetet e pandryshuar ndikon në rënien eventuale të çmimeve. Çmimet e naftës po bien gjithandej sot pikërisht për shkak të relacioneve të tilla në tregjet ndërkombëtare

Në ekonomikë, mësimin e parë studentët kanë relacionet e kërkesës dhe ofertës. Dhe në këtë mësim, ata kuptojnë se rritja e ofertës kur kërkesa mbetet e pandryshuar ndikon në rënien eventuale të çmimeve. Çmimet e naftës po bien gjithandej sot pikërisht për shkak të relacioneve të tilla në tregjet ndërkombëtare.
Në përgjithësi, janë tre faktorë kryesorë që kanë determinuar rënien e çmimit të naftës gjatë vitit 2014 dhe që pritet të determinojnë edhe më tutje në vitin vijues.

I pari, dhe më i rëndësishmi, ka të bëjë me rritjen e ofertës furnizuese të naftës nga SHBA-ja, të cilat sot janë shndërruar në prodhuesit më të mëdhenj në botë të derivateve. Në principet bazike të ekonomisë gjithmonë, një rritje në sasinë e prodhuar – dhe rrjedhimisht të ofertuar – do të shkaktojë rënie të nivelit të përgjithshëm të çmimeve. SHBA-ja, sipas raportimeve të revistës “The Economist”, vetëm gjatë vitit 2013 kanë rritur nivelin e prodhimit për 11%, duke tejkaluar kështu prodhuesin e dytë, Arabinë Saudite.

Faktori i dytë ndërlidhet me mospajtimet brenda OPEC-ut, kartelit më të madh të derivateve; më saktësisht insistimit të sauditëve dhe aleatëve të tyre të Gjirit Arabik për të mos ulur sasinë e naftës që ata prodhojnë. Ulja eventuale e ofertës së tyre do të rriste natyrshëm çmimet. Për fatin tonë të mirë, vendet refuzuese të OPEC-ut preferojnë ruajtjen e hisesë së tregut – pra ruajtjen e satus quo-së – para ndryshimit të çmimeve. Në logjikën e tyre, në periudhë afatgjate, hiseja megjithatë mbetet më e rëndësishme se çmimi.

Faktori i tretë, ndërsa, ka të bëjë me rënien e kërkesës së gjithëmbarshme për naftë dhe derivate si refleksion jo vetën i aktivitetit të ulët ekonomik botëror, por edhe si rezultat i rritjes së përdorimit të zëvendësuesve alternativë të derivateve. Të gjithë këta faktorë – së bashku – kanë bërë që çmimet e naftës të përgjysmohen, saktësisht të bien për plot 54%; dhe rënia – për fatin tonë të mirë – është vetëm në stadin fillestar.

Përtej konsumit individual, nafta sot është produkti më i rëndësishëm në zinxhirin e gjerë të prodhimit e të krijimit të pothuajse secilit produkt tjetër; pra është produkti më i zakonshëm në tërësinë e produkteve që krijohen e prodhohen sot në Kosovë. Nafta – për secilin ngutanak – nuk është veçse ushqyes i vozitjes automotive – porse është ushqim i gjithë aktivitetit ekonomik të një vendi.

Rrjedhimisht, secila ulje e çmimit të naftës do të duhej të prekte pozitivisht një tërësi aktivitetesh ekonomike në vend – një input ky tepër esencial për zhvillimin tonë ekonomik dhe të secilit vend tjetër në zhvillim. Por rënia e çmimeve të naftës është një dhuratë e papritur që natyrshëm do të duhej të rriste kapacitetet tona kursyese dhe rrjedhimisht – nga to – investimet e gjithëmbarshme në aktivitete që krijojnë vlerë; është një dhuratë e mirëseardhur.

Por, për fatin tonë të keq, në Kosovë, naftëtarët kanë bërë një zgjedhje kundërintuitive e mjaft të kushtueshme për vendin. Ata, paradoksalisht, ndjekin në përpikëri rritjet e çmimeve të naftës nëpër tregjet ndërkombëtare, por tregohen jofleksibil e të ngurtë kur bëhet fjalë për rëniet drastike të çmimeve, siç është edhe ky tani. Këtë dhuratë të gjithëmbarshme, këta naftëtarë, kanë vendosur ta mbajnë veçse për vete.

Në këtë rrethanë më dalin dy konkluzione. I pari, spekulativ por jo dhe larg mundësive, se naftëtarët nëpërmjet marrëveshjeve për kurdisje apo thjesht mirëkuptimit nga komforti që kanë, kanë zgjedhur që të mos ndjekin trendët ndërkombëtarë për të përfituar shpejt e shumë nga situatat e tilla; pra është sjellje tipike e profiterëve të rasteve e krizave. Dhe e dyta, se në Kosovë nuk ka mjaftueshëm konkurrencë mes importuesve dhe se duhet licencime shtesë.

Nëse ka kurdisje, atëherë një intervenim dhe hetim i Autoritetit të Konkurrencës do të duhej të niste punë. Në fund të fundit nuk do të ishte as hera e parë e as e fundit që ky autoritet ka investiguar – dhe dënuar – operatorët e naftëtarëve. Nëse ka mungesë të konkurrencës, ndërsa, atëherë një intervenim i Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë do të duhej të hapte rrugë për operatorë të rinj, për liberalizim pra.

Të dhënat e fundit mbi çmimin e naftës nga tregjet ndërkombëtare, tregojnë se një litër naftë sot kushton 0.28 euro. E njëjta litër vetëm gjashtë muaj më parë kushtonte plot 0.61 euro. Pra bëhet fjalë për një rënie prej 54% në çmimin e furnizimit. Sipas kësaj llogaritjeje, me gjithë implikimet proporcionale të TVSH-së, një litër naftë sot – së paku – do të duhej të shitej për 0.35 deri në 0.38 euro më lirë në Kosovë se sa që është shitur gjashtë muaj më parë, sepse për aq blihet më lirë nga vetë naftëtarët kosovarë.

Me fjalë të tjera, sikur naftëtarët të përcillnin trendët njëmend, atëherë një litër naftë në Kosovë do të kushtonte jo më shumë se 0.85 euro, aq sa kushton sot edhe në Maqedoni; dhe se ky çmim do të duhej të reflektonte me kohë e proporcionalisht në rëniet eventuale të tjera.

Qeveria e Kosovës e ka për obligim ndërhyrjen në raste të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për një sektor kaq të rëndësishëm biznesor e ekonomik tonin. Fillimisht, Qeveria e Kosovës duhet të shikojë mundësinë e ndryshimit shkallës së akcizës në naftë. Sepse sot kosovarët paguajnë plot 0.35 euro akcizë fikse për secilën litër naftë që blejnë. Në çmimin e tanishëm të naftës, i bie se për një litër naftë ne paguajmë plot 125% akcizë. Përveç kësaj, kosovarët paguajnë dhe 16% taksë në vlerë të shtuar.

Pra ka një kosto të pakuptimtë dhe të rënduar mbi kosovarët nga qeveria e tyre. Natyrshëm se uljet në akcizë do të kishin implikime buxhetore, por secila ulje do në çmim të naftës do të rriste aktivitetin ekonomik tonin. Mbledhja e parave për buxhet nuk do të duhej të nënkuptonte edhe mbytjen e secilit aktivitet tjetër investues në vend.

Së dyti, Qeveria e Kosovës, me gjithë mekanizmat e vet, duhet të hetojë dhe të investigojë ngurtësimin e naftëtarëve për të parë defektet dhe problemet eventuale. Nëse ka kurdisje, atëherë them se duhet të tregojë rendin ndaj një sektori që në të gjitha rastet ka treguar padëgjueshmëri ndaj mekanizmave qeveritarë dhe profiterizëm në rastet si ky.

Në fund fare, nëse mekanizmat e Qeverisë janë të dobët për të ndërhyrë në situata si këto, them që duhet të mendojmë edhe kalimin në një treg të rregulluar – sikurse në rastin e energjisë elektrike – ku çmimet do të përcaktoheshin më pas nga një autoritet rregullues publik; ndonëse një alternativë si kjo, më mbetet më pak e preferuar. Rregullimi i tregut të naftës nuk do të ishte risi; sepse, nëse asgjë tjetër, me vetë licencimin e kompanive importuese, të kufizuara siç janë, ky treg tashmë është i rregulluar.

Rregullatori madje është i paraparë dhe i modeluar edhe me Ligjin nr. 03/l-138 mbi tregtinë me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, të miratuar më 25 qershor të vitit 2009, ku në nenin 11 thuhet se Qeveria e Kosovës mund të ndërhyjë në rastet kur ka “...lëvizje të mëdha të çmimit të naftës dhe derivateve të saj në tregun botëror dhe mospërshtatjen e çmimeve vendore me lëvizje të tilla”. Në po të njëjtin nen thuhet se “…Qeveria mundet, me qellim të mbrojtjes së konsumatorëve, eliminimit të çrregullimeve në treg apo nga arsyet e tjera në interes shtetëror, të përcaktojë çmimet shitëse maksimale (minimale) me shumicë dhe pakicë, të përcaktojë marzhat tregtare maksimale për shitje me shumicë dhe pakicë, si dhe të marrë masa të tjera në përputhje me ligj”.

Pra Qeveria e Kosovës ka sot secilin mekanizëm të nevojshëm për të ndërhyrë dhe trajtuar ngurtësimin e pakuptimtë të naftëtarëve në vend. Sa më i shpejtë ky intervenim, aq më i madh përfitimi i gjithëmbarshëm në vend.
[email protected]
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...