“DITA B”

15 Shtator 2014 - 08:31 - Lumir Abdixhiku      

Mbi fotografinë e madhe që blloku i bashkuar duhet ta shohë.

-1-

Gjërat ndryshojnë shpejt këndej nga ne; e me gjithë to dhe pritjet eventuale për dalje – me siguri – nga ngërçi më i rëndë dhe më i koklavitur politik që Kosova mund të ketë pasur ndonjëherë. Në vijë të ndryshimeve shpeshherë dhe të papritura e vështirë të paramenduara vetëm muaj më parë, ishte edhe bashkimi gjithopozitar – i bllokut LAN me VV-në; një lëvizje kjo bukur kuptimplote dhe një kundërpërgjigje bukur logjike ndaj pushtetit paraprak; ndaj PDK-së e PD-së pa numra dhe AKR-së pa vota e tashmë jashtë.

Bashkimi i opozitës në një tabor i jep kuptim elementit thelbësor të një qeverisjeje të mirë për Kosovën, i jep kuptim shumicës shqiptare. Për dallim nga qeverisja e shkuar – padyshim më e rënda që vendi ka pasur ndonjëherë – në këtë konstelacion të ri bashkimi, shqiptarët, siç e do edhe rendi, do të jenë shumicë qeveritare; dhe kjo bën kuptim shumë. Bën kuptim jo vetëm përballë nevojës për të pasur një qeverisje të vullnetit të shumicës, por edhe përballë amortizimit të kërkesave eventuale antirepublikane të listave të pakicës.

Bashkimi i opozitës jep edhe garanci për vullnetin e përgjithshëm politik në vend. Pra me një bashkim të tillë partiak jo vetëm që kanalizohen rrjedhshëm të gjitha pakënaqësitë antiqeveritare në një vend, por rriten edhe gjasat për ndërtimin e një alternative bindëse opozitare. Ndryshe, një opozitë e ndarë në dysh – blloku andej, VV këndej – do të ishte më pak kredibile përballë zgjedhësve, e shumë më shumë fragjile përballë lëvizjeve individuale të deputetëve që mund dhe të ndryshonin eventualisht anë.

Mbi të gjitha, bashkimi i opozitës jep kuptim logjik të përfundimit të sagës së deritanishme. Në këtë kuptim logjik, numrat e (deri dje) opozitës përbëjnë bindshëm sot pozitën; dhe këtë fakt logjik nuk ka e nuk bën kush ta kontestojë.

-2-

Por fakti logjik – këtë herë – nuk ka gjetur interpretim e mirëkuptim të Kushtetueses. Interpretimi i Kushtetueses mbështet zgjedhjen e kryeparlamentarit me “substancë” – siç e thonë ata; dhe, sërish siç e thonë ata, kjo “substancë” duhet të përmbajë ekskluzivisht elemente të partisë më të madhe nga zgjedhjet, PDK-së; ani pse e njëjta nuk e përbën shumicën parlamentare. Në të kundërtën, secila zgjidhje pa “substancën” e PDK-së mbetet antikushtetuese; e thonë pra ata.

Dhe këtë interpretim të tyre palët partiake duhet ta marrin si të qenë. Zërat fillestarë të cilësimit të gjykatësve si “fundërrina”, të “korruptuar” e çka jo tjetër, kanë dëmtuar pikërisht alternativën e re në bërje; e kanë shpërfaqur atë para partnerëve ndërkombëtarë e institucionalistëve të brendshëm si jokorrekte e jo të qëndrueshme; një lojë me shumë rrezik kjo. Në këtë vijë rrodhën dhe reagimet e shpejta të shteteve perëndimore në Kosovë; e të cilat njëzëri mbështetën Gjykatën Kushtetuese. Pra, ndonëse përfshirja e ndërkombëtarëve në konstituimin e Qeverisë – për fatin tonë të mirë – ishte inekzistente, mbrojtja e Kushtetueses ishte e menjëhershme – sërish për fatin tonë të mirë pra.

Dhe interpretimi i Kushtetueses – ndonëse kundër kuptimit logjik të shumicës parlamentare – duhet të përdoret – unë argumentoj – si urë kaluese për arritjen e qëllimit përfundimtar të bllokut, pra të ndërtimit të vet Qeverisë. E për të kaluar këtë urë drejt një qëllimi më madhor, blloku i bashkuar duhet të shohë fotografinë e madhe; që kam përshtypjen se nuk e sheh dot.

-3-

Fotografia e madhe, për bllokun e bashkuar, nënkupton sakrifikimin e pozitës së kryeparlamentarit për marrjen e Qverisë. Në secilën rrethanë, në secilën llogaritje, në secilin pazar, një këmbim i tillë do të ishte pa diskutim në favor të bllokut. Sepse, ndonëse pozita e kryeparlamentarit ka rëndësi, ajo thjesht është e barabartë me pak po u krahasua me çfarë mund të merret e çfarë rrezikohet të humbet. Në fund të fundit kryeparlamentari është veçse një spiker i një mbledhjeje, votat e një shumice sa dy të tretat në atë mbledhi do të përcaktojnë gjithçka; ama bash gjithçka – me apo pa spiker në anën e tyre.

Për të bërë pra Qeverinë, dhe për të pasur një Parlament me shumicë sa dy të tretat e pjesëmarrësve (ani pse pa kryeparlamentar), blloku i bashkuar mund të votojë – sipas udhëzimit të Kushtetueses – kandidatin e propozuar nga PDK-ja. Le ta ketë madje opozita e ardhshme edhe të drejtën e udhëheqjes së Parlamentit; i bën madje hair demokracisë në këtë vend kur edhe opozita udhëheq me spikerin parlamentar – jo me vota parlamentare gjithsesi.

Zgjedhja e kryeparlamentarit do të hapte menjëherë rrugë për zgjedhjen e kryeministrit – që padyshim e me plot mbështetje nga interpretimi i parë i Kushtetueses – i takon bllokut të bashkuar. Në këtë formë blloku zotëron Qeverinë, lë PDK-në me një pozitë ceremoniale, e meqë ka dhe shumicën parlamentare sa dy të tretat, nesër mund të zgjedhë – madje në raund të parë – presidentin konsensual; sepse më konsensual se sa dy të tretat nuk ka çfarë të ketë.

-4-

Natyrisht se një “shortcut” i tillë do të prishte një marrëveshje të bllokut; por sërish, prishja e detajeve të marrëveshjes së bllokut mbetet megjithatë çështje për t’u zgjidhur brenda bllokut dhe jo më çështje që duhet zgjidhur nëpër institucione – që vetë blloku – i konsideron të zaptuara.

Blloku i bashkuar, nëse bash dëshiron të ketë Qeverinë, mund të rinegociojë të gjitha pozitat e ndara deri më tani; përfshirë dhe atë të kryeministrit. Madje në një përbërje të re – bashkë me VV-në në grup – disa nga pozitat e ndara në mes të partive përbërëse të LAN-it veçse do të ridefinohen domosdo. E në këtë ridefinim të relacioneve blloku i bashkuar mund të ridefinojë dhe pozitën e kryeministrit.

Posti i kryeministrit, për shembull, mund t’i kalojë liderit (deri dje) të opozitës, pra LDK-së; do të ishte shumë më e natyrshme se sa mbajtja e tij nga i fundit i grupit, pra AAK-së. E nëse bash mbajnë hatër të fundit të grupit, t’u garantohet i njëjti post në momentin që mandati i presidentes përfundon; të bëhet një rokadë në të cilën kryeministri nga LDK-ja bëhet president, e zëvendëskryeministri nga AAK-ja bëhet kryeministër. Është e drejtë kushtetuese – e pakontestueshme – që partitë parlamentare të zgjedhin presidentin e ri; e meqë kanë shumicën e votave (dy të tretat pra) kanë secilën të drejtë ta zgjedhin njërin nga radhët e veta – le të themi, kryeministrin e deriatëhershëm.

Blloku i bashkuar mund të propozojë edhe zgjidhje tjera atraktive që tejkalojnë ngecjet e parëndësishme, por të rrezikshme për të zhbërë gjithçka. Sepse rreziku i zhbërjes së gjithçkaje çfarë është arritur deri më tani buron nga vazhdimi i ngërçit deri në pazgjidhje.

-5-

Ka shumë gjasa që seanca e përsëritur të përfundojë me ngërç të ri politik. Kryesuesja e Kuvendit, nga radhët e PDK-së, propozon kandidatin për kryeparlamentar nga partia e saj. Kandidati i ri – tashmë i nominuar – nuk merr votat e mjaftueshme. Rrjedhimisht kryesuesja ndërpret/pauzon seancën për konsultime ndërpartiake deri në gjetjen e kandidatit të ri konsensual – siç e kërkon pra Kushtetuesja; siç dhe do ta arsyetojë ajo. Nevoja për konsensus, e shprehur nëpërmjet vendimit të Kushtetueses e ulë PDK-në në tavolinë si faktor negociues. Ulja në tavolinë negociuse në çdo rrethanë është kompromis në pozicionet e bllokut – pa përcaktim kohe.

Ka shumë gjasa që pas ndërprerjes së seancës nga kryesuesja, blloku i bashkuar të vazhdojë atë – nëpërmjet modaliteteve që mund t’i gjejnë gjithandej. Kështu blloku zgjedh kryeparlamentarin e ri, por PDK-ja dërgon sërish rastin në Kushtetuese, duke hapur kështu mundësinë për vonesa shtesë e në fund edhe – nëse pretendimet e bllokut janë të sakta rreth zaptimit të Kushtetueses – me një vendim sërish në favor të PDK-së. Këtu më pas mund të lindin dilemat mbi validitetin e gjyqtarëve të Kushtetueses mandati i të cilëve është vazhduar nga presidentja e jo nga Parlamenti siç e kërkon dhe Kushtetuta – çfarë ngatërrese.

Ka shumë gjasa që të mos ndodhë asnjëra, të na lindë një alternativë e re; diçka që javë e muaj më parë nuk e kemi menduar fare. Këtu gjërat ndryshojnë shpejt; aq shpejt saqë secila alternativë bëhet e mundshme. Por nëse blloku njëmend dëshiron ta zotërojë më në fund Qeverinë e t’u japë fund gjithë pretendimeve për një qeverisje regresive nga PDK-ja e sotshme, atëherë ka gjithçka në dorë të vet. Në “Ditën B”, ditën e bllokut, të bashkimit apo të rastit të dytë, blloku – si në një lëvizje të mençur shahu – mund të sakrifikojë mbretëreshën për fitore; të japë kryeparlamentarin për një qeveri të tyre. Secili kërkim për më shumë, ndonëse i mundshëm padyshim, hap rrugë për rreziqe të reja, për ngërç dhe më të thellë e pa fund – deri në zgjedhje të reja.

[email protected]
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...