Mbi paradokset e republikës së kapur

26 Maj 2014 - 10:39 - Lumir Abdixhiku      

Kur sistemi i drejtësisë vetërrënohet, duke propozuar alternativë antirepublikanizmin, kur ai më pas negocion me individë, duke i bërë ata të barabartë sa shteti, atëherë e kupton se këtu më së paku ka shtet. Në këtë vijë, shkatërruesit e shtetit – të burgosurit dhe propozuesit e Veriut – ballafaqohen për mbajtje ose jo të shtetit. Dhe kjo është nëna e paradokseve të paradokseve them unë Lumir Abdixhiku

-1-
Përderisa ministri i Drejtësisë mbante fjalim për rendin dhe ligjin – si pjesë e premtimit elektoral në konventën e PDK-së – pra të asaj se çfarë do të bënte nëse kosovarët i besonin të bënte, sërish madje, një i akuzuar për krime lufte kishte marrë arratinë; jo nga burgu, por nga dhoma VIP e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë. Në klinikë, i akuzuari, po qëndronte tash e sa muaj – jo i vetëm, por me të gjithë bashkëpartiakët e tjerë të ministrit. Sepse në burg nuk guxonte ta mbante kush. Në spital, ndërkaq, mjekët servilë e të frikësuar deri në palcë, i siguronin leje qëndrimi për sëmundje të zemrës, tensionit, frymëmarrjes, veshkave, fytit, temperaturës e fruthit; vetëm malarien, SIDA-n e H1N1-shin kishin mangët këta. Kaq për rendin, ligjin e konventën e PDK-së.

Pra, i akuzuari, i zgjedhur kryetar komune nga PDK – nga burgu – po sfidonte rendin dhe ligjin duke u arratisur nga spitali, pasi kishte qëndruar në spital e jo në burg ditën që PDK-ja premtonte ligj. Sa shumë pjesë të këtij përshkrimi duken gabim; sinqerisht.
E sepse qëndronte në spital e jo në burg, misioni ndërkombëtar i drejtësisë – e vetmja shpresë për drejtësi në një vend ku i akuzuari sfidon shtetin – urdhëronte bartjen e tij në Veri; në një burg të kontrolluar nga sistemi paralel serb atje. E këtu tash, bëhen gjërat edhe më gabim; në shumë nivele madje.

E sepse misioni ndërkombëtar kishte zgjedhur një burg paralel antirepublikan si alternativë të burgjeve republikane, për të akuzuarit për krime lufte që qëndronin në spital e jo në burg, të akuzuarit bashkë me përkrahësit e tyre kryesisht klientalistë, po negocionin me rendin dhe ligjin – me vetë shtetin – nën zërat e brohoritjet e kërcënimet dhe djegies së gjithçkaje çfarë u del para po nuk u bo si ua thotë mendja atyre. Dhe këtu, gjërat arrijnë kulmin e gabimit; nuk ka si të bëhet më zi.

-2-
Kalimi i paraburgimit në spital e jo në burg, është marri. Transferimi në Veri është edhe mosvet. E para, sepse, bartja e një kosovari në një burg paralel do të nënkuptonte se burgjet e tjera të kosovarëve ishin të padenja për të bërë drejtësi; prandaj, pse mundohemi të mbajmë drejtësi?! E dyta, sepse, bartja e një ish-luftëtari të UÇK-së në një burg paralel serb, pavarësisht arsyeve, do të thoshte mundësi hakmarrjeje të pastër nga individë që deri dje ishin fashistë të ndyrë e antihumanë; dhe kjo nuk bën. E treta, sepse, bartja e një kosovari në një burg paralel të kontrolluar nga antirepublikanët minoritarë do të nënkuptonte funksionimin e antirepublikanizmit kundrejt Republikës; dhe kjo nuk bën edhe më hiç. Por këtu nuk qëndron fija e lëmshit të problemit; kjo fije ka zanafillë në ikjen e të paraburgosurve nga burgu e në spital. Ku ishte shteti atëherë?!

Po të qëndronin në burg e jo spital, të akuzuarit për krime lufte, i gjithë paradoksi i transferimit në Veri do të ishte i paqenë. Po të qëndronin në burg e jo spital, të akuzuarit për krime lufte, as Tribunalin e veçantë për Kosovën nuk do ta kishim në derë. Sepse duke qëndruar në spital e jo në burg – siç e thotë ligji i barabartë për të gjithë – këta individë i dëshmuan botës se këtu nuk ka shtet, pra ka individë mbi shtet. E kur ka individë mbi shtet, vjen diçka si Tribunali që është mbi individë e mbi shtet e mbi secilin tekë e ves tjetër; veçse gjatë bërjes rrënon gjithçka që kemi ndërtuar na e këta bashkë për pesëmbëdhjetë vjet rresht.
E po të qëndronin në burg, e jo në spital, të akuzuarit për krime lufte, as negociatat shtet-individ nuk do të ndodhnin. Nuk do të kishim kështu një skenë hajgare të kërcënimit kanunor ndaj një misioni evropian që me aq shumë zell e vullnet e mbajmë në gojë nëpër konventa e ligjërata patetike paraelektorale.

Sepse Evropa nuk është parajsë tekash e vesesh e kërcënimesh, por është standard, është kriter, është vlerë e formë e jetesës që këta as vullnet nuk kanë për ta kapur. Prandaj dhe prodhojnë paradokse vazhdimisht në një shtet të kapur. Në një situatë të tillë paradoksesh, një mosqëndrim burgu prodhon një propozim mjerues dhe në fund një negociim trishtues për gjithë vendin. Kur sistemi i drejtësisë vetërrënohet, duke propozuar alternativë antirepublikanizmin, kur i njëjti më pas negocion me individë, duke i bërë ata të barabartë sa shteti, atëherë e kupton se këtu më së paku ka shtet. Në këtë vijë, shkatërruesit e shtetit – të burgosurit dhe propozuesit e Veriut – ballafaqohen për mbajtje ose jo të shtetit. Dhe kjo është nëna e paradokseve të paradokseve them unë.

-3-
Këtu ka një grumbull paradoksesh aksidentalë të individëve që mendojnë mbretërinë si formë kontrolli e zotësie ndaj të tjerësh – sepse munden. E po të mos u ndalohej nga një grumbull tjerësh gjoksaxhinjë ndërkombëtarë dhe do ta bënin; do të sundonin mbretërisht gjithçka deri në palcë.
Në këtë shtet paradoksesh, të vetmit që duhet mbajtur përgjegjës janë pjesëtaret e PDK-së, që po shkatërrojnë secilin element shtetëror sa herë që u vjen rendi për të bërë një gjë të tillë. Këta pra nuk e kanë asnjë qëllim për shtetndërtim për të gjithë, këta kanë për qëllim shtetndërtimin për ta, kur ata bëjnë çfarë të duan, si të duan, sa herë të duan; të tjerët pra duhet të jenë të dëgjueshëm dhe asgjë më shumë.

Në këtë shtet paradoksesh duhet mbajtur përgjegjës PDK-në që me mosaftësinë e saj për të krijuar shtet jep sinjale gjithandej botës se këtu na duhen ndërkombëtarët; sepse pa ta as të paraburgosurit nuk mund t’i mbajmë në burg – lëre më shumë. Në këtë shtet paradoksesh duhet mbajtur përgjegjës PDK-në që ka kapur shtetin kaq keq e kaq mbrapshtë sa që na mban të gjithëve peng për bëmat e tyre; nëse duhet rënë do të biem të gjithë na thonë. Ky shtet i kapur meriton zë force e fuqie ndaj secilit kërcënues e shantazhues, vendor e ndërkombëtar. Ndaj atyre (vendorë) që refuzojnë shtetin dhe atyre (ndërkombëtarë) që propozojnë mbajtjen e disa ish-çlirimtarëve, tash zaptues, nëpër burgjet antirepublikane serbe.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...