17 Nëntor 2014 - 08:46 - Lumir Abdixhiku
Përgjatë viteve të shkuara ekonomia e vendit tonë është ballafaquar në vazhdimësi me barriera institucionale, financiare, informale, fiskale, ligjore e të fuqisë punëtore. Rrjedhimisht, në tre vjetët e fundit, përfshirë dhe të sivjetshmin, rritja ekonomike e jona ka qenë – në mesatare – jo më e lartë se 2.5%; katër herë më e ulët se për çfarë vendi ynë ka nevojë.
Me trendin e tanishëm të rritjes ekonomike, Kosovës do t’i duhen pesë dekada të tjera për të arritur një mesatare rajonale e evropiane. Për më tepër, bruto produkti ynë vendor – për kokë banori – vazhdon të mbetet më i ulëti në rajon e Evropë. Të ardhurat tona për kokë banori janë dy herë më të ulëta se ato në Mal të Zi, dhe disproporcionalisht më të pakta se ato në Maqedoni, Shqipëri e Serbi.
Vendi ynë ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë. Nga 1.2 milionë forcë punëtore, Kosova ka të punësuar vetëm 300.000 sish; pjesa e mbetur janë ose të papunë ose joaktivë. Këto norma alarmante të papunësisë prekin sidomos popullsinë e re të Kosovës, e cila e dekurajuar synon vazhdimisht largimin nga vendi. Mbi të gjitha, Kosova ka mbi 12.1% të popullsisë së saj që jeton në varfëri të skajshme me më pak se 1 euro në ditë. Janë plot 217.000 kosovarë që jetojnë sot me më pak se 1 euro në ditë.
Në fushën e tregtisë, Kosova ka vazhduar trendin e rëndesës së varësisë në importe, duke shënuar kështu një deficit të lartë tregtar prej plot 2.1 miliardë eurove. Katër vjet më parë ky deficit tregtar ishte jo më i lartë se 1.8 miliardë.
Pra, përveçse ballafaqohemi sot me një disproporcion enrom të eksporteve tona me importe, ne vazhdojmë të thellojmë hendekun tregtar nëpër vite. Kosova vazhdon të importojë më së shumti nga Serbia – mbi 12% të importeve vijnë nga atje; përderisa eksporton më së shumti në Itali – rreth 35% e eksporteve tona janë drejt Italisë.
Investimet e jashtme në vend, pas një rekordi prej 440 milionë eurove në vitin 2007, kanë shënuar rënie të vazhdueshme nëpër vite, për t’u rrumbullakuar në rreth 250 milionë euro në vitin e fundit. Përgjatë viteve të fundit Kosova nuk ka arritur të shndërrohet asnjëherë në vend atraktiv për investime. Remitencat në anën tjetër kanë shënuar rritje të vazhdueshme; sot ato arrijnë në plot 600 milionë euro në vit.
Këto shuma shërbejnë në uljen e deficiti të llogarive rrjedhëse; dhe shërbejnë si input i rëndësishëm i stabilitetit social në vend. Fatkeqësisht, një pjesë shumë e vogël e tyre përfundon në investime. Kosova gjithsesi dhe fatmirësisht ka arritur të ruajë një stabilitet financiar. Borxhi publik ndonëse në rritje vazhdon të mbetet brenda kornizave të pranuara; përderisa disiplina jonë financiare e siguruar me deficite buxhetore të pranueshme jep një komfort të përgjithshëm.
Por nuk ka dyshim tashmë se ekonomia e vendit tonë – sipas të gjithë treguesve të saj makroekonomikë – nuk po arrin të marrë veten. Dhe nuk ka asnjë dyshim se ky stagnim i yni ekonomik buron nga një nënperformancë e sektorit privat në vend; subjektit të diskutimit të këtij shkrimi pra.
Sektori privat i Kosovës, si gjenerator e forcë motorike e zhvillimit tonë ekonomik e shoqëror, është në gjendje kritike. Kosova ka një densitet shumë të ulët të krijimit të bizneseve të reja, dhe në shumicën e rasteve këto biznese të reja dështojnë e mbyllen shpejt. Për krahasim, sipas Bankës Botërore, numri i bizneseve të reja që krijohen në 1000 banorë është vetëm 1.2; tri herë më i ulët sesa në Maqedoni, Serbi e Shqipëri.
Kosova ka sot plot 120.000 biznese të regjistruara, por vetëm gjysma e tyre, pra rreth 60.000 sosh, janë aktive. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 92% sosh, janë mikro-ndërmarrje, kryesisht familjare, me 1 deri në 9 punëtorë. Shpërndarja gjeografike e bizneseve kosovare është jashtëzakonisht e pabarabartë; me një koncentrim enorm në rajonin e Prishtinës – rreth 1/3 e tyre – dhe me një përqendrim minimal nëpër vendet rurale.
Të dhënat tona në “Riinvest” kanë shpjeguar vazhdimisht se Kosova është duke hequr shumë për të krijuar një klimë të favorshme biznesore. Politikat tona ekonomike kanë mbajtur në dorë të dytë interesin e sektorit privat; në të vërtetë, bizneset dhe i gjithë sektori privat janë parë vetëm si gjenerues të taksave. Me aq ka përfunduar relacioni shtet-biznes. Rrjedhimisht, anomali me moszbatimin e ligjit, konkurrencën e pabarabartë, informalitetin, evazionin, korrupsionin, burokracinë, koston e lartë të financimit e vetë fuqinë punëtore, kanë marrë formë në vazhdimësi.
Dhe klimës së rëndë biznesore dhe ekonomike në vend nuk i ka kontribuar aspak as situata e fundit politike në relacion me mosthemelimin e institucioneve të reja për gjashtë muaj rresht. Natyrisht se gjendja e rëndë ekonomike nuk është pasojë e një ngecjeje politike, por se sigurisht kjo ngecje e rëndon dhe më tutje situatën ekonomike në vend – edhe ashtu të rënduar. Në radhë të parë, ngërçi politik prodhon katër konsekuenca ekonomike.
E para ndërlidhet me mungesën dhe vonesën e projekteve të mëdha kapitale në energjetikë, telekomunikacion e miniera, vonesë kjo që konsumon kohën e domosdoshme ekonomike të Kosovës për investime madhore. E dyta ndërlidhet me riskun politik që një situatë e tillë prodhon përballë aktiviteteve biznesore e investitorëve; veçanërisht atyre të jashtëm. Konsekuenca e tretë ndërlidhet me shthurjen qeverisëse, me shërbimet publike, agjencitë e pavarura e me prokurimin publik, të cilat në kohë të paqartësive politike përfundojnë drejt keqperformancës. Dhe e fundit, ndërlidhet me paranë publike, me buxhetin e shtetit. Jo vetëm se rrezikojmë nënperformancë të mjeteve të arkëtuara, porse nga ngecja politike ne rrezikojmë edhe mbylljen financiare të shtetit. Ne duhet të aprovojmë buxhetin e ri para datës 31 janar të vitit 2015 për të shmangur një gjendje të tillë.
Të gjitha këto elemente natyrisht se kanë ndikuar negativisht dhe në ambientin biznesor ashtu-kështu të rënduar. Sektori privat natyrisht se do të absorbojë si barriera – së bashku me të gjitha anomalitë tradicionale në vend – edhe këto politike.
Për të studiuar e kuptuar ambientin biznesor në Kosovë, Instituti Riinvest, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përgjatë vitit 2014 ka zhvilluar një anketë me plot 1000 biznese. Rezultatet e kësaj ankete – dhe të raportit hulumtues në përgjithësi – i prezantuam dje në një konferencë që mori vëmendje të madhe. Konferenca është transmetuar drejtpërdrejt dhe në KTV – me qëllim të përcjelljes së mesazhit ekonomik tonin nëpër secilën shtëpi kosovare.
E veçanta e studimit tonë ishte se për herë të parë në Kosovë anketoheshin një numër kaq i madh i bizneseve, dhe se shpërndarja e tyre ishte proporcionale në pesë rajonet e Kosovës. Kjo shpërndarje proporcionale nëpër rajone na jepte mundësinë për të kuptuar edhe karakteristikat e sektorit privat jo vetëm si tërësi për gjithë vendin, por edhe diferencat rajonale e diskrepancat eventuale.
E veçanta tjetër e raportit ishte edhe matja e performancës së bizneseve – në formë retrospektive – për katër vjetët e shkuar; si dhe matja e percepsioneve të ndërmarrësve për katër vjetët e ardhshëm. Në formë të përgjithësuar, disa nga rezultatet e studimit tregojnë se rreth 23% e bizneseve kosovare kanë shënuar rritje përgjatë katër vjetëve të shkuar, përderisa plot 44% kanë deklaruar rënie; të tjerat kishin shënuar stagnim. Paga mesatare në sektorin privat del të jetë rreth 230 euro; shumë më e ulët sesa ajo e sektorit publik. Pjesa më e madhe e bizneseve kosovare kanë deklaruar se nuk parashohin rritje të pagave në të ardhmen e afërt.
Barrierat kryesore të sektorit privat, të deklaruara nga vetë ndërmarrësit pra, ndërlidhen me a) koston e lartë të financimit; b) nivelin e lartë të korrupsionit; c) mungesën e përkrahjes shtetërore; d) konkurrencën jo fer (e shtyrë nga informaliteti e evazioni fiskal) dhe e) mosfunksionimi i sistemit gjyqësor. Në përgjithësi, përgjatë katër vjetëve të shkuar shihet se ka një përmirësim të dukshëm në furnizim me energji elektrike e infrastrukturë; përderisa pjesa më e madhe e barrierave e të bërit biznes kanë shënuar stagnim apo përmirësim të pavërejtur. Gjithsesi, ka një optimizëm të shpërfaqur gjithandej nga bizneset kosovare për të ardhmen; të gjithë besojnë në ditë më të mira.
Pra është esenciale që të ndërtojmë në këtë optimizëm të bizneseve private, të atyre që kanë potencial për të dërguar përpara standardin tonë ekonomik. Për të bërë ekonominë më ndryshe, politikëbërja e re duhet të niset mu nga ta. Sepse neve na duhet një ekonomi më ndryshe; kjo nuk është më zgjidhje, është domosdoshmëri.
Vendi ynë nuk e ka më luksin e pritjes, të rritjeve të ngadalta e të pallavrave politike të ranglistave e shirit-prerjeve. Vendi ynë ka nevojë për krijim, për vlerë, për prodhim e për punë – për punë shumë. Vendi ynë ka nevojë të adresojë barrierat ligjore që sigurojnë ambient fer e të barabartë për të gjithë; për ndalje të korrupsionit e zhbërje të burokracisë; për rritje të mekanizmave mbledhës e për luftim të pakompromisë ndaj evazionit e informalitetit; për projekte të mëdha në energjetikë, miniera e telekomunikacion që na sjellin investitorë e brende të fuqishme; për siguri politike, të kredibilitetit e garancisë për bërje; dhe në fund, për mbrojtje dhe shtytje të vetë sektorit privat, të secilit biznes që sot mezi mbijeton në një klimë të tmerrshme biznesore.
[email protected]
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...