20 Tetor 2014 - 08:23 - Lumir Abdixhiku
-1-
Janë të rralla momentet që inspirojnë një komb të tërë; që bëjnë bashkë në një palë sy e vesh burra, gra, djem, vajza, pleq e fëmijë. E ballafaqimi i Kombëtares shqiptare me atë serbe në Beograd nuk ishte aspak më ndryshe; ishte pra inspirues për një komb të tërë – të tonin pra.
Sepse, ndonëse për pak, shqiptarët gjithandej – të bashkuar pra – zëvendësuan hallet e përditshme me një ndjenjë shprese e mburrje për atë çfarë janë e çfarë e shkuara e tyre mban. Mbi të shkuarën e të tashmen, djemtë shqiptarë të bërë bashkë në një kombëtare futbolli, po projektonin të ardhmen tonë për në Evropë; vitin 2016.
Ky projektim do të duhej të kalonte fillimisht nëpër ferr. Sepse – për shqiptarët – Beogradi ishte bërë ferr. Për dallim nga secili vend e shtet tjetër i civilizuar evropian, të pacivilizuarit e zakonshëm në pretendim për t’u bërë evropianë kishin ndaluar secilin shqiptar të merrte pjesë në një ngjarje futbollistike që sot luhet – tek të civilizuarit pra – me plot sportivitet e relaks; dhe hiç më ndryshe.
Për të mos mjaftuar ndalesa, autoritetet zyrtare beogradase kishin paralajmëruar me arrest policor secilin që bën tifo për shqiptarët e secilin që bart një element të vetëm shqiptar me vete. Akt më racist, më jocivilizues e më të parafinuar në secilin kandar të njerëzores vështirë se dikush mund të gjejë sot nëpër Evropë.
Serbët pra, të shtyrë nga lunatizimi i zakonshëm i tyre që duket se nuk merr fund kurrë, kishin shndërruar një ngjarje të zakonshme sportive në një mjet diskriminimi racor. Një ballafaqim nacionalesh pa përkrahje e elemente nacionale për njërën palë – viti 2014, në Evropë – çfarë tjetër mund të jetë më e trishtuar e më bizare se kaq?!
Ndoshta pjesëmarrja e 4000 policëve serbë në 100 metra katrorë fushë mund të mundte – për nga çmenduria pra – histerinë ultranacionaliste e raciste të parandeshjes në Beograd; ndoshta disa serbë dinin se çfarë llumi lunatik kanë në mesin e vet, prandaj dhe 4000 policët gjithandej.
Ky lunatizëm racist e i ndyrë, i ndaluar me pjesëmarrje fillimisht e më pas dhe përkrahje, iu shpërfaq shqiptarëve dhe Evropës gjithandej me këngë e thirrje “vritni shqiptarët” për njëzet minuta rresht, nga 36.000 spektatorë në një vend. Thirrjet e tilla – për vrasje e therje të të gjithë shqiptarëve pra – të bëra para syve të organizmave që në thelbin e angazhimit të vet kanë pikërisht antiracizmin, do të mjaftonin, në rrethana normale, si argumente bindëse për ndërprerje të ndeshjes e zbrazje të stadiumit.
Stadiumet janë zbrazur për një hedhje të bananes – simbol racizmi – pale për thirrje çnjerëzore, si vrasja e therja e gjithë shqiptarëve. Dhe më e rënda, më e trishta, nuk kishte ardhur ende. Evropa, ngadalë por sigurt do të shihte anën e vërtetë të Serbisë.
-2-
Në momentin më të mirë të lojës shqiptare, një flamur shqiptar, një hartë me trojet e banuara shqiptare – të bëra në një – një Ismail Qemal e Isë Boletin nga të dyja anët dhe një mbishkrim “autochthonous”, që në shqip do të thoshte “autokton”, po valëvitej përgjatë stadiumit – pjesë e një fluturakeje të njohur si “drone”; për të provuar uljen më pas mu në mes të fushës, dhe për të simbolizuar kështu megjithatë prezencën shqiptare – të të gjithë shqiptarëve – në mes të pamundurës.
Do të më duhet shumë kohë për të gjetur të arkivuar diku – e ndoshta s’do ta gjej kurrë – një ndjenjë brilante, madhështie e përfundimisht çlirimi sikurse ajo që pata në momentet e valëvitjes së flamurit shqiptar në stadium. Sikur gjeta disi një përgjigje ekuivalente për të gjitha brohoritjet provokuese e çnjerëzore të stadiumit që bënin thirrje për therje e kasapim të shtatë milionë shqiptarëve. Sikur gjeta një përgjigje meritore, të ideuar me shumë mend e inteligjencë, përballë urrejtjes antishqiptare; në mes të urrejtësve; mu në zemër të tyre.
Sikur gjeta prekjen e forcave që bëjnë drejtësi, që me një gjest të vetëm – të qetë e paqësor – mbyllin në heshtje lunatikën e më pas nxjerrin në thjeshtësi errësoren e fqinjëve tanë që nuk ka për ta shuar kurrë.
Në rrethana normale, flamuri shqiptar nuk do të përdhosej nga futbollistët serbë; sepse, në fund të fundit, e drejta e një kombëtareje për të pasur elemente kombëtare në ndeshje futbolli është e pakontestueshme dhe thjesht civilizuese. Në rrethana normale, edhe sikur këto elemente të ishin provokuese për vendasit, do të duhej intervenimi i zyrtarëve të UEFA-s e jo i provincialëve të tërbuar e shpellarë që duan të vënë rend e ligj vetë, sepse kështu mendja e tyre e thatë ua thotë, se mund të bëjnë çfarë të duan pra.
Por nuk mundën; s’kanë për të mundur asnjëherë.
Futbollistët shqiptarë, të rritur e ushqyer nga familje që respektimin e elementeve kombëtare ua mësojnë në fëmijëri, që fjalët e himnit “Rreth flamurit të përbashkuar” ua thonë me njëmendësi e jo sharlatanizëm, bënë gjënë e vetme logjike të mundshme; mbrojtjen e flamurit pra.
Në këtë pikë, jo për hatër të burrërisë e trimërisë, por për hatër të civilizimit e në shenjë qytetarie, mbrojtja e flamurit nga futbollistët tanë nga përdhosja serbe ishte akti më i bukur dhe më domethënës që dikush mund ta presë ndonjëherë. E mbrojtjen e simboleve shtetërore do ta bënin edhe kombet e tjera po të provokoheshin ashtu; është reagim natyral që vjen me sjellje minimalisht njerëzore.
-3-
Serbët e vjetër, urryes e të papërmbajtur ndaj të tjerëve, do të rishfaqeshin mu aty. Evropa do të shihte e lexonte mirë gjithë mendjen tonë që ua hapnim tash e sa vjet. Kjo është Serbia. Tifozë që futen në fushë për të sulmuar lojtarët shqiptarë – paramendoni; pjesëmarrës të sigurimit që u bashkohen me plot mllef; një stadium i tërë që egërsohet menjëherë; dhe dhunë gjithandej.
Vetëmbrojtja e futbollistëve shqiptarë, për aq sa mundën, dhe largimi i tyre për në tunel – dhe kështu siguri – ishte lajmi më qetësues në gjithë këtë hallakamë. Në një ambient të tillë dhune e kaosi në dhunë e tribunë, e vetmja gjë që të bie në mend është fati mbi jetën e futbollistëve profesionistë që të vetëm – pa asnjë mbështetës – vetëm lojë kishin shkuar për të bërë. Ata bënë lojën për aq sa mundën, mbrojtën flamurin me zemër kur u desh, u vetëmbrojtën në grup mu si një ekip, dhe u larguan në fund për të mos u kthyer në këtë çmenduri.
Në këtë hallakamë brenda fushës, tri elemente të bien në sy. E para, se policia serbe, me apo pa qëllim, përkundër 4000 forcave të pranishme në stadium, nuk po arrinte të siguronte futbollistët shqiptarë nga dhuna e tifozëve që shpërthente lehtësisht gjithandej. E dyta, se tifozët e pjesëtarë të sigurimit, të prirë nga individë që vetëm dy vjet më parë (në skandalin me Italinë) ishin të dënuar përjetë larg futbollit (dhe me burg madje) ndodheshin brenda në fushë. Ata po ushtronin dhunë.
E pakapshme, e pakuptueshme, e paparë nëpër Evropë, që zyrtarët e sigurisë t’u bashkërendohen huliganëve në dhunë; UEFA ka gjithë kohën e botës për të marrë përgjigje se pse individë të tillë janë në fushë e tribunë. E treta, dhe ana e vetme e mirë në gjithë këtë përzierje, ishte reagimi i një pjese të vogël të futbollistëve profesionistë serbë, që të shtyrë me siguri nga kultura e sjellja evropiane që kanë marrë në klubet ku ata bëjnë lojë, bënin përpjekje për të parandaluar këtë çmenduri.
-4-
Çmenduria e ultranacionalizmi urryes i atyshëm serb, kaloi shpejt nga fusha në gjithçka publike – në një propagandë të gërditshme që serbët me mjeshtëri, por turpshëm e zotërojnë gjithherë. Fillimisht mediet serbe, të prira nga një sharlatanizëm paragjykimi, e cilësonin, besoni ose jo, fluturimin e një fluturake, në një stadium pa tifozë shqiptarë, si arsye kryesore e brutalitetit.
Sikur donin të arsyetonin të njëjtët brutalitetin dhe egërsinë e shfaqur në një ballafaqim sportiv; që në Evropë e gjithandej pra zhvillohet vetëm me sportivitet. Pra, serbët që në vitin 2014 kishin nxjerrë 4000 policë për më pak se 40 shqiptarë në Beograd; që kishin kërcënuar me arrest secilin shqiptar që pretendonte t’i afrohej stadiumit; që kishin ndaluar flamujt shqiptarë në një kompeticion nacionalesh; që kishin thurur këngë e thirrje raciste për vrasje e therje të shqiptarëve pandërprerë; që kishin djegur flamurin e NATO-s në tribunë; që kishin shënuar gjithandej “Kosova është Serbi”, po e cilësonin fluturimin e një harte gjithëshqiptare si provokim; rrjedhimisht si arsyetim i mjaftueshëm për brutalitet.
Hipokritë. Në këtë pikë kam humbur respektin për mediet serbe që deri vonë i konsideroja pjesë të një opozite intelektuale serbe kundër shovinizmit e fashizmit serb nga periudha milosheviqiane. Mediet serbe, të gjitha pa përjashtim, ishin shndërruar në vegla propagande të regjimit, që me një orkestrim të paparë po nxirrte shpifje, alibi të gërditshme e paragjykime patetike, gjithmonë raciste; pak a shumë në derexhe të njëjtë sikurse njëzet e sa vjet më parë. Regres enorm shoqëror për Serbinë.
Këtë hipokrizi patetike, serbët e kaluan shpejt nga mediet në politikë; kur ish-kryeministri serb Daçiq, tani ministër i Jashtëm i Serbisë, përveç që fajësoi gjithë shqiptarët për incident – për rikujtim, në një fushë që nuk kishte shqiptarë në tribuna – filloi të thurte skenarë konspiracioni se gjoja vëllai i kryeministrit të Shqipërisë, Rama, i ndodhur në VIP tribunë, mund të ketë komanduar fluturaken. Një pretendim i gërditshëm si ky kishte për të marrë meritën e vet natyrshëm; sapo të dilnin në pah organizatorët e vërtetë. Por për aq sa serbët mërzitën, për aq sa propagandës së tyre u intereson, asgjë më nuk ka rëndësi.
Rëndësi për propagandën serbe ka vetëm fajësimi i të tjerëve, edhe në rastet kur ata bëjnë lëmsh gjithçka. Është sjellje tipike e tyre – e diskursit publik pra – e nisur nga Lufta e Parë Botërore, tek regjimi i Milosheviqit, bombardimet e NATO-s e deri tek dhuna në një stadium të përmbushur me ta plot (dhe askush tjetër) – ku e gjithë bota, ama bash e gjithë (përjashto Putinin e ndonjë diktator tjetër nga Kina, Kuba e Koreja e Veriut) janë fajtorë.
Pra, edhe pse tash e tri ditë nga bërja publike e iniciatorit të fluturakes, me video-rekordim e me faktim kohor të planifikimit, të gjithë politikanët serbë e të gjitha mediet serbe vazhdojnë nën propagandë të gërditshme të thurin konspiracione që me qëllim provojnë t’i përfshijnë Qeverinë dhe Federatën Shqiptare që ishin në tribunë. As edhe njëri nga ta nuk ka përmendur – me emër apo fotografi – iniciatorin e fluturakes; asnjëri.
Dhe kështu, për rrumbullakim, politika serbe e ushqyer nga një propagandë e orkestruar që duket se ka kapur atje gjithçka, arrin kulmin e hipokrizisë. Sot në Serbi kemi një kryeministër serb që fajëson shqiptarët për incidentin, në fushën e shtetit të vet; një ministër të Punëve të Jashtme që thotë se serbët nuk janë përgjegjës për dhunën, në një stadium të mbushur ekskluzivisht me serbë; një ministër serb që kërkon nga Shqipëria kërkimfalje drejt Serbisë; një Federatë e Futbolli serb që kërkon nga UEFA plot tri pikë, dhe në fund një president serb që i quan shqiptarët të çmendur e Shqipërinë vend jonormal për shumë vjet.
Me këtë mendësi, Serbia pretendimin evropian e ka veçse farsë. Serbët me këtë mendje, me këtë sjellje, nuk e kanë vendin në Evropë. Kaq për ta; me mend si këto janë të pandreqshëm.
-5-
E rëndësishme – për anën tonë – është ruajtja e qetësisë dhe trajtimi me dinjitet i një provokimi të tillë dhune në Beograd. E rëndësishme për anën tonë qe renditja e të gjitha fakteve para UEFA-s. Nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria do të marrë 3 pikët në tavolinë po argumentuam mbarë; dhe kjo, mbi të gjitha, në këtë ecje tonën futbollistike ka shumë rëndësi.
Nuk ka asnjë dyshim se shteti serb do të dënohet e mbahet përgjegjës për mosaftësi të përmbushjes së kritereve bazike të sigurisë për mbajtje të një loje futbolli. Nuancat e dënimit do të përcaktohen varësisht lehtësirave apo rëndesave që UEFA do t’i ketë për Serbinë. Po u trajtua si repeticion, pas ndërprerjes së njëjtë të lojës në Itali, po nga i njëjti shtet, dy vjet më parë, atëherë Serbia rrezikon përjashtimin nga gara.
E përtej sfondit sportiv, një ngjarje e tillë ka konsekuenca politike. E para, një pamje e tillë dëshmon se sa larg pajtimit është Ballkani dhe sa lehtë mund të nxehen gjakrat e mendjet këndej. Mjafton një ballafaqim sportiv për të nisur pakënaqësi e konflikte nacionale. E dyta, për të gjithë politikanët shqiptarë që kanë besuar se politika serbe dhe përkrahja ultranacionaliste serbe është moderuar, gjithçka ka mbetur në stad të njëjtë. Janë po të njëjtët njerëz, me po të njëjtat pretendime e me po të njëjtat mend.
E treta, Evropa duhet ta kuptojë mbarë e mirë se politikat e trajtimit të lehtë të ultranacionalistëve serbë nuk kanë për të prodhuar stabilitet asnjëherë në Ballkan. Këto politika të përkëdheljes vetëm kanë për të grumbulluar gjithë vrerin serb e urrejtjen perëndimore, që nis me djegie të flamurit të NATO-s, në vend të pendesës për regjim brutal, e përfundon me orientime proruse – kur gjithë qytetërimi perëndimor distancohet. Serbët dhe Qeveria e tyre me bindje të tilla nuk kanë vend në Perëndim.
Dhe në këtë frymë, janë tërësisht të pamenduara, jokorrekte dhe irrituese deklaratat e Brukselit nëpërmjet një zëdhënëseje terciare, është e baroneshës Ashton, që e vlerëson – për çudi e habi – si profesionale e korrekte angazhimin e institucioneve serbe dhe të forcave policore në Serbi; një vlerësim në kundërshtim të plotë me akuzat e UEFA-s ndaj Serbisë.
Në një gjendje të tillë njeriu fillon ta pyes veten se çfarë realisht do të konsiderohej si joprofesionale përtej goditjeve me karrige, dhunës së tifozëve, kontributit në dhunë të forcave të sigurisë ndaj lojtarëve profesionistë të futbollit të një vendi me statut kandidat për në BE; Shqipërisë pra? Kush tjetër është përgjegjës për lejimin e dhunës në një stadium qind për qind serb nëse jo vetë institucionet e Serbisë?
A do të duhej që dhuna fizike të përfundonte në viktima për të ngritur nivelin e cilësimit të Brukselit ndaj institucioneve serbe si të papranueshme? Patetizmat e tillë që provojnë të vënë bilanc edhe në situatat kur përgjegjësi është i qartë, i bëjnë më së miri hair regjionit. Ky vend nuk ka nevojë për trajtim përfundimtar të barabartë, pavarësisht shkaktarëve. Ky vend ka nevojë për bërje me gisht dhe mbajtje përgjegjës të secilit shtet, popull e qeveri që shpërfaq urrejtje e dhunë; e s’ka çfarë të jetë më keq se dhuna material paralajmërues, gjithçka tjetër përtej dhunës do të ishte tejet vonë.
Shqiptarët, ndërkaq, do të tregojnë civilizim. Përkundër të gjithave, ne megjithatë do të bëjmë futboll për aq sa na lejohet të luajmë; do të bëjmë patriotizëm sa herë që duhet; e do të tregojmë mend për të kaluar provokime e situata të urrejtjes. Ky shekull është megjithatë i yni; i vlerave demokratike, i tolerancës e prosperitetit tonë. Nuk kemi për ta humbur këtë shans për asnjë teke të çmendjes, lunatizmit e racizmit që fqinjët tanë – fatkëqij – mund ta kenë.
-6-
Për fund fare, nuk kam si të mos flas për disa bashkëpatriotë të mi. Në gjithë këtë valë zhvillimesh, më të padurueshmit, më të paarsyeshmit, e më të papërtypurit, dalin të jenë cinikët tanë quasi-internacionalë, që pretendojnë se shohin primitivizëm e turp në mbrojtjen e simboleve dhe ndjenjave kombëtare.
Të njëjtët që na shiten “françuza” e neutralë, s'kanë për ta kuptuar kurrë se marre e turp nuk ka kur ndihesh shqiptar - me gjithë simbolikën që kjo përkatësi bart. Se flamurin e simbolikën kombëtare i mbrojnë me ngulm e mund secili komb tjetër; amerikan, gjerman, anglez, rus e kinez - në tokë e deri në hënë, në luftë e në paqe, në sport e në rrugë, e bëjnë të gjithë pra. Prandaj çlirohuni nga komplekset e ndihuni siç ndihen gjithë popujt e tjerë; lirshëm e me plot krenari. Nuk ka marre në të qenët autoktonë; është fakt, të tillë pra jemi. Autoktonë dhe kryelartë për gjithçka që mbajmë e gjithçka që e shkuara jonë përfaqëson.
[email protected]
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...