3 Mars 2014 - 11:15 - Lumir Abdixhiku
-1-
Do të duhej të ishte ditë e jashtëzakonshme, dita kur pesë lajme të keqpërdorimit të parasë, pasurisë e interesit publik u shpërfaqën në pesë gazeta ditore të vendit. Por nuk u bë e tillë. Në vend të së jashtëzakonshmes erdhi dita tjetër, e dyta – me pesë lajme të reja, po aq neveritëse, sërish rreth keqpërdorimit të parasë, pasurisë e interesit publik.
Kosovarët janë bërë rrafsh, keqpërdoruesit edhe më rrafsh. Duhet ta kenë kuptuar mirë këta të fundit potencën e durimit qytetar – qyqar; në atë masë saqë guximi i tyre për të bërë marri bëhet më racional sesa çmenduria jonë për durim. Prandaj dhe do të vazhdojnë njëjtë në ditën e tretë.
-2-
Nëse ju ka humbur ritmi i ndjekjes së lajmeve ditore, rrjedha është kështu. Në ditën e parë u raportua se si – me para të taksapaguesve – një zyrtare e lartë kishte marrë burrin – dhe shoqërinë – për të kaluar momente romance në Paris. Gjeneral Selimi – tani ambasador në Shqipëri – që ndodhej në paraburgim për nëntë muaj të plotë kishte pranuar këto ditë nëntë paga (nga 3.700 euro secila; 33.300 gjithsej) pa bërë asnjë ditë pune të vetme si ambasador – sepse ishte në burg; disproporcionin e pagës me mesataren kosovare vendosi ta injoronte nga mungesa e aftësisë sime për të racionalizuar një marre të tillë.
Ministria e Bujqësisë kishte paguar një traktor të dhënë si subvencion më shtrenjtë se një “Range Rover” 2014-sh, full-ekstra, automatik, panoramaview, e me fellne alumini; plot 52.000 euro ishin dhënë për traktorin që në treg bënte më pak se 20 mijë. Auditori i brendshëm kishte gjetur kontrata të nënshkruara nga Ministria e Infrastrukturës për mirëmbajtjen e rrugëve që nuk ekzistonin fare; ndërkaq Ministria e Industrisë kishte fshehur gjetjet se operatori privat i distribuimit të energjisë KEDS kishte instaluar orë matëse që shtonin llogaritjen e konsumit elektrik.
Në ditën e dytë, vendpunësimi i balldëskave të politikanëve – përfshirë dhe ato të vetë kryeministrit – pra RTK (jo këtë herë PTK), kishte bërë lajm për dhënien e kontratave milionëshe dy kompanive fantome, të cilët ndanin adresën njëra me tjetrën e që pronarë kishin individë që lidhje me bizneset në fjalë nuk kishin. Hekurudha e Kosovës kishte paguar plot 300.000 euro për pajisje të thirrura si të reja, por që ishin të vjetra e të ngjyrosura për t’u kontrabanduar si të reja.
Komuna e Prishtinës kishte identifikuar një proces shkëmbimi pronash nga qeverisja e 2005-s, që synonte këmbimin e një parcele komunale në vlerë prej 4 milionësh (pronë ndërtimi 8-katëshe) me një tjetër private me vlerë zero (hapësirë gjelbërimi); gjithmonë milionët në konto të zaptuesve e zeroja në konto të kosovarëve.
-3-
Kosova sot nuk ka zot shtëpie. Ka një Parlament tërësisht jofunksional, një Qeveri tërësisht pasive për kontroll, shumë aktive për marrjen e tenderëve në “fotofinish” të mandatit, dhe ka një kryeministër i cili toleron gjithçka. Të zënë me vëmendje pak nga tribunali i ri e në bërje për krime të luftës në Kosovë e pak nga ofensiva e re e EULEX-it për hajni e korrupsion – siç është dashur të ndodhte kaherë – politikanët qeverisës kanë humbur gjithë interesin për mirëqeverisje.
Për sa kohë gjylja mund të godet gjithandej, të njëjtët mbesin të pasigurt deri në palcë – prandaj edhe shfrytëzojnë raundin e fundit të vrapimit për të kapur secili diçka.
Jo se raundi i fundit është më ndryshe se të mëparshmit– thënë të drejtën lajmet e shpërfaqura këto ditë kanë zanafillë potencialisht që nga dita e parë e qeverisjes së sotme. E me siguri do të ketë dhe shumë skandale të tjera, edhe më të rënda, edhe më të kushtueshme, edhe më të turpshme sesa këto që do të dalin në dritë herë do kurdo.
Por të gjitha së bashku, pavarësisht kohës së shpërfaqjes, formojnë një tregim trishtues të degradimit ekonomik të vendit e të uzurpimit e zaptimit institucional në vend nga parapolitika kriminale që jo vetëm se e ushqen veten majm, por lejon secilin tjetër të marrë copa ashti sa herë që do.
-4-
E përderisa degradimi ekonomik ka metastazuar përtej çdo shprese për rikuperim, kryeministri i Kosovës, i parasupozuar si zot i shtëpisë qeverisëse, vazhdon me monolog patetik sa herë që provon të argumentojë një progres – që përveç zyrtarët e gjeneralët e tij nuk e ka parë kush tash e sa kohë.
Në javën e skandaleve, kryeministri promovoi ulje të papunësisë, rritje të investimeve të jashtme e përmirësim të situatës ekonomike në vend – për të përfunduar me paditurinë e tij tipike se rritja ekonomike në vend është 5%, kur në dy vitet e shkuara – sipas ministrive të tij – e njëjta ishte më pak se 2.5%. Sa interesant që nuk ia qëllon asnjërës.
Në kohën e angazhimit kolektiv qeverisës për marri, nga vizitat e Parisit e deri tek pagesat e rrogave gjatë kohës në burg, Kosova ka shënuar regres të paparë. Në tri vitet e fundit, sipas BQK-së, investimet e huaja direkte kanë rënë nga 393 milionë në vetëm 255 milionë; deficiti tregtar është rritur nga 1.8 në 2.2 miliardë, përderisa çmimet e produkteve bazike – pa të cilat një familje mesatare nuk mund të jetojë – janë rritur për (mesatarisht) 41%. Në këtë rrjedhë, agjencitë e kryeministrit kanë provuar të ulin papunësinë duke përjashtuar nga llogaritja 700.000 kosovarë – apo rreth 63% e fuqisë punëtore – por pa shtuar numrin e të punësuarve (që vazhdon të jetë i ngujuar rreth 25% të fuqisë punëtore).
E investimet e huaja zvogëlohen, varësia në import zgjerohet; çmimet rriten e punësimi stagnon, sepse kemi njerëz totalisht të paditur dhe tërësisht të papërgjegjshëm; antipatriotë e antimoralistë tipikë; zhbërja e të cilëve do të hapë dyert për rimëkëmbje të re. Me të tillët mjerë ata që dhomën e qelisë një ditë do ta ndajnë.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...