1 Shtator 2014 - 09:06 - Lumir Abdixhiku
-1-
Ka një defekt serioz në interpretimin e interpretuesve të kërkesështruesve për interpretim; ka një defekt serioz në përgjigjen që deputetët si kërkesështrues i bënë Kushtetueses si interpretuese, për të bërë interpretimin e kërkesës së shtruar nga ta. Në ditën e parë të verdiktit, të pakënaqurit me gjithë mllefin që në vete kishin, u shpërfaqën pa pardon – kryesisht me fyerje, pak nga ta me rezon.
Por as fyerja e as rezoni nuk kishin më kuptim. Fyerjet e drejtuara ndaj Kushtetueses nga blloku opozitar, deri në ironizimin e ndërlidhur me tualet, ishin patetike. Një mendësi ku fillimisht shpreh besim për interpretim e më pas fyen interpretuesin është tipike gjuhë e humbësve – aso nga më të ligshtat madje.
Të paktët nga blloku, të cilët përdorën, pra, rezonin, mund të mbanin të drejtë për shprehje mospajtueshmërie, por sërish ishte e kotë në tendencën për të ndryshuar diçka; secila mospajtueshmëri do të duhej të adresohej – nëse kishte të tilla gjithsesi – para marrjes së verdiktit. Të thuhej pra se kjo gjykatë është e kapur, vendimi i saj do të jetë politik, si i tillë i papranueshëm për ne. Por nuk e bënë, iu drejtuan institucionalisht – me të drejtë – siç dhe do të duhej t’i drejtoheshin me po aq institucionalitet kur u bë interpretimi – në fitore apo humbje.
Gjykata Kushtetuese mund të jetë e kapur; po shikuam me lenset më militante të mundshme të një kahu – siç dhe mund të jetë jo e kapur po shikuam me sy të palës tjetër militante. Në mes janë ndërkombëtarët, që vazhdimisht insistojnë në respektimin e plotë dhe pa zhurmë të vendimeve institucionale. Nëse ka qenë e kapur, atëherë kapja është bërë shumë më herët – dhe në asnjë rrethanë deri më tani, asnjë nga partitë politike në vend nuk kanë adresuar idenë e ç’kapjes së saj – nëse ka qenë e kapur; as atëherë kur vendimet e saja ishin në përputhje ose jo me ato – deri dje – opozitare. Unë them se nuk kemi shumë zgjedhje sinqerisht.
Them se vendimet e Kushtetueses duhet të respektohen në plotni, edhe atëherë kur provojnë mendim ndryshe. Në të kundërtën, asnjë element i shtetit nuk bart më kuptim. Nëse është i kapur – e që dhe mund të jetë – atëherë duhet të zgjedhim rrugët institucionale të ç’kapjes, të instalimit të mekanizmave të mirëfilltë të shtetit – jo me ofendim, sharje e fyerje të institucioneve që presupozohen se janë të ndërtuara si të pavarura, por me kulturë të mirëfilltë shtetërore. Në fund të fundit, kultura e sjelljes shtetërore është pjesë e ndërtimit të vetë shtetit.
-2-
Blloku mund të mos mbajë hatër me Kushtetuesen, për vetë faktin se pjesa e dytë e vendimit mbi interpretimin e kryeministrit është në favor të tyre. Pra, e njëjta Kushtetuese, muaj më parë, i kishte dhënë të drejtë bllokut që në raundin e dytë të nominimeve – nëse e bindin presidenten se i kanë numrat – të nominojnë kryeministrin nga radhët e veta. Rrjedhimisht, sipas dy interpretimeve të deritanishme të Kushtetueses, del se blloku ka humbur përfundimisht të drejtën për kryeparlamentar; këtë të drejtë e ka PDK-ja. Por, njëkohësisht, blloku mban të drejtën për nominim të kryeministrit.
Në rast se numrat dhe preferencat partiake mbesin siç janë deri më tani, pra qëndrimet partiake nuk ndërrojnë – dhe me mosndërrim nënkuptoj se LDK-AAK-Nisma janë kategorikë kundër PDK-së; nuk pajtohen me VV-në, por me vete marrin minoritetet – pra nëse balancat e forcave mbesin si sot, atëherë sipas interpretimit Kushtetues skenari i qeverisjes së ardhshme është lehtë i përcaktueshëm.
Fillimisht, në seancën e parë konstituive – pra në ripërtëritjen e saj me verdikt kushtetues – PDK-ja merr të drejtën e nominimit të udhëheqësit të Parlamentit. Blloku ka dy alternativa këtu. E para, të mos votojë, dhe kështu të hapë rrugë ose për marrëveshje për qeverisje gjithëpërfshirëse ose për mosmarrëveshje për gjithëpërfshirje, por marrëveshje për zgjedhje të reja. Marrëveshja gjithëpërfshirëse në mes PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës do të ishte tmerr në vete; nuk do të kishte zgjidhje më të keqe. Marrëveshja për mosmarrëveshje dhe zgjidhje të reja, ndërsa, do të ishte një dhuratë e këndshme për të dalë nga ky mishmash.
Rruga e dytë e bllokut, ndërkaq, përfshin improvizimin. Blloku do të duhej ta votonte kandidatin e PDK-së, pra të improvizojë, dhe të hapë rrugë kështu për formimin e Qeverisë nga ta – në raundin e dytë nominues. Pretendimet e deritanishme të bllokut se në raundin e dytë të zgjedhjes së kryeparlamentarit do të shkohet me kandidat të tyre, janë jo fort të menduara mirë. Një rast i tillë do të hapte rrugë të re për interpretim të ri kushtetues – pra edhe më shumë humbje kohe – dhe në rastin më të mundshëm interpretimi i ri i Kushtetueses pas humbjes së kohës do të ishte sërish në favor të PDK-së. Kjo, sepse verdikti i fundit i tyre e bën të qartë “substancën” e procesit të shkuar dhe të drejtën e pakontestueshme – sipas Kushtetueses – të nominimit dhe zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit nga grupi më i madh parlamentar para zgjedhjeve. Blloku e ka humbur këtë të drejtë me interpretimin e fundit Kushtetues.
-3-
Votimi i anëtarit të PDK-së do të hapte rrugë për formimin e Qeverisë. Këtu më pas do të kthehej në vëmendje vendimi i parë i Kushtetueses, nëpërmjet të cilit PDK-së i jepet e drejta e parë për nominim; e dyta ndërkaq i jepet diskrecionit të Presidencës dhe matjes së fuqisë parlamentare nëpërmjet takimeve.
Nëse blloku LAN do të mbetej i bashkuar – dhe më tepër do të siguronte votat e minoriteteve – atëherë raundi i parë i nominimit të kryeministrit do të prodhonte vota të pamjaftueshme për të nominuarin e PDK-së. Si refleksion, presidentja do të mbante takime me të gjitha palët për të nominuar – me gjithë logjikë – bllokun LAN si grupin e vetëm që ka votat.
Raundi i dytë i zgjedhjes së kryeministrit do të prodhonte zgjidhje dhe dalje nga ngërçi politik. Në këtë rrethanë, Kosova do të kishte një Parlament që ka kryefolësin nga radhët e PDK-së, por një PDK që është teknikisht në opozitë. Do të kishte Qeverinë e formuar nga blloku LAN dhe minoritetet, por me udhëheqësin e bllokut paradoksalisht pa post ushtrues. Do të kishte një opozitë tjetër, “Vetëvendosjen” dhe një garë të nxehtë opozitare në Parlament – dhe në fund do të kishte presidenten që përfaqëson gjithçka me pozitën e saj dhe asgjë me kredibilitetin e saj.
Një alternativë me e lehtë dhe gjithsesi më e pëlqyeshme e skenarit më lart do të ishte një qeverisje me bllokun LAN dhe VV-në në të; pra një qeverisje me shumicë shqiptare. Për këtë natyrshëm duhet të thyhen e kapërcehen dallimet që nuk u thyen e nuk u kapërcyen tash e sa muaj rresht.
-4-
E në gjithë këtë përzierje politike që të gjithë kontribuuan me nga pak, them se zgjidhja më e keqe për vendin do të ishte një mishmash institucional e qeverisë; ku PDK-ja pra udhëheq me Parlamentin, blloku joshumicë shqiptare me Qeverinë, e VV-ja në një opozitë të vetme e shumë të brishtë. Një përzierje e tillë ku gjithkush udhëheq me pak, por askush në të vërtetë s'ka zë, do të prodhojë vetëm stagnim. E për stagnim e mishmash kemi më së paku nevojë. Them të shkojmë në zgjedhje të reja; ashtu-kështu po humbet kohë e po improvizohet shumë. Në fund të fundit s'ka çfarë del ma keq; s'mund të përzihet asgjë më shumë se kaq.
Natyrshëm që zgjedhjet e reja mund të prishin më shumë balance politike tek partitë që garojnë; e sipas të gjitha gjasave PDK-ja do të dalë më pak humbësja nga të gjithë. Sepse do të garojë njëjtë, potencialisht me shtesë të AKR-së që do të marrë një dhuratë si nga qielli. Blloku në anën tjetër do të humbiste më shumë. Fillimisht, sepse jo të gjithë votuesit e partive pjesëmarrje të bllokut ndajnë ndjesinë e bashkimit të tillë, sidomos jo votuesit e LDK-së që asnjëherë nuk janë ndier komfor me vënien e partisë nën diktatit e një kryeministri nga një parti tjetër. Problem shtesë do të ishte dhe lista me kandidatë të përzier; gjithsesi me më pak kandidatë proporcionalisht për secilën palë. Në fund, VV-ja do të ecte e vetme me shpresë se do të shpërfaqej si alternativë e vetme nga të gjithë. Pra, natyrshëm që zgjedhjet e reja prishin diku balanca e ndreqin diku tjetër.
Mbi të gjitha, zgjedhjet e reja nuk garantojnë fitues me pesëdhjetë plus një për qind të votave; por garantojnë ecje dhe zhbllokim të gjendjes së tanishme ku vetëm me interpretime e asgjë tjetër një vend i tërë merret. Zgjedhjet e reja do të garantonin pastrimin e shumë dyshimeve, legjitimitetin e aleancave, e në fund dhe ndryshimin e pazareve në mes të partive në fjalë. Zgjedhjet e reja mund të mos jenë alternativë e pëlqyeshme, por gjithsesi mbesin shumë herë më të mira se çfarë po shohim tash, e çfarë potencialisht mund të na servohet në ditët në vijim.
[email protected]
©KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...