Ngrohës special për “kafshët që kanë ftohtë”

6 Dhjetor 2016 - 12:50      

Autoritetet e njërit prej parqeve më të mëdha natyral të kafshëve në Turqi, të Izmirit, kanë marrë masa të veçanta për të mbrojtur kafshët tropikale që jetojnë në këtë park, si për lemurët, elefantët, majmunët, etj.

Me rastin e hyrjes së stinës së dimrit në parkun natyror të ndërtuar në 425 dynym në Sasali të Izmirit ku jetojnë rreth 1.500 kafshë të 125 llojeve të ndryshme, kanë nisur ndryshimet.

Kafshë si ariu, gjarpri apo lloje të tjera të ngjashme që normalisht duhet të jenë në gjumin dimëror, për shkak të kushteve në park dhe ushqimit të vazhdueshëm, nuk flenë.

Ndërsa kafshët dhe shpendët tropikale që ndodhen në këtë park ngrohen me sisteme të veçanta të ngritura për ti mbrojtur ata nga i ftohti në kafazet e tyre.

Për kafshë si lemurët, elefantët, gjirafa, majmunë dhe zebrat temperaturat janë vendosur të jenë 15-18 gradë celsius, ndërsa për shpendët tropikal në vendet ku ata jetojnë temperatura në këtë park është 26 gradë celsius, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për AA, drejtori i këtij parku, Shahin Afshin, ka thënë se ata i ndjekin hap pas hapi ndryshimet klimaterike dhe bëjnë shumë kujdes në këtë drejtim.

Duke theksuar se krahas marrjes së masave për ngrohjen e ambientit, ata kanë ndryshuar edhe menynë e dimrit, Afshin u shpreh:

“Ajo që është e rëndësishme për ne është kujdesi për temperaturat e kafazeve dhe vendstrehimeve të kafshëve. Për shembull në vendet ku jetojnë lemurët, elefantët, majmunët dhe kafshë të ngjashme me to ne kemi vendosur që përmes ngrohësve të veçantë temperaturën ta kemi 15-18 gradë. Kemi ndryshuar edhe menunë dimërore. Kafshët i ushqejmë me gjëra që u japin energji. Kemi rritur në 20 për qind sasinë e mishit që japim për kafshët grabitqare. Kemi shtuar fiq të thatë, rrush të thatë dhe ushqime të tjera të ngjashme me këto për majmunët, lemurët dhe kafshët e tjera tropikale. Ndërkohë zebrave dhe gjirafave iu kemi shtuar sasinë e drithërave gjatë stinës së dimrit”.

Afshin në vijim thotë se gjatë vitit të kaluar parkun e kanë vizituar 1 milionë njerëz. Ai ka theksuar se ardhja e pinguinëve do të shtojë emocionet në këtë park.

Duke vënë në dukje se projekti për ndërtimin e pjesëve të akullta për përshtatjen e ambienteve për jetesën e pinguinëve ka përfunduar, Afshin thekson se në vitin 2017 në park vizitorët do të kenë mundësi të gjejnë pinguinë, vidër dhe arinjtë përtacë. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...