29 Gusht 2014 - 23:55
Ata janë pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe qytetarë të shumtë.
Ajo iu është drejtuar qytetarëve, duke thënë se është shumë e lumtur për këtë sukses dhe ndjehet mjaftë krenare.
Pas pritjes, për ekipin kampion Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës organizuan një pritje, ku kanë marrë pjesë drejtues të federatave, sportistë dhe personalitete të kulturës dhe jetës shoqërore në vend. Në këtë ceremoni, Majlindës dhe Dritonit, nga ministri Krasniqi u është ndarë shpërblimi shtetëror, prej 40 mijë eurove për Majlindën dhe 20 mijë eurove për Dritonin.
Ministri Memli Krasniqi tha në këtë ceremoni se ky është një sukses i jashtëzakonshëm dhe Majlinda Kelmendi, bashkë me ekipin e saj janë imazhi i vërtetë dhe historia e re e Kosovës.
“Organizatorët u munduan të shantazhojnë sportistët tanë, por ata u fuqizuan edhe më shumë. Ata mund t’ia mohonin simbolet shtetërore Majlindës, por ata nuk munden ta mohojnë se ajo është ‘mbretëreshë’ e botës në xhudo. Majlinda është fytyra e shtetit tonë dhe madje është një model për të gjithë ne se si mund t’i arrijmë gjërat, si të punojmë për sukses e për një shoqëri të vlerave, të suksesit dhe krenarisë”, ka thënë ministri.
Ai tha se Kosova ka treguar se edhe si një vend i vogël mund të nxjerrë sportistë kampionë në shumë sporte. Ministri shtoi se shteti ka rritur përkrahjen për sportin, dhe shtoi se deri tash janë bërë hapa shumë të rëndësishëm në shumë dimensione, e sidomos edhe në thyerjen e izolimit të padrejtë në sport.
“Ne do të jemi përgjithmonë përkrahë sportistëve, sepse fundja është obligimi ynë”, tha ai.
“Mund të themi lirisht se ne kemi arritur që bashkë të thyejmë gradualisht izolimin e padrejtë në sport. Na kanë mbetur vetëm edhe pak hapa, por deri atëherë ne po e tregojmë potencialin tonë, sportin tonë. Tash fillon sërish Ballkan Liga në basketboll, do të jemi në kualifikimet evropiane në hendboll, kemi edhe tri ndeshje miqësore ndërkombëtare në futboll dhe shumë e shumë prezantime të tjera. Kjo nuk është pak, duke pasur parasysh sfidat që kemi pasur para vetës”, deklaroi ministri.
Në anën tjetër, kampionia e botës Majlinda Kelmendi tha se këtë fitore ia dedikon gjithë popullit shqiptar dhe se e gjithë kjo është rezultat i një pune ekipore dhe shumë disiplinore.
“Ishte një garë mjaftë sfiduese. Por, pavarësisht kësaj motivi im ka qenë shumë i madh për të fituar medaljen e artë, të cilën edhe e arrita”, tha ajo, teksa ka falënderuar gjithë ekipin e saj dhe ministrin Krasniqi për mbështetjen e vazhdueshme.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se suksesi i Majlindës nuk ishte i rastësishëm. “Ky sukses nuk është rastësi, por një rezultat i një pune të madhe e të gjatë”, u shpreh numri një i KOK-ut, duke shtuar se Majlinda është një referencë për çdo sportist.
Driton Kuka, trajner i përfaqësueses së Kosovës tha se kjo garë ka qenë vërtetë një sfidë. “Kemi pasur presion të jashtëzakonshëm në Rusi. Majlinda ka pasur presion si një ditë para garës e po ashtu edhe në ditën kur ajo ka qenë në program. Inspirimi dhe motivimi për ta fituar medaljen e artë ka qenë pikërisht provokimi i bërë nga rusët, ndërsa Majlinda me atë rast ka thënë se tash jam edhe më e fortë, pas provokimit të bërë nga rusët”, ka thënë Kuka.
Majlinda është xhudistja numër një në botë në kategorinë 52 kilogramë dhe është kampione e dyfishtë e botës dhe po ashtu kampione e Evropës. Majlindës dhe ekipit të saj pas pritjes në Prishtinë, i është organizuar edhe një pritje në qytetin e saj të lindjes, Pejë.
© KOHA.net
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...