Foto: Koha

Historia shkruhet me barazim

5 Mars 2014 - 16:54      

Ndeshja miqësore historike e Kosovës kundër Haitit ka përfunduar pa gola në ndeshjen e zhvilluar para pak çastesh në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Përfaqësuesja e Kosovës dominoi gjatë tërë takimit dhe pati disa raste të cilat nuk i konkretizuan lojtarët si Albert Bunjaku dhe Shpëtim Hasani ndërsa Haiti i la pafrymë gjithë tifozët e pranishëm në stadium kur njëri nga lojtarët e saj lansoi një goditje që përfundoi pranë portës së portierit Samir Ujkani.
Me gjithë investimet e bëra në stadiumin “Adem Jashari” , ishte fusha e papërshtatshme që vështirësoi shumë lojën e dy ekipeve.

 

Hasani më i miri te Kosova (16:37)

Shpëtim Hasani deri në minutën 68-të u tregua lojtari më i mirë te përfaqësuesja e Kosovës. Ai përsëri pati një rast, por goditja e tij përfundoi në rrjetën e jashtme të portës.

Një minutë më vonë Zymer Bytyqi harkoi nga ana e majtë por i vëmendshëm u tregua portieri i Haitit që ndali harkimin e tij.
 

Karton i verdhë për Haitin (16:24)

Lojtari i Haitit Vorbe është ndëshkuar me kartonin e parë të verdhë në këtë ndeshje pasi bëri një ndërhyrje të ashpër në kapitenin Anel Rashkaj.
Deri në minutën e 60-të Kosova po vazhdon me donuinimin derisa lojtarët e Haitit po bëjnë presion.

 

Fillon pjesa e dytë(16:06)

 

Kosova dominon në pjesën e parë (15:52)

Kosova pjesën e parë të ndeshjes historike e mbylli me dominim të plotë me katër raste të mira shënimi përmes Albert Bunjakut, Ilir Azemit dhe Shpëtim Hasanit që u treguan të ngathët para portës së Haitit.


Kosova lëshon raste të njëpasnjëshme (15:49)
Kosova ka humbur raste të njëpasnjëshme për të shënuar gol pasi Ilir Azemi dhe Shpëtim Hasani nuk arritën të shënojnë pothuajse në golin e zbrazët.
Në minutën e 38-të, përsëri ishte Hasani ai i cili nuk vendosi që të shënonte në golin e zbrazët ,por pasoi për Ilir Azemin që goditi por topin e bllokoi kapiteni i Haitit, Bertin.

 

Bunjaku humb rastin për të shënuar (15:39)

Në minutën e 26-të Haiti nisi një kundërsulm nga ana e majtë, por e vëmendshme u tregua mbrojtja e Kosovës që evitoi rrezikun pa problem.

Menjëherë në aksionin tjetër Kosova u kundërpërgjigj me Ilir Azemi, i cili harkoi, por portieri Zeferin u tregua më i shpejt se Albert Bunjaku.
Dominimi i Kosovës vazhdoi dhe në minutën e 28-të Shpëtim Hasani doli përballë me portierin e Haitit, por në vend që të plasonte goditje, ai vendosi që të pasonte për Bunjakun, të cilin e markuan mirë mbrojtja e Haitit.
 

Rastin e parë e pati Kosova (15:30)
Shpëtim Hasani në minutën e 11-të kishte rastin më të mirë për Kosovën kur goditjen e tij e priti portieri i Haititi.
Kosova vazhdoi me dominim e lehtë me dy tre raste shënimi, derisa Haiti përmes kundërsulmeve synonte që t`i shkaktonte probleme mbrojtjes së reprezentacionit më të ri në Evropë.


Dominim i lehtë i Kosovës në 10 minutat e parë (15:20)
Në dhjetë minutat e para të ndeshjes, Kosova është duke dominuar lehtë në takimin kundër Haitit.
Lojtarët e përfaqësueses së Kosovës zhvilluan disa aksione të mira, por fusha e rrëshqitshme po ua vështirëson punët që ata të bëjnë diçka më tepër.
 

Në Mitrovicë nis ndeshja historike Kosovë – Haiti (15:12)
Ka nisur ndeshja historike në mes të Kosovës dhe Haitit. Fishekzjarrë me ngjyrat e flamurit shtetëror të Kosovës kanë përcjell fillimin e këtij takimi.
Por Kosova në këtë ndeshje është dashur të paraqitet pa simbole shtetërore e pa intonim të himnit, ndërsa “fusnota” është e pranishme menjëherë pas emrit Kosovo.

Stadiumi “Adem Jashari” është stërmbushur me tifozë nga të gjitha anët e Kosovës që kanë ardhur për të përcjell këtë ndeshje miqësore të futbollit. Ndërkohë rrjeti social “Facebook” është vërshuar nga fotografitë që tifozët kanë postuar nga shkallët e stadiumit. Më shumë 17 mijë vetë kanë blerë biletat për të parë ndeshjen nga afër.

Presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i sportit Memli Krasniqi, kreu i FFK-së, Fadil Vokrri kanë dalë në fushë për t’i përshëndetur një nga një futbollistët e të dyja skuadrave. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e figura të tjera të politikës e kulturës kanë qenë në tribuna.

Aktualisht në Mitrovicë, ku po zhvillohet ndeshja është duke rënë shi, aq i pritur këtyre ditëve në Kosovë, por jo edhe sot në Mitrovicë.
Para ndeshjes një arie e ka kënduar Liridon Sadriu.

Më shumë se 110 mediume nga mbarë bota janë akredituar për të përcjellë ndeshjen e parë të njohur ndërkombëtarisht për shtetin më të ri në Evropë.

©KOHA.net

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...