Kosova U-19 me paraqitje dinjitoze në miqësoren ndaj Otrantit

10 Shkurt 2017 - 18:33      

Përfaqësuesja U-19 në kuadër të grumbullimit pesë ditor në Ulqin, sot, ka zhvilluar ndeshjen e parë testuese kundër skuadrës ulqinake, Otranti, që bën gara në Ligën e Dytë të Malit të Zi dhe është një nga pretendentët kryesor për t’u inkuadruar në elitën e futbollit malazez.

Pas një ndeshje mjaft të fortë dhe rivalizuese fitores iu gëzua skuadra e Otrantit, me rezultat 3:2, bën të ditur FFK. 

Në skuadrën ulqinake u paraqitën edhe tre japonezë, derisa më i merituari për fitoren e tyre ishte futbollisti me përvojë Fatmir Mullabeqiri, i cili shënoi të tre golat.

"Djelmoshat tanë përkundër dallimit të konsiderueshëm në moshë u treguan si rivalë thuajse të barabartë të skuadrës ulqinake. Madje, në minutën e 31-të Përfaqësuesja jonë kaloi në epërsi kur Rilind Nimani shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Lirim Kastratit nga këndorja, 0:1", thotë FFK, transmeton Koha.net.

Me tutje thuhet se, "megjithatë, reagimi i ulqinakëve ishte i shpejtë, pasi dy minuta më vonë Fatmir Mullabeqiri shënoi me gjuajtje të fortë nga brendësia e zonës, 1:1. Në minutën e 39-të Altrim Pajaziti pati mundësi për ta rikthyer epërsinë, por edhe pse depërtoi mirë në fund gjuajtja e tij nuk shkoi në rrjetë".

FFK thotë se në pjesën e dytë e nisi më mirë skuadra ulqinake, e cila pas vetëm katër minutash kaloi në epërsi me golin e Mullabeqirit nga gjuajtja e lirë, 2:1. I njëjti futbollist në minutën e 60-të e shfrytëzoi gabimin e portierit Albion Berisha, i cili gaboi në pasimin e topit, duke ia mundësuar kundërshtarit të shënojë në portën e zbrazur, 3:1.

As pas këtij goli djelmoshat tanë nuk u ndalën duke sulmuar pareshtur portën rivale dhe në minutën e 80-të arritën ta ngushtojnë epërsinë e vendasve, me golin e shënuar nga Ferat Syla, me kokë pas harkimit Ehat Gjokës nga këndorja. Pas këtij goli djelmoshat e Ramiz Krasniqit krijuan edhe disa raste tejet të mira, por mungoi efikasiteti në finalizim. Do theksuar se këtë ndeshje e përcollën nga afër edhe trajnerët e Përfaqësueses U-21, Erdogan Celina dhe Naser Prapashtica.

Trajneri i U-19, Ramiz Krasniqi pas takimit është ndarë shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij.

"Realisht nëse e shohim në mënyrë profesionale dhe praktike më të vërtet jam befasuar për të mirë me paraqitjen e djelmoshave tanë me vetë faktin se kemi luajtur me një skuadër të Ligës së Dytë të Malit të Zi, e cila u paraqit me përbërjen e parë, ku diferenca në moshë dhe në fizikusin e lojtarëve ka qenë e madhe. Ka qenë një kënaqësi e veçantë sidomos loja në pjesën e parë kur jemi përballur thuajse me ritëm të njëjtë të lojës dhe paraqitja ka qenë dinjitoze", është shprehur Krasniqi.

Ai më tutje shton se, "kemi udhëheq 1:0 që ka qenë befasi dhe më pas Otranti barazoi, kurse në pjesën e dytë skuadra rivale me të gjitha forcat është munduar të bëjë ndryshim në rezultat dhe këtë e ka arritur edhe në saje të gabimi të lojtarëve tanë, gjë e cila ndodh te futbollistët e grupmoshave të reja dhe që nganjëherë edhe mund ta kuptojmë. Edhe pas rezultatit 3:1 futbollistët tanë kanë pasur paraqitje të mirë dhe me një këmbëngulësi, disiplinë dhe përkushtim të madh kanë arritur ta ngushtojnë rezultatin e madje të krijojnë edhe tri – katër raste të pastra shënimi, gjë e cila më ka lënë të kënaqur".

Ai më tutje ka thënë se rezultati nuk është edhe shumë i rëndësishëm në ndeshje të tilla.

"Rezultati në ndeshje të tilla nuk ka rëndësi të madhe, por fakti që kemi vërejtur një dëshirë dhe vullnet të madh tek djelmoshat. Mendoj se kemi material të jashtëzakonshëm në këtë grup të futbollistëve, ndoshta sot kam kërkuar pak më tepër se sa është e nevojshme, por kam dashur që prej ditës së parë futbollistët ta kuptojnë se nuk do ta pranojmë asnjëherë asnjë humbje, por edhe nëse ndodh ajo duhet të jetë një fitore e kundërshtarit me një angazhim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Mendoj se me një punë të vazhdueshme me disa ndryshime dhe ardhjen e disa futbollistëve besoj që do të bëjmë një ekip të jashtëzakonshëm për sfidat e ardhshme", është shprehur Krasniqi.
Kurse Rilind Nimani ka thënë se kjo ishte ndeshje e mirë, ndërsa beson se ekipi sa më shumë të njohin njëri-tjetrin aq më shumë do të komponohen.

"Në përgjithësi ka qenë një ndeshje shumë e mirë e jona. Edhe pse ka qenë ndeshja e parë që kemi luajtur së bashku dhe përballë kishim një ekip me lojtarë më me përvojë ku diferenca në moshë ishte e madhe ne kemi arritur të bëjmë paraqitje shumë të mirë. Kjo ndeshje na ka ndihmuar ta fillojmë komponimin si ekip dhe besoj se me kalimin e kohës do të vijmë duke e njohur më mirë njëri-tjetrin dhe do të kemi paraqitje edhe më të mira", ka thënë ai.

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...