Mitrovica kërkon nga AKP-ja t’ia lë qytetarëve asetet sportive

8 Shkurt 2017 - 11:18      

Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, dhe drejtorët Sami Zeka, Egzon Jashari dhe Fidan Ademi kanë takuar drejtuesin e Zyrës Rajonale të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në Mitrovicë, Muhamedin Hetemi, me bashkëpunëtorë, për të biseduar për asetet sportive të komunës, të cilat AKP-ja i ka futur në listën e aseteve për likuidim.

Nënkryetari Mujka dhe drejtorët e lartpërmendur kanë kërkuar nga ky institucion që asetet sportive të mbesin në shfrytëzim të Komunës së Mitrovicës dhe të përjashtohen nga procesi i privatizimit, transmeton Koha.net.

“Duke marrë parasysh faktin që këto asete janë interes i veçantë për qytetarët e Mitrovicës, ne kërkojmë që të ndalet procesi i privatizimit dhe kështu ato të mbeten pronë e qytetarëve të komunës, të cilat do të shfrytëzohen nga sportistët, ashtu sikur që ka qenë deri tash”, ka thënë nënkryetari Mujka.

Fidan Ademi, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sportit, foli për rëndësinë e këtyre aseteve për qytetarët e komunës dhe në veçanti për sportistët. Ai tha se problemi i paraqitur i ka shqetësuar pa masë sportistë dhe qytetarët, të cilët janë shprehur se do t’i kundërshtojnë fuqishëm tjetërsimin e pronave, përkatësisht ndryshimin e pronësisë. Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Sami Zeka, ka kërkuar që ky proces të ndërpritet sa më parë, sepse në të kundërtën sporti në Mitrovicë do të pësojë goditje të rëndë, nga e cila nuk do të mund të këndellet më.

Drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër, Egzon Jashari, foli për mënyrën se si duhet vepruar duke e respektuar ligjin, që në asnjë mënyrë të mos lejohet tjetërsimi i këtyre objekteve sportive, të cila janë pronë publike, e qytetarëve të komunës.

Udhëheqësi i Zyrës së AKP-së në Mitrovicë, Muhamedin Hetemi, ka thënë se kërkesa e Komunës së Mitrovicës për pronat e identifikuara AKP-ja do t’i ketë parasysh dhe nëse komuna i plotëson kriteret të cilat janë të parapa me ligj , kërkesa do të realizohet.

Kujtojmë se në listën e likuidimit nga ana e AKP janë vënë objektet kryesore sportive të komunës, siç janë Halla e sporteve “Minatori”, Stadiumi i sporteve të vogla “Fatime Xhaka”, stadiumi i futbollit “Rizah Lushta” dhe stadiumi ndihmë i futbollit “Nexhat Taraku”. 

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...