De Biasi i shqetësuar për gjendjen e lojtarëve

7 Shkurt 2017 - 10:05      

Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, italiani Gianni de Biasi, ka parë nga afër disa lojtarë të kombëtares gjatë javëve të fundit. Ai ka vizituar klube të ndryshme ku paraqiten reprezentuesit e Shqipërisë. Por, nuk është i kënaqur me atë që ka parë dhe me atë që po japin për skuadrat e tyre të përzgjedhurit e tij.

"I takova disa lojtarë. I fundit ishte Armando Sadiku, që e pashë në ndeshjen e fundit, që për fat të keq pësoi 4:0. Ai vetë ishte mirë, megjithatë kemi të njëjtin problem. Kohët e fundit lojtarët tanë nuk po luajnë shumë. I referohem këtu Ajetit i cili dje luajti 90 minuta, apo Veselit që nuk u aktivizua. Është situatë që nuk na ndihmon për të pasur një gjendje të mirë të ekipit për ndeshjen e marsit", ka thënë De Biasi të hënën për "Top Channel".

"Kuqezinjtë" më 24 mars përballen me Italinë në udhëtim në kuadër të eliminatoreve për botërorin "Rusia 2018". Shqipëria, që vjet u paraqit në Evropian, nuk ka nisur mirë eliminatoret. Është e katërta në grupin G me gjashtë pikë. Ka fituar 2:1 ndaj Maqedonisë dhe 2:0 ndaj Lihtenshtajnit, ndërsa ka pësuar 2:0 nga Spanja dhe 3:0 nga Izraeli.

Është folur shumë për raportet mes De Biasit dhe mbrojtësit Mërgim Mavraj, që vlerësohet shtyllë e skuadrës. Mavraj pretendon të jetë kapiten i kombëtares dhe është raportuar për marrëdhënie jo shumë të mira me përzgjedhësin dhe FSHF-në.

"Është një budallallëk që ka dalë nga mediat. Mavraj është i përfshirë në programin tonë të kombëtares. Ai na vlerëson shumë, i pëlqen gjithashtu që të jetë kapiten, por për hierarki moshe dhe numër ndeshjesh, Agolli ka më shumë eksperiencë. Kur Agolli ta lërë futbollin dhe nëse Mavraj do të sillet mirë, do të jetë kapiten", ka shtuar De Biasi, transmeton Koha Ditore shkrimin e TCH.

Mavraj së fundi është transferuar nga Koelni te Hamburgu. Partneri i tij i kohëpaskohshëm në qendër të mbrojtjes, Arlind Ajeti të dielën debutoi te Torino në Serie A. Pati debutim të pafat. Topi i pasuar prej tij u ndal në ujë dhe rivalët e shfrytëzuan për të barazuar shifrat. U kritikua shumë për këtë.

Me shumë lojtarë që nuk i ndahen stolit dhe me disa jashtë forme, De Biasi pritet të ketë telashe për të përzgjedhur ekipin që mund t'i bëjë ballë forcës së italianëve në mars. 

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...