5 Shkurt 2017 - 11:26
Kuqezinjtë e Prishtinës, stinorin vjeshtor e mbyllen në krye të tabelës me 33 pikë, tri më shumë së Vëllaznimi.
Drejtori i Klubit, Agim Hasani i ka thënë KP-së se objektivat e skuadrës së tij janë inkuadrimi në Superligën e Kosovës. Ai është i bindur se Flamurtari pas disave viteve të garave në Ligën e Parë, do të rikthehet në mesin e skuadrave elitare.
Hasani thotë se në Durrës do të punohet intensivisht si dhe do të zhvillojnë disa ndeshje kontrolluese për të parë nga afër formën e lojtarëve para fillimit të stinorit pranveror. Sipas tij, Flamurtari dhe Vëllaznimi janë dy skuadra kryesore për kreun e tabelës.
“Synimet tona dihen, jemi duke shkuar për kampion. Atje do të stërvitem dhe do t’i bëjmë dy-tri lojë dhe do të shohim formën e lojtarëve. Ne jemi qind për qind të sigurt, por futbollit kurrë nuk i dihet, por prapë së prapë do të punojmë dhe do të korrim suksese që të arrijmë në Superligë, kështu që vetëm ai lartë mundet më na ndal e askush tjetër. Vëllaznmi, Dukagjini, Fushë Kosova, Vllaznia e Pozhoranit, kështu që mes tyre do të dihen dy pretenduesit për Superligë, më afër është Flamurtari dhe Vëllaznimi”, ka thënë Hasani.
Optimist se Flamurtari do të rikthehet në Superligë, shprehet edhe kapiteni i skuadrës, Fidan Hasani. Ai thotë se deri tash gjithçka ka shkuar mirë gjatë përgatitjeve. Sipas tij, e gjithë skuadra e është e motivuar dhe e bindur se Flamurtari do të sigurojë inkuadrimin në elitë, dhe atë pa barazh.
“Kemi filluar më datën 12 (janar), besoj se jemi një grup i mirë i organizuar, kemi një fond të mirë të mjaftueshëm. Edhe stërvitjet kanë shkuar ashtu siç i ka planifikuar edhe shefi i shtabit më ndihmës-trajnerin. Është një organizim i mirë i kryesisë, me kryetarin Imer Ademin. Tani kemi marr rrugën për në Durrës, për ta kryer një fazë prej shtatë ditëve, po bëjmë plan mu kthye për ta zhvilluar lojën e Kupës, e më u kthye prapë edhe shtatë ditë tjera atje që të përgatitemi sa më mirë për sezonin e dytë dhe besoj se sivjet nuk do të shkojmë përmes barazhit, por do të inkuadrohem drejtpërdrejt në Superligë. Krejt që kemi ardhur nga dita e parë e kemi pasur një mendim, ai që nuk beson se nuk do të kthehem në Superligë përmes vendit të parë, ai nuk ka nënshkruar me Flamurtarin, kështu që të gjithë jemi të një mendimi dhe besoj se vendi i parë nuk do të na ikë”, tha ai.
Hasani mendon se nëntë skuadrat që janë në pjesën e epërme të tabelës, kanë gjasa të luftojnë për pozitat që çojnë në Superligë. Ai është i vetëdijshëm se konkurrenca është mjaft e fortë, por beson se kuqezinjtë do ta mbyllin edicionin në krye të tabelës.
Klubi nga Xhemail Ibishi, gjatë afatit të janarit, ka blerë disa lojtarë, por padyshim se super-përforcimi është portieri Kushtrim Mushica. Ish-portieri i disa skuadrave të njohur në vendin tonë, por që ka bërë karrierë edhe në Shqipëri, thotë së i është bashkuar Flamurtarit pasi që kjo skuadër është serioze dhe ka ambicie të mëdha.
Mushica mendon se Flamurtari e meriton të jetë në Superligë, sepse sipas tij, kjo skuadër ka tradite në futbollin kosovar.
“Flamurtari është një skuadër që pretendon të jetë në Superligë, është shumë afër qëllimit. Arsyeja që jam në Flamurtar është së Flamurtari është një skuadër serioze, një skuadër që ka tradite në futbollin kosovar, është një skuadër që e meriton të jetë në Superligë. Qëllimi dhe ambiciet e tyre më kanë tërhequr dhe normalisht edhe vendi, qyteti, do të thotë Flamurtari vjen nga Prishtina, aty ku jetojë edhe unë, nuk kam dashur të lëvizi jashtë qytetit tim, kështu që mendoj se është një zgjedhje e mirë e imja. Pata rastin të stërvitem me grup, diku shtatë stërvitje dhe pash një grup të mirë, një shoqëri e mirë, e kjo është më rëndësi në sport, ndërsa sa i përket kualitetit mendoj se nuk mungon dhe mendoj do të komponohem deri në fillim të sezonit. Kundërshtarët nuk i njoh edhe aq mirë, por duke marrë parasysh se kjo skuadër ka arritur të jetë në vendin e parë, besoj se e ka merituar dhe do t a mbajë deri në fund”, ka theksuar Mushica.
Flamurtari në Durrës do të qëndrojë shtatë ditë, për t’u kthyer për zhvilluar ndeshjen e Kupës, por sipas drejtuesve të klubit, më pas ekipi përsëri do të rikthehen në bregdetin shqiptar për të zhvilluar shtatë ditë tjera të stërvitjeve.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...