4 Shkurt 2017 - 23:18
Koha.net sjell shkrimin e tij të plotë, të ndeshjeve parakualifikuese të Kosovës për “Euro 2018”:
Në Qipro nga 31 janari 2017 e deri më 02 shkurt 2017 u mbajtën kualifikimet për kampionatin Europian Sllovenia 2018. Pjesëmarrësit e grupit “E” ishin ekipet: Qipro (vendas), Danimarka, Norvegjia dhe Kosova. Ishte paraqitja e parë zyrtare e Kombëtares së Kosovës në futsall.
Pas peripecive gjatë pajisjes me viza në zyrën ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë dhe mos mundësinë e pajimit me vizë për ndihmës trajnerin Suad Keqi ekspedita kosovare e prirë nga kryetrajneri Ramadan Cimili, me lojtarët: Alfred Prenqi, Ramadan Alaj, Vahid Krasniqi (kapiten), Malush Qerimi, FAdil Goli, Arbnor Krasniqi (portjer), Dardan Topilla, Shkodran Loshaj, Ideal Brovina, Shpend Brahimi, Arbër Dobroshi, Oso Gjinovci, Nexhip Selimi, Getard Hyseni, dhe ekspeditën përcjellëse ,Skender Sadiku, përfaqësues zyrtar i kombëtares, Nysret Ymeri, doktor-fizioterapeut i kombëtares, Sahit Salih ekonom, Ilaz Mjaku nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, Fazli Berisha zëdhënës i FFK, nga Komisioni i Futsallit Rasim Gimolli, kryetar dhe Agim Avdyli anëtar, morri rrugën për në Qipro.
Nisja me autobus nga zyrat e reja të FFK-së, me shoferët Gëzim Hoti dhe Kadri Baraliu nga kompania “Nderimi”-Prizren , drejt Selanikut ishte me shpresë dhe optimizëm se do të ketë paraqitje dinjitoze në garën e parë zyrtare. Nga Selaniku me aeroplan udhëtuam deri në Athinë dhe nga Athina u nisëm drejt aeroportit Lakarna në Qipro dhe nga aty me autobus të Federatës së Futbollit të Qipros morëm rrugën drejt Nikozisë.
Me gjithë telashet e nisjes me stresin e vizave dhe rrugës së gjatë me autobus e dy aeroplanë vullneti dhe dëshira për paraqitje sa më dinjitoze nuk mungonte në taborin e kombëtares kosovare. Në Nikozia u vendosëm në hotelin Hillton gjithë ekipet pjesëmarrëse.
Në Nikozia pothuajse gjithë ekipet kishin njohuri për njëra tjetrën kurse enigmë mbeti kombëtarja e Kosovës të cilën e prisnin ballafaqimet e para zyrtare. Në takimin e parë me delegaten sllovene Samantha Tina Lovse dhe kontrollorin e referëve Gjergji Bitri, mikun tonë nga Shqipëria me vendbanim në Maltë, i cili ndihmoi futsallin kosovar me literaturë të futsallit si dhe me arbitrimin e tij në fillim në turneu ndërkombëtar “Adem Jashari” u shpreh kënaqësia për pjesëmarrjen e parë të Kosovës dhe shpresën se do të shfrytëzohet përvoja për ngritjen e cilësisë dhe kulturës së futsallit kosovar.
Më 30/01/2017 me fillim nga ora 16:00 në Palestrën “Tassos Papadopoulus” Elefheria në Nikozia me referin e parë Aleksandras Silva nga Lituania, referin e dytë Daniel Deca nga Rumania dhe referin e tretë Gerard Roure Ramirez nga Andora, delegaten Samantha Tina Lovse nga Sllovenia dhe kontrollorin e referëve Gjergji Bitri nga Malta filloi të shkruhet historiku zyrtar i kombëtares së Kosovës në futsall.
Fillimi na solli ankthin e parë në minutën 1:47 kur kombëtarja kosovare mbeti pa kapitenin Vahid Krasniqi i cili ndëshkohet me kartonin e kuq dhe penalti në favor të Norvegjisë. Nga ai moment në skenë paraqitet gardiani kosovar Alfred Prenqi i cili mbron penaltinë dhe ngrit moralin luftarak të lojtarëve kosovarë.
Pas kalimit të 2 minutave dhe kompletimit të ekipit në fushë filloi të mbisundojë një ekip e ai ishte ekipi kosovar. Në minutën e 4:52 filloi magjia e futsallit kosovar, Fadil Goli shënon golin e parë në paraqitjen e parë zyrtare të Kosovës, dhe ky është moment i lavdisë së futsallit kosovar. Norvegjezët e hutuar shënojnë në portën e tyre me anë të Niklas Espegren. Sundimin dhe lojën bindëse të Kosovës e finalizon edhe Oso Gjinovci për rezultatin 0:3.
Në minutin e fundit të pjesëlojës së parë për të treguar se duhet luajtur syhapur Norvegjia barazon përmes Rarib Maazouzi dhe pjesëloja përfundon në të mirë të kosovarëve,1:3. Edhe në pjesëlojën e dytë vazhdon dominimi i kosovarëve dhe në min 28:5, Ramadan Alaj shton epërsinë për 4:1. Dhe ai që e filloi edhe e përfundon takimin me shënim në min 39:28 Fadil Goli, që përfundon fitoren magjike të Kosovës ndaj Norvegjisë 5:1.
Ballafaqimi i dytë ishte më i vështirë si për nga cilësia e kundërshtarit dhe presionit të vendasit, ishte ndeshja ndaj Qipros. Nga ndeshja e parë doli në pah kualiteti i kosovarëve dhe pritej një betejë e madhe.
Në ballafaqimin e dytë ndaj vendasve qipriot ,Kosova mbahej burrërisht. Por në minutën 9:43 vendasit përmes Costas Koulumbris shënojnë për epërsinë 1:0. Por morali në taborin e kosovarëve nuk bie duke kontrolluar lojën arrijnë që në minutën 15:43 përmes Fadil Golit të barazojnë rezultatin.
Qipriotët mundohen që të kundërpërgjigjen por prapë kosovarët në aksion dhe në minutën 14:59 përmes Nexhip Elimit ngrisin rezultatin në 2:1, dhe me këtë rezultat shkohet në pushim. Edhe në pjesën e dytë qipriotët tentojnë që të sulmojnë por kosovarët tregojnë nivel të lartë dhe në minutën 25:55 Malush Qerimi fundos qipriotët dhe edhe një fitore bindëse e Kosovës 3:1.
Debutim përrallor, dy ndeshje dy fitore, me golavarazhë fantastik 8:2.
Ndeshja e tretë me Danimarkën ndeshje e cila pritej që të vërtetonte forcën e Kosovës. Kosova ishte në përparësi psikologjike pasi i konvenonte edhe barazimi dhe me propozicionet e garave në rast të fitores së Qipros ndaj Norvegjisë autsajdere do të kalonte në raundin e radhës.
Ndeshja filloi si më mirë për Kosovën, në min 7:47 Arbër Dobroshi shënon për 1:0 dhe gjërat shkonin si më mirë. Pjesa e parë përfundon në të mirë të Kosovës 1:0. Shenjat ishin se do të arrihet maksimumi.
Në pjesën e dytë danezët filluan të tregojnë armën e tyre dhe me gjithë forcat atakuan portën e kosovarëve, por fati dhe portieri Prenqi nuk lejuan që të mposhtemi.
Deri në min 29:08 kur Jannik Mehlsen shënoi për 1:1. Tani sekondat filluan të ishin sa shekujt, barazimi akoma ishte në favor të kosovarëve, por danezët pareshtur sulmonin dhe në min 37;19 arrijnë që të përmbysin rezultatin 2:1. Kosova tentoi që në minutat e fundit të atakoj portën e danezëve, kishte raste, gjysëmraste por porta e danezëve nuk u tund.
Pas dy fitoreve e shijuam edhe humbjen e parë. Pritej ndeshja e fundit dhe shpresa e fundit që Qipro të mposht Norvegjinë dhe Kosova të kaloj tutje. Por, ndeshja përfundoi baras 4:4 dhe me të përfundoi edhe shpresa e Kosovës për kualifikime.
Nga zyrtarët e UEFA-së, organizatori qipriot dhe ekipet pjesëmarrëse, kultura sportive, paraqitja, sjellja dhe loja futsallistëve të Kosovës u vlerësua me notën më të lartë.
Prezantim dinjitoz i Kosovës dhe rezultati më i suksesshëm në paraqitjen e kombëtares në të gjitha garat në sportet kolektive, duke shtuar edhe suksesin ekipor të kampionit të Kosovës “Feniks” nga Drenasi mbetet definitivisht sporti kolektiv më i suksesshëm kosovar nga pranimi në instancat ndërkombëtare sportive. Paraqitje dinjitoze dhe shenjë që futsalli ka kulturë dhe pritet ngitje dhe rezultate edhe më të mira.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...