22 Janar 2017 - 14:53
Kandidatura e presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), Erlind Pëllumbi, u miratua në unanimitet.
Në një postim në “Facebook”, presidenti Pëllumbi falënderoi homologët për mbështetjen e tyre.
“Federatës Shqiptare të Volejbollit iu besua në unanimitet të plotë Presidenca e BVA-së. Një vlerësim dhe në të njëjtën kohë një obligim më shumë për promovimin dhe masivizimin e volejbollit shqiptar. Falënderoj të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen”, ka thënë Pëllumbi, raporton Koha.net.
Mediat në Serbi kanë njoftuar për këto zhvillime, ndërsa kanë thënë se përderisa Kosova është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Volejbollit, është edhe anëtare e BVA-së.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe të Volejbollit (FSV), Ivan Knezheviq, ka thënë se pjesëmarrja e delegatëve serbë në këtë kongres nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Në emër të Federatës Serbe të Volejbollit, dhe në pajtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe me mendimin këshillëdhënës për Shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, më duhet të deklaroj se pjesëmarrja e delegatëve nga Republika e Serbisë në këtë ngjarje sportive nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së njëanshme të Kosovës dhe nuk bie ndesh me qëndrimin e Republikës së Serbisë në raport me statusin e këtij territori”, ka thënë Knezheviq, transmeton Koha.net.
Kongresi ka marrë vendim që në Kosovë të organizohen dy Ballkaniada, në konkurrencat e kadetëve dhe të juniorëve. E njëjta Federatë do të organizojë edhe një garë të volejbollit në plazh, për lojtaret dhe lojtarët deri në moshën 20 vjeçe.
“Meqenëse FSV nuk e njeh federatën e sipërpërmendur [të Kosovës], seleksioni ynë sipas të gjitha gjasave nuk do të marrë pjesë në këto turne, por qëndrimi zyrtar do të merret vesh pas vendimit të FSV-së”, shkruan zurnal.rs.
Në Kongres është marrë edhe vendimi që Serbia të jetë nikoqire e kampionatit për kadetë, mirëpo ekziston mundësia që Serbia të jetë nikoqire edhe e turnirit për juniorë, por për këtë do të vendoset më vonë, pasi në garë janë edhe Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria.
© KOHA
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...