Kuka: Majlinda Kelmendi, storie që mahniti botën

7 Janar 2017 - 14:47      

Trajneri Driton Kuka, kampion olimpik me Majlinda Kelmendin, është shprehur shumë i lumtur me sukseset e arritura në vitin që lamë prapa.

Viti 2016 vlerësohet vit historik për Kosovën dhe sportin e xhudos, pasi që Majlinda Kelmendi fitojë medaljen e artë në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016.

Kuka, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se viti që iku ka qenë viti më i suksesshëm në jetën e tij. Sipas tij, viti 2016, është storie e veçantë, sepse sipas Kukës, një shtet i vogël çfarë është Kosova të prek majat në Olimpiadë, është storie që ka mahnitur botën.

“Viti 2016 sa i përket sportit në përgjithësi, sidomos për sportin tonë ka shënuar rezultatet jetësore, punës sime si trajner, rezultatin jetësore te federatës sonë, ku në këto katër vitet e fundit prej ciklit olimpik 2012-2016 kemi fituar gjitha medaljet e mundshme dhe atë të artë. Një shtet i vogël me më pak se 2 milionë banorë është bërë storie e suksesit në botën e sportit pikërisht prej rezultateve që i kemi arritur këtu nga kjo palestër e vogël, prej një ekipi më bazë jo shumë të madhe, por vetë fakti se u kurorëzua më medalje të artë olimpike qysh në pjesëmarrjen e parë, tregon shumë, tregon sakrificën, punën dhe është paguar në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Kuka.

Tekniku pejanë mendon se puna, energjia, e përkushtim i madh, kanë sjell sukseset që kanë arritur nxënësit e tij, Majlinda Kelmendi, Distria e Krasniqi e Nora Gjakova. Sipas Kukës, është punuar intensivisht pa shikuar aspak anën financiare. Megjithatë, ai kërkon përkrahje më të madh nga shteti ynë në mënyrë që sukseset e xhudistëve të jenë në nivel të lartë edhe në vitet vijuese.

“Ne kemi punuar seriozisht, unë si garues e kam pasur një përgatitje të lartë nga koha kur kam qenë aktiv deri në vitin 1991, mandej gjithë energjinë time, potencialin e kam shfrytëzuar që të ngris sportistë dhe ja kemi arritur qëllimit. Pas përfundimit të luftës kemi punuar shumë, kemi investuar me mjete vetanake edhe në infrastrukture. Gjithçka e kemi bërë me zemër e më shpirt pa ndonjë pretendim për përfitime materiale dhe duket se kjo është ajo, kështu që neve na u është shpaguar mundi, sepse kemi punuar më përkushtim, më vullnet duke mos e shikuar anën materiale, sepse po ta shikonim anën materiale as unë e as nxënësit e mia për të cilët ka pasur interesim shumë të madhe nga shumë shtete, kemi punuar seriozisht, sportin e xhudos e njoh mirë dhe nxënësit e mi e kanë dëshmuar këtë. Normat olimpike për Rio 2016 kanë ardhur vetëm nga sporti, prej shkollës sonë te xhudos dhe besoj se edhe në të ardhmen do të punojmë, por presim përkrahje me serioze, sepse të krahasohet Federata e Xhudos me federatat tjera që nuk kanë as rezultatet ballkanike, mendoj se kjo duhet të tejkalohet dhe mendoj se ka ardhur fundi i modestis tonë karshi përkrahjes së shtetit”, ka theksuar Kuka.

Ai thotë se ekipi është në rritje, por sipas tij, duhet vetëm përkrahje financiare, sepse sipas tij, klubit të tij i duhet një shtab profesional në mënyrë që të vazhdohet rruga e sukseseve. Kuka thekson se në skuadrën e tij ka sportistë kulminant, por sipas tij, edhe statusi i tyre duhet të jetë kulminant.

“Ekipi është rritur shumë, unë kam nevojë që të kem një shtab teknik, dhe për shtab teknik profesional duhen mjetet dhe faktikisht përveç meje e Majlindës gjithë tjerët janë vullnetar për punën me xhudo, madje, edhe për Nora Gjakovën deri tash shteti nuk ka bërë asnjë zgjidhje. Dihet mirëfilli se po të mos ishte Nora në Baku ne do të kthehemi më faqe të turpshme sa i përket sportit, ajo zgjati një javë ose dy javë dhe mandej nuk ndodhi asgjë, ka rezultatet kulminante, por nuk ka status kulminant. Këtyre gjerave ju ka ardhur fundi. Ne e kemi ekipin i cili dita-ditës po rritet me potencial shumë të madh, por gjithsesi se nëse investime shkojnë në atë drejtim, në kontinuitet sa po rritet ekipi edhe ne besoj se do t’i ndjekim me ketë trend rezultat elitare”, ka përfunduar Kuka.

Ai është i bindur se në vitin që kemi hyrë nuk do të mungojnë sukseset për xhudistët e tij në arenën ndërkombëtare.

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...