3 Janar 2017 - 13:22
Brenda këtyre 12 muajve janë arritur rezultatet mjaft të mirë në sportin e Kosovës në rrafshin kombëtare, e veçmas në rrafshin ndërkombëtar.
Padyshim se kulmi i këtyre sukseseve është shkëlqimi i xhudistes, Majlinda Kelmendi në “Rio 2016”. Krenaria e sportit kosovar, për herë të parë në historinë e shtetit i ka sjell Kosovës medaljen të artë nga Lojërat Olimpike.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani thotë se 2016 është viti më i suksesshëm për sportin kosovar.
“Realisht Kosova ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e sportit, sepse pas njohjes së Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, pasuan njohjet e të gjitha federatave kombëtare nga Federatat përkatëse ndërkombëtare, e fundit siç e dini ishte UEFA dhe FIFA që e njohën Federatën e Futbollit të Kosovës dhe kjo mundësoi që sportistët e Kosovës të marrin pjesë në gjitha kampionatet evropiane, botërore, por edhe në Lojërat Olimpike. Do të thotë përfundojë procesi i ndërkombëtarizimit dhe normalisht tani të gjithë dashamirësitë e sportit i shikojnë së çfarë rezultate janë arritur, natyrisht se i shikojnë në aspektin e të arriturave në nivelin evropian, botëror, dhe mund të krenohemi, sepse ka më dhjetëra medalje të fituara, sidomos nga xhudoja, por kemi edhe nga karateja dhe boksi, dhe kjo është një premtim i mirë që do të thotë se po zgjedhen sportet në të cilat mund të llogarisim se mund të fitojmë edhe medalje”, ka thënë Hasani për KP.
Ai thotë se suksesi i Majlinda Kelmendit në Olimpiadën e “Rio de Janiero”, është një stori e veçantë. Sipas tij, e terë bota e ka admiruar suksesin e xhudistës sonë.
“Lojërat Olimpike, në Rio janë një storie e veçantë, një storie që e terë bota na ka admiruar përmes paraqitjeve tona, e sidomos përmes suksesit brilant të Majlinda Kelmendit, e cila u kurorëzua me medaljen e artë, dhe e arriti që Kosovën ta fus në mesin e 102 shteteve që kanë medalje të artë olimpike dhe realisht ishte lajm i botës. Një lajm i mirë, një mesazh i mirë së në Kosovë ka vlera dhe ato u shfaqen në mënyrën më të mirë përmes Majlinda Kelmendit. Madje, edhe CNN në mesin e 10-të ngjarjeve të cilat do të mbahen mend për Lojërat Olimpike ‘Rio2016’ është edhe medalja e Majlinda Kelmendit, sepse për herë të parë u paraqite në Lojërat Olimpike si shtet, si Kosovë dhe për herë të parë fitojë medalje të artë të cilën nuk e kishin bërë asnjë shtete brenda 50-60 viteve të fundit”, tha ai.
I pari i KOK-ut thotë se Majlinda Kelmendi ka befasuar “Rio-n”. Sipas Hasanit, Majlinda ka qenë befasia më e madh në Brazil, madje, ai thotë se komunitetit sportiv botëror është i befasuar me suksesin e Majlindës, sepse sipas tij, komuniteti sportiv thoshte se si është e mundur që një komunitet olimpik i ri, më një izolim mbi dy dekada të dalë në mënyrë triumfuese në pjesëmarrjen e parë në një Olimpiadë.
Hasani: Majlinda ka befasuar Rio-n
Video
“Realisht unë gjithmonë kam qenë optimist se Majlinda do të fitojë medalje, madje edhe medalje të artë dhe janë disa deklarata të mia të dhënë në këtë drejtim, madje, para asosacioneve të komiteteve olimpike ndërkombëtare kur u pranuam me drejta të plota, aty mu dha fjala, ku veç falënderimit për pranimin tonë në familjen olimpike, unë, ju drejtova edhe presidentit Thomas Basch që të bëhet gati ta mbush premtimin e tij, të cilin e kishte dhënë gjatë vizitës së tij në Kosovë në prillin e vitit 2015, kur kishte thënë së në qoftë se ndonjë sportistë i Kosovës do të fitojë medalje olimpike, pikërisht ai do ta ndajë medaljen, dhe ne e mbajtëm premtimin, por premtimin e mbajti edhe presidenti Thomas Basch. Befasia ka qenë të bota tjetër, ku atje janë befasuar se si është e mundur që një shtet i ri, një komunitet olimpik i ri, më një izolim mbi dy dekada dhe përnjëherë të dalë në mënyrë triumfuese dhe të marrë medalje të artë ku janë diku 104 shtete që mundohen më shumë së 120 vite të fitojnë një medalje dhe ende nuk ia kanë dalë, ndërsa Kosova me paraqitjen e parë”, ka theksuar Hasani.
Ai ka folur edhe për infrastrukturën sportive, e cila edhe pas 17 viteve nga lufta, vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë.
“Infrastruktura sportive nuk është në proporcion më kërkesat aktuale që i ka komuniteti i sportit, sepse ndoshta na kanë mjaftuar kur s’kemi qenë të ndërkombëtarizuar, s’kemi qenë pjesë e lëvizjes olimpike botërore, ndërsa tash ato po dalin në pah se ka mungesa të shumta, do të thotë së na mungon një stadium olimpik më staza për vrapim, na mungon bazën olimpik, na mungon salla sportive të mirëfillta më standarde ndërkombëtare qoftë ato që kërkohen nga Federata përkatëse e Federatës së Basketbollit, volejbollit e kështu më radhë, por na mungojnë edhe për sportet dimërorë, kështu që vërtetë është një mungesë shumë e madhe, dhe këto kërkesa nuk mundet më e përballu vetëm Ministria për Sport, por këtë duhet ta ndihmojë edhe vet qeveria e Kosovës, do të thotë ta vë në fokus infrastrukturën sportive në Kosovë dhe të ndajë një buxhet të ngjashëm siç ishte ndarë për infrastrukturën rrugore dhe tan i të mendohet për infrastrukturën sportive, dhe ne si komunitet i sportit vetëm atëherë do të jemi të kënaqur kur do të përmbushen nevojat tona”, ka deklaruar Hasani.
Ai ka shtuar se në vitin 2017 fillon cikli i ri olimpik 2020, dhe sipas tij, sportin e Kosovës e presin sfida të mëdha.
Hasani thekson se ambiciet e Komitetit Olimpik janë që të krijohet një ekip më objektiva të qarta për Olimpiadën e radhës. Ai është i bindur se as në vitin që po hyjmë nuk do të mungojnë sukseset e sportistëve tonë në arenën ndërkombëtare.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...