Mesfushori kosovar përleshet me trajnerin e tij te Vllaznia e Shkodrës

3 Dhjetor 2016 - 19:25      

Plas në Shkodër, sherr mes trajnerit Armando Cungu dhe mesfushorit kosovar, Ylli Hoxha. Gjithçka ka ndodhur pas stërvitjes së djeshme, kur lojtari kërkoi llogari te trajneri pse ishte përjashtuar nga seanca. Këtu situata ka degraduar dhe është dashur ndërhyrja e pjesëtarëve të stafit teknik për të shmangur përleshjen dhe grushtet mes Cungut dhe Hoxhës.

Burime të sigurta pranë klubit shkodran treguan për “Panorama Sport” se trajneri Cungu i kërkoi Hoxhës të largohej nga stërvitja. Ky i fundit nuk e kundërshtoi për momentin vendimin e trajnerit dhe priti derisa stërvitja të përfundonte dhe të sqarohej direkt me Cungun. Por, askush në ekip nuk e priste që pas debateve do të kishte edhe kapje nga fyti mes palëve.

“Çfarë ke me mua, nuk e kuptoj pse sillesh kështu”, mësohet t’i jetë drejtuar Hoxha trajnerit Cungu menjëherë pas përfundimit të seancës. Në këtë moment, trajneri i nervozuar i kthen këtë përgjigje: “Sa të jem unë, nuk do të luash asnjë minutë te Vllaznia”.
Ndërkohë, mesfushori duket se nuk e ka pritur këtë përgjigje të trajnerit dhe i është afruar i nervozuar. Në këtë moment, të dy mësohet se janë kapur prej fyti, por ndërhyrja e zëvendëstrajnerit Aleksandër Maxhar ka bërë që situata të mos precipitojë.

Hoxha është larguar nga vendi ku po qëndronte dhe trajneri është qetësuar, duke diskutuar me pjesëtarët e stafit. E gjithë skena është parë nga lojtarët kuqeblu.

Mesfushori 28¬-vjeçar u afrua në merkaton e verës te Vllaznia si një preferencë e vet trajnerit Cungu, i cili kishte bashkëpunuar me kosovarin në periudhën kur drejtonte Kukësin. Mirëpo, fakt është se në shtatë ndeshje që Hoxha ka luajtur deri më tani me kuqeblutë, vetëm në dy prej tyre është preferuar si titullar nga Cungu.

Burime pranë skuadrës bëjnë të ditur se gjatë javëve të fundit, trajneri dhe lojtari kanë pasur disa herë përplasje, por gjithçka ka mbetur aty, teksa Cungu në disa raste ka urdhëruar Hoxhën të lërë stërvitjen.

Ky sherr i papritur te Vllaznia, me protagonist trajnerin dhe lojtarin, vjen në një moment ku shkodranët kanë gjetur qetësinë, teksa kanë marrë dy fitore radhazi. Megjithatë, mosaktivizimi i disa lojtarëve që në fillim të sezonit janë afruar në skuadër për të qenë titullarë, kanë bërë që pakënaqësitë të jenë të mëdha.

Një prej të pakënaqurve është Hoxha, por mësohet se edhe sulmuesi lushnjar, Brunild Pepa, disa herë ka kërkuar llogari për mosaktivizimin. Pas kësaj që ndodhi, gjasat janë që drejtuesit të marrin masa, teksa Ylli Hoxha rrezikon të pezullohet nga klubi për një afat të pacaktuar.

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...