FSHF kërkon nga “lojtari i 12” të ndërrojë mendje për bojkot

16 Nëntor 2016 - 17:10      

Pas njoftimit nga “Tifozët kuq e zi” për bojkot të ndeshjeve të kombëtares shqiptare, ka ardhur reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit.

“TKZ” ditë më parë njoftoi se në ndeshjen ndaj Izraelit tifozët janë terrorizuar nga forcat e shumta të policisë shqiptare dhe për shkak të veprimit të shtetit shqiptar ka vendosur të bojkotojë ndeshjen, ndërsa tani FSHF ka kërkuar nga ta që të ndërpresin bojkotin.

Sipas FSHF-së, “TKZ” është lojtari i 12 i kombëtares dhe mungesa e tifozëve në stadium llogaritet si mungesa e një aleati të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm.

Sa i përket masave të sigurisë, FSHF thotë se ishte organizim sipas standardeve të UEFA-s dhe ka kërkuar falje për kushtet që u janë ofruar tifozëve në këtë ndeshje.

Kjo është letra e FSHF-së drejtuar tifozëve të kombëtares:

Deklarata e fundit, e grupimit të tifozëve kuqezi për bojkotimin e ndeshjeve të kombëtares shqiptare, është përcjellë me vëmendje dhe seriozitet, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Duke e konsideruar grupimin TKZ dhe në përgjithësi të gjithë tifozët shqiptarë, si një faktor shumë të rëndësishëm në mbështetjen që i ka bërë skuadrës kombëtare, ne e shikojmë me shumë shqetësim, vendimin e tyre. Kjo sepse mungesa e tifozerisë në stadium, përbën për ne dhe skuadrën mungesën e një aleati të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm. Të luash pa “lojtarin e 12”, do të thotë që të hysh në fushën e lojës me një lojtar mangut.

Federata , i bën thirrje grupimit TKZ, që të ndryshojë qëndrimin që ka në lidhje me këtë vendim. Me një gjykim më gjakfohtë dhe dashamirës, duhet të rikthehen në stadium, në vendin që i takon. Duke i lënë mënjanë mëritë dhe qejfmbetjet. Duke kapërcyer mbi to. Duke u bërë të gjithë, më të gjerë. Dhe duke menduar për qëllimin tonë të madh: Të jemi një suport i rëndësishëm për skuadrën tonë të dashur, e cila na ka bërë shpesh të lumtur dhe krenarë me paraqitjet e saj.

Kjo ndeshje kishte specifikat e saj nga pikëpamja organizative. Për hir të ndryshimit të qytetit dhe stadiumit ku do të zhvillohej ndeshja, u desh të kryenim, një punë kolosale, në kushte realisht të vështira. Konvertimi në një kohë rekord, i biletave të programuara për në stadiumin e Shkodrës, ishte një aksion që vështirë se një organizëm tjetër, mund ta realizonte. Në kushtet e krijuara, edhe ne ndeshëm shumë vështirësi, për të realizuar organizimin e një ndeshjeje model, sipas standarteve të UEFA-s.

Tifozët, gjithashtu sakrifikuan jashtëzakonisht. Ata ndryshuan axhendën, planet e tyre dhe programet që kishin përgatitur. Dhe sigurisht, kjo kishte kosto si fizike ashtu edhe financiare për ta. Për fat të keq, kjo sakrificë që tifozeria bëri, nuk u shpërblye. Ata, kanë dhënë gjithçka për skuadrën kombëtare gjatë kësaj periudhe dhe për këtë meritonin një trajtim më qytetar, brenda kufijve ligjorë. Ne besojmë se këto kanë qenë edhe udhëzimet e drejtuesve të policisë së shtetit por në terren gjërat janë deformuar dhe për këtë ndjejmë keqardhje.

Pavarësisht kësaj, Federata kërkon më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim me grupet e tifozerive. Vetëm mirëkuptimi e bashkëpunimi, do të përmirësojë komoditetin tuaj në stadium. Ne do të bëjmë maksimumin, për të qenë një interlokutor i rëndësishëm, midis të gjitha palëve, për të patur një mbarëvajtje sa më të mirë të punëve, në të ardhmen.

E përsërisim mbështetja e tifozëve, është shumë e rëndësishme, për ekipin kombëtar dhe futbollin shqiptar. Për këtë arsye ju duam të gjithëve. Të jeni në stadium, për të mbështetur kombëtaren. Siç ka ndodhur, në mënyrë spektakolare deri më tani.

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...