Ambasadori izraelit: Masat janë normale

11 Nëntor 2016 - 15:39      

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Izraelit ka tërhequr më shumë vëmendje për shkak të masave tejet të rrepta të ndërmarra, duke eklipsuar rëndësinë e vetë ndeshjes. Por për ambasadorin e Izraelit në Tiranë, Boaz Rodkin ata ndihen shumë të sigurtë në Shqipëri, transmeton tch.

“Autoritetet këtu vendosën që të marrin disa masa sigurie dhe kjo është e kuptueshme, sepse edhe vitin e kaluar u morën masa për një ndeshje futbolli dhe kjo është tërësisht në rregull për ne. Më lejoni të them që ne ndihemi të qetë dhe të sigurtë këtu. Autoritetet kanë qenë shumë të sjellshme me ne dhe jam i sigurtë që gjithçka do të jetë e qetë edhe nesër gjatë ndeshjes. Nëse autoritetet e sigurisë këtu vendosin që të mbrojnë vendin me mirë për sigurinë e shqiptarëve dhe të huajve, duhet të bëjnë atë që duhet bërë dhe ne e vlerësojmë këtë gje, por ne si ambasadë nuk jemi të përfshirë në këtë gjë”, thotë ambasadori Rodkin.

I pyetur se pse vetë autoritetet izraelite janë kaq të ndjeshme dhe në gatishmëri, ambasadori e lidh këtë fakt me historinë, e jo me Shqipërinë.

“Ndonjëherë ne marrim të njëjtat masa sigurie. Për fat të keq në vitin 1972, gjatë lojërave olimpike të Mynihut u sulmuan atletët izraelitë dhe 11 persona vdiqën. Ajo ngjarje ishte rreth 40 vite më parë, por për fat të keq në disa raste ne duhet të marrim masa sigurie për të mbrojtur atletët dhe futbollistët tanë. Por në fund të të gjithës ne ndihemi shumë të sigurtë këtu. Federata e Futbollit është këtu dhe është në kontakte shumë të mira me federatën shqiptare. Lojtarët tanë janë këtu, ndihen të sigurtë dhe janë të gatshëm për ndeshjen nesër. Kjo është ajo që ne bëjmë edhe me skuadra të tjera futbolli, por edhe me sporte të tjera për shkak të ngjarjeve të së shkuarës. Edhe njëherë, kjo nuk është një situatë e pazakontë”, thotë kryediplomati izraelit në Tiranë.

Ambasadori nuk pranoi që kjo situatë është një reklamë e keqe për vendin tone, por përkundrazi.

“Nuk mendoj se është një reklamë e keqe për Shqipërinë, sepse shteti po merr masa sigurie. Është një shenjë shumë pozitive që janë duke bërë gjithçka që munden apo që e kanë në dorë, për të siguruar që gjithçka të shkojë mirë. Pati disa akte terroriste në Europë vitet e fundit, kështu që nëse autoritetet e sigurisë këtu vendosin që të marrin disa masa sigurie, ne duhet t’i mbështesim ata. Sinqerisht nuk mendoj që është një reklamë e keqe për Shqipërinë, por e kundërta”, deklaron ai.

Por gjithsesi, ambasadori Roadkin e ka një shqetësim.

“Nëse ka një shqetësim nga ana jonë, është vetëm një; që ekipi juaj i futbollit është më i mirë se i yni dhe ndoshta nesër do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për Izraelin”, thotë ai.

Pëlqejeni faqen e Koha.net për sport
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...